Rrugëtimi i suksesshëm i Ing.Bukurosh Koçit

847
  • Në shtator 2001 mori kontratën nga kompania “Darfo Italia Spa” si nënkontraktor, ku sipas kontratës duhej të bëhej studimi dhe projekti i vënies në punë të fabrikës, si dhe duheshin kryer investime në përputhje me marrëveshjen koncesionare tip R O T, gjetjen e tregut si dhe porositjen e makinerive e paisjeve, pjesëve teknologjike etj. U bënë studime dhe projekte si dhe u porositën makineri e pajisje teknologjike që kapin vlerën e afro 5 milionë dollarëve. Gjatë 15 viteve të para, u futën në pasurim stogjet e varfëra mineralesh, si dhe u hapën me dhjetra miniera të reja e të vjetra për prodhimin e mineralit të kromit, për t’u pauruar më tej në fabrikë

Inxhiner Bukurosh Koçi, që vitet e sistemit monist mezi kapërceu pengesat e të qënurit bir i një familje të deklasuar, me profesionalizëm e përkushtim të rrallë ka arritur të krijojë e konsolidojë një shoqeri që sot ka në shfrytëzim 6 leje minerare, si dhe një personel të kënaqshëm inxhiniero – teknik e ekonomistë. Nga puna në këto 23 vite kanë dalë në pension dhe disa punonjës, të cilët, po të mos ishte vënë në punë kjo Fabrikë nuk do dilnin në pension të plotë.

 

Po kush është ky sipërmarrës, ndër më të suksesshmit në rang kombëtar?

 

Pas kryerjes së shkollës 8 vjeçare me nota të shkëlqyera, Bukurosh Koçi, si gjithë bashkëmoshatarët e tij ka kërkuar të vazhdojë studimet në një nga degët e preferuara si elektrike, mekanike, kimi industriale etj. Por për arsye biografike i është refuzuar kjo e drejtë, me pretendimin absurd se kishte babain të përjashtuar nga Partia e Punës në vitin 1962, gjyshin të dënuar politikisht e dajat e babait të cilesuar si kulak.

Kështu në vitin 1975-1976 ka vazhduar shkollën e mesme, dega minierë në Bulqizë. Pasi mbaroi vitin e parë, dega miniera, ende nuk i ishin shuar shpresat që të studionte në një nga degët që dëshironte. Në vitin 1976, nisur dhe nga deshira për të punuar dhe vazhduar studimet në degën elektrike, ka vazhduar studimet pa shkëputje nga puna në Shkollën e Mesme Elektrike në Fierzë, nga viti i II-të deri në vitin e IV-t, të cilën e mbaroi me nota të shkëlqyera.

Pas mbarimit të shkollës së mesme dhe disa kualifikimeve profesionale, si elektricist, elektroaut, hidraulik etj, Bukurosh Koçi (i cili kishte lindur në Ulëz –Mat më 02.09.1960) kërkoi të studiojë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, dega elekrike. Por përsëri, për arsye biografike, megjithëse në një situatë tjetër më të zbutur, nuk ju dha e drejta për asnjë degë të Universitetit të Tiranës.

Punoi dhe një vit si elektricist në Ndërmarrjen Ndërtim Miniera në Bulqize dhe në vitin 1981 iu dha e drejta për të vazhduar studimet në fakultetin e Gjeologji – Miniera, dega Pasurim Mineralesh.

Në vitin 1985, pasi mbaroi studimet dhe u diplomua si inxhinier pasurimi, emërohet inixhinier pasurimi turni në Fabrikën e Pasurimit të Kromit Bulqizë, ku ka punuar pothuajse në të gjitha repartet si inxhinier teknolog turni, inxhinier në degën e prodhimit, degën teknike, degën e sasi – cilësisë etj.

Ne vitin 1987 është emëruar kryeteknolog pranë kësaj fabrike.

Ne vitin 1988 shkoi për specializim në Gjermani.

Është autor i disa studimeve të kryera për pasurimin dhe parapasurimin e mineraleve të kromit në zonën e Bulqizës, Batrës, Krastës, Tërrnovës, Kukësit, Tropojës, Hasit etj, si dhe bashkpunëtor në kryerjen e disa studimeve nga Instituti i Studimeve të Teknologjisë së Mineraleve, Tiranë.

Po ashtu, Ing.Bukurosh Koçi është autor dhe bashkautor i ndërtimit të disa fabrikave e impianteve për pasurimin e mineralit të kromeve të varfëra, si dhe i disa rikonstruksione Fabrikash Pasurimi.

Ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa kongrese pasurimi mineralesh ballkanike  e ndërkombëtare në fushën e industrisë Minerare të Pasurimit, të zhvilluara në Shqipëri, Turqi, Serbi, Francë, Kinë, Amerike, etj.

Në vitin 1992, si rezultat i mbylljes së aktivitetit të fabrikës së Pasurimit të Kromit, për shkak të ndërrimit të sistemit, rënies së konjukturës së kromit në tregun botëror, si dhe mbylljes së akivitetit të Pasurimit në Bulqizë, mbeti i papunë. Në këto kushte u detyrua të kryejë punë të ndryshme në sektorë private, jashtë profesionit.

Në vitin 1996 ka rifilluar në Fabrikën e Pasurimit të Kromit si Inxhinier, ku tashmë kishin mbetur vetëm muret e dëmtuara dhe emri i vjeter i fabrikës, pasi gjendja teknike e teknologjike ishte shumë e rëndë, e shkatërruar totalisht, ku  fabrika kishte marrë pamjen e një gërmadhe. Ndoshta do të kishte pësuar fatin e Fabrikave të Pasurimit të Kromit në Krastë – Martanesh, Kalimash – Kukës, apo Fabrikave të pasurimit të hekurit në Pogradec, Fabrikave të Pasurimit të Bakrit në Kurbnesh, Reps, Rrëshen, Fabrikës së pasurimit të Qymyrit në Valias, Uzinave të Bakrit në Rubik, Superfosfatit në Laç etj.

Rifillimi i punës u pa si një shpresë e madhe për një grup punonjësish për të fituar bukën e gojës dhe për të mbajtur afërsisht 150 familje, e për të shkolluar fëmijët e tyre.

Me një përgjegjësi të madhe, në kushte tepër të vështira, Ing.Bukurosh Koçi mori përsipër të ringrejë të paktën një linjë pasurimi, tashmë jo për pasurim minerali por skorje ferrokromi. Kështu, në bashkëpunim me disa kolegë e specialistë me përvoje dhe me mbi 15 vite pune në këtë fabrikë, studiuan mundësinë e riaktivizimit të kësaj fabrike, tashmë jo me mineral kromi por duke përpunuar skorje të Ferrokromit  nga  Uzina e Ferrokromit Burrel.

Pas një pune këmbëngulese arriti të projektojë e zbatojë një linjë pasurimi për skorjet e mbetura nga Uzina e Ferrokromit në Burrel, në kushtet aktuale të Fabrikës ekzistuese. Ndërkohë, brenda një periudhe 5-6 mujore vuri në punë me sukses këtë linjë. Si rezultat u punësuan rreth 150 punonjës teknolog si dhe u futën në përpunim skorjet e depozituara si mbetje pranë Uzinës së Ferrokromit në Burrel, duke prodhuar ferrokrom pluhur, i cili kërkohej në tregun ndërkombëtar.

Po në vitin 1996, B.Koçi emërohet zv/Drejtor i Minierës së Kromit Bulqizë, si dhe Përgjegjës i Fabrikës së Pasurimit të Kromit Bulqizë.

Ne vitin 1998 është emeruar Drejtor i Parkut të Transportit të Kromit në Bulqizë, detyrë të cilën e ka kryer me kompetencë e përkushtim të rallë deri në vitin 2000. Madje në këtë ndërmarrje, megjithëse e mori drejtimin e saj në një gjendje të keqe dhe jashtë kontrollit, arriti që të vendosë në efiçencë të plotë të gjithë parkun me të gjitha mjetet e transportit të mallrave e punëtorëve, duke përballuar me sukses transportin e mineralit për në Burrel, Elbasan, Durrës etj, si dhe transportin e punëtorëve në zonën e Bulqizës.

Në vitin 2000 deri në vitin 2001 është transferuar në ALBKROM në Tiranë, ku ka punuar specialist pranë kompanisë deri në privatizimin me konçesion të Albkromit.

Në shtator 2001 mori kontratën nga kompania “Darfo Italia Spa” si nënkontraktor, ku sipas kontratës duhej të bëhej studimi dhe projekti i vënies në punë të fabrikës . Ndërkohë duheshin kryer investime në përputhje me marrëveshjen koncesionare tip R O T, gjetjen e tregut si dhe porositjen e makinerive  e paisjeve, pjesëve teknologjike etj.

U bënë studime dhe projekte si dhe u porositën makineri e pajisje teknologjike që kapin vlerën e afro 5 milionë  dollarëve. Gjatë 15 viteve të para u futën në pasurim stogjet e varfëra mineralesh, si dhe u hapën me dhjetra miniera të reja e të vjetra për prodhimin e mineralit të kromit, për t’u pasuruar më tej në fabrikë. U përpunuan e vazhdojnë të ripërpunohen mbi 2.5 milion ton sterile dambe duke prodhuar koncentrat kromi për eksport.

Sot në këtë shoqëri që po mbush afro 23 vjet, punojnë rreth 100  punonjës të profesioneve teknologe, mekanikë, elektrike,  manovratorë e shoferë.

Kjo shoqeri aktualisht ka në shfrytëzim 6 leje minerare, si dhe një personel të kënaqshëm inxhiniero – teknik e ekonomistë. Nga puna këto 23 vite kanë dalë në pension dhe disa punonjës, të cilët, po të mos ishte vënë në punë kjo Fabrikë nuk do dilnin në pension të plotë.

Nertila CEKA