DISA PROBLEMATIKA ME TË CILAT PËRBALLET VEPRIMTARIA MINERARE

4

Operatorët minerarë shprehin gatishmërinë për të investuar në kërkim-zbulim, por kjo kërkon stabilitet ligjor, procedura të qarta dhe mbështetje institucionale, pasi në të kundërt rrezikohet ndërprerja graduale e aktivitetit në disa miniera, me pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe sociale për zonën

Ing. Bukurosh KOÇI

Së pari, i urojmë gëzuar Vitin e Ri 2026 të gjithë punonjësve të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të mineralit të kromit, veçanërisht atyre të fabrikave të pasurimit të kromit në Bulqizë, Kalimash, Gjakovë, punonjësve në minierat e kësaj shoqërie në Qafë-Lamë, Klos, Tërnove Bulqizë, Kalimash Kukës, si dhe gjithë punonjësve të industrisë minerare në Shqipëri. Gjatë vitit 2024-2025 sektori minerar në zonën minerare Bulqizë-Klos ka punuar në nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të kromit duke prodhuar mineral kromi të pasur me cilësi 32-42% Cr2O3 për eksport si dhe mineral të varfër për furnzmin  me lëndë të parë të disa fabrikave të pasurimit të kromit në Bulqizë, Batër, Krastë, Tërnove, Kalimash etj .

Sektori minerar në Bashkinë e Bulqizës dhe Klosit është sektori kryesor për zhvillimin ekonomik si dhe punësimin e zonës. Lejet minerare në këto zona sipas bashkive janë: në Bulqizë 114 dhe në Klos 22.

Sipas statistikave zona me më shumë leje minerare në Shqipëri është zona mineral-mbajtëse Bulqizë-Martanesh. Vetëm në Bashkinë e Bulqizës janë ndërtuar 8 fabrika për pasurimin e kromeve të varfëra.

Në veprimtaritë minerare (Zona e Bulqizës), sot janë të punësuar rreth 4000 punonjës të profesioneve: inxhinierë miniere, pasurues, gjeologë, makshedër, ekonomiste, minatorë, zjarrmëtarë, punëtorë, teknologë, manovratorë, teknikë elektrikë etj.

Prodhimi i mineralit të kromit të pasur dhe të varfër për vitin 2025 parashikohet të kapë shifrën e rreth 450 000 ton mineral kromi i varfër dhe i pasur.

Prodhimi i koncentratit të kromit gjatë vitit 2025 arriti rreth 450 000 – 50 000 ton.

Disa nga problemet që kërkojnë zgjidhje janë:

Problemi kryesor ka qenë dhe mbetet mungesa e fuqisë punëtore, si dhe mosha mesatare mbi 50 vjeç e punonjësve në sektorin minerar. Kjo situatë tregon se interesi i të rinjve për të punuar në miniera apo fabrika pasurimi mbetet i ulët, pavarësisht përpjekjeve të subjekteve minerare për të rritur pagat dhe përmirësuar kushtet e punës e të mjedisit. Operatorët minerarë po përballen me vështirësi reale në sigurimin e stafit të kualifikuar, ndërkohë që puna kërkon përgjegjësi të lartë, disiplinë teknike dhe përvojë profesionale.

Në mungesë të politikave mbështetëse për formimin profesional dhe integrimin e të rinjve, barra e vazhdimësisë së prodhimit mbetet kryesisht mbi punonjësit me eksperiencë, duke rritur kostot dhe kufizuar mundësitë për zgjerim të aktivitetit.

Rezervat minerare në shumë nga objektet ekzistuese janë pakësuar ndjeshëm, duke e bërë të domosdoshëm intensifikimin e punimeve të kërkim-zbulimit për identifikimin e rezervave të reja minerare. Këto punime janë thelbësore për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit prodhues, planifikimin afatgjatë të investimeve dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Operatorët minerarë shprehin gatishmërinë për të investuar në kërkim-zbulim, por kjo kërkon stabilitet ligjor, procedura të qarta dhe mbështetje institucionale, pasi në të kundërt rrezikohet ndërprerja graduale e aktivitetit në disa miniera, me pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe sociale për zonën.

Pothuajse çdo vit, subjektet minerare përballen me rritje të reja taksash apo tarifash, si nga institucionet qëndrore ashtu edhe nga ato vendore. Këto ndryshime, shpesh të paparashikueshme, e bëjnë më të vështirë planifikimin e aktivitetit dhe investimeve afatgjata. Për prodhuesit, çdo rritje shtesë e kostove reflektohet drejtpërdrejt në aftësinë për të mbajtur ritmin e prodhimit, për të investuar në teknologji dhe për të garantuar stabilitetin e vendeve të punës, sidomos në një sektor që tashmë përballet me sfida të shumta.

Ka ardhur koha që një subjekt kur të pajiset me leje minerare të jetë i kompletuar me të gjitha lejet e duhura, si: leje e lëndëve plasëse, si dhe zona ku do punohet të jetë hequr nga fondi pyjor, pasi çdo subjekt paguan taksën e rehabilitimit për çdo leje minerare gjatë të gjithë kohës së shfrytëzimit.

Problem tjetër gjatë vitit 2025 ka qenë rënia e kërkesës në treg, rënia e theksuar e çmimit të mineralit dhe koncentratit, si dhe rënia e kursit të dollarit me rreth 20%, në krahasim me vitin paraardhës.

Veprimtaria minerare në Bulqizë, Klos, Kukës dhe Tropojë nuk është vetëm një aktivitet ekonomik, por edhe një faktor i rëndësishëm social. Mijëra familje varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga puna në miniera dhe fabrika pasurimi. Çdo luhatje në prodhim, çmime apo kërkesë në tregun ndërkombëtar reflektohet menjëherë në të ardhurat e familjeve, në bizneset lokale dhe në nivelin e jetesës së komunitetit.

Lidhur me eksportin e mineralit të kromit, përveç këtyre shkaqeve, ka patur edhe raste mospërputhjeje të cilësisë së mineralit nga nisja në Durrës, në mbërritje në Kinë. Kjo ka sjellë që disa blerës seriozë kinezë, të largohen nga Shqipëria duke shkuar në vende të tjera si Zimbabve për blerjen e mineralit të kromit. Kjo kërkon një ndërhyrje dhe kontroll nga institucionet, si: dogana, AKBN etj.

Lidhur me rentën minerare, në kushtet aktuale të tregut, mendojmë që, edhe renta mineare që sot është  9% e vlerës së të shitur të mineralit në eksport, duhet të ulet në varësi të çmimit të tregut dhe cilësisë së mineralit, duke iu referuar vlerës së kostos së nxjerrjes së 1 ton mineral në dalje të galerisë dhe jo të paguhet rentë minerare edhe për vlerën e transportit nga Bulqiza apo miniera në Durrës, si dhe vlerës së shërbimeve portuale.

Ka ardhur koha që për shkak të kostove të larta të nxjerrjes së mineralit të kromit të varfër renta minerare për minerale kromi me përmbajtje të Cr2O3 nën 20% të jetë 0, si në rastin kur shkon në përpunim të brendshëm, ashtu edhe për eksport. Theksojme që kostot e nxjerrjes së nje ton mieral kromi i varfer apo i pasur janë të njejta por çmimet ndryshojnë me shifra 20-30 herë më të larta se kromi i varfër për kromin e pasur. Kjo do të bënte një riaktivizim ose futje në punë të të gjithë minierave që kanë cilësi të ulët të kromit nën 20% Cr2O3.

Aktualisht në mbi 80% të këtyre minierave, apo lejeve minerare nuk punohet për shkak të kostove të larta, si dhe mungesës së tregut. Për shembull, nëse do të eksportojmë mineral kromi të varfër nga Shqipëria në Kosovë me një çmim 10 dollarë/ton me përmbajtje Cr2O3 prej 13%, renta minerare do të jetë 9%, jo e vlerës së mineralit të shitur, por e vlerës sipas vlerësimit të një komisioni AD-HOC, që për rastin konkret do të jetë rreth 36-40 dollarë/ton. Në këtë rast, në vend se të paguhen 0.9 dollarë/ton, paguhen 2.7 dollarë/ton, që kap vlerën 27%. Ky është shaku që sot bën të pamundur eksportin e kromit të varfër për përpunim të mëtejshëm në Kosovë. Theksojmë që distanca nga minierat e kromit të varfër në zonën e Hasit dhe Tropojës, për në fabrikat e pasurimit në Gjakovë është rreth 20 km.

Një mundësi e madhe për rritjen e prodhimit të mineralit dhe koncentratit të kromit, është edhe riciklimi i mbetjeve minerare, për të cilat mendojmë se duhet hartuar një strategji e veçantë duke saktësuar sasitë, vendndodhjen, cilësitë, si dhe mundësitë e përpunimit apo teknologjitë e pasurimit.