Musa Lala, ikja pa kthim e një ikone

2644

Nga DEFRIM METHASANI

Një e nga një duket se ish-ët e dikurshëm të futbollit dibran po ikin dhe se historia nis të zbehet nga dëshmitarët e gjallë të saj.
Pas Shemsi Manjanit, nga të fundit është edhe Musa Lala, ish futbollisti i Korabit që në moshën 80 vjeçare iku nga kjo botë, duke lënë pas emrin e mirë të fiksuar në një histori që kurrë s’do të venitet, veçmas ajo kohë e artë, kur skuadra e Korabit në futboll doli për herë të parë në kategorinë e parë, pra bëhet fjalë në vitet 1962-1963.
Por, cili ishte Musa Lala dhe çfarë kontributi la pas ky mjeshtër i sportit, që jo vetëm si ish-futbollist, por mbi të gjitha si njeri dhe familjarë e veprimtarë, fitoi respektin dhe admirimin e njerëzve, ndaj kujtohet edhe sot në mungesën e tij nga kjo jetë.
Musai u lind më 8 prill 1939 në Zerqan të Dibrës, një fshat ky me shumë intelektualë dhe histori. Aty ai mbaroi me sukses shkollën fillore dhe që asokohe shquhej si nxënës i përgatitur dhe i aftë për të vazhduar më lart. Studimet i vazhdoi në shkollën e mesme ekonomike në Tiranë dhe menjëherë post mbarimit të studimeve ai nis punën si ekonomist në ndërmarrjen e Nish Prodhimeve. Por futbolli, krahas shkollës, duket se ishte një pasion i dytë tepër i lakmuar i tij.
Musa Lala e dashuroi topin e rrumbullaket që kur ishte në shkollë në Zerqan, por që njohu ngjitje cilësore kur vajti në Tiranë në shkollën e mesme. Mësuesit e fizkulturës e shihnin gjithnjë si një futbollist që mund të luante me skuadra profesioniste. Gjithsesi, ai vendosi te rikthehej në Peshkopi dhe aty të niste edhe karrierën futbollistike. Starti i tij është në vitin 1959 me ekipin e të rinjve të Korabit, por falë aftësive lëvizore dhe intuitive, ai do të kalonte shpejt tek të rriturit e Korabit. Shërbimi ushtarak e ndërpreu marrëdhënien e re që sapo kish nisur me Korabin dhe shkon në Krujë, ku edhe kryente shërbimin ushtarak dhe nisi të luante futboll. Për një vit ai ishte lojtar i skuadrës krutane, ndërsa më pas rikthehet sërish tek Korabi, pikërisht atëherë kur Dibra kishte nevojë më shumë se kurrë, sepse skuadra u ngjit për herë të parë në histori, në kategorinë e parë, krahas emrave të mëdhenj si Partizani, Tirana, Dinamo, etj.
Kontributi i tij tashmë u konsolidua dhe lojtari me nr. 6 shquhej si figurë sportive popullore duke fituar edhe simpatinë e një publiku të gjerë. Karriera e tij me Korabin zgjati deri në vitin 1972, sepse të tjerë breza erdhën në skenën e futbollit dibran. Por për një dekadë që ai luajti me Korabin, dy ishin tiparet dalluese të tij. Së pari lufta e fortë sportive dhe së dyti shpirti që tregonte në lojë.
Musa Lala ishte një sportist karizmatik që bënte diferencën me vetmohimin e tij. Ai i shërbente skuadrës me energjitë pozitive që e karakterizonin. Sa herë bëheshin përvjetorë apo kumtesa e festa sportive, kujtohej emri dhe kontributi i tij, si një protagonist i atij brezi të artë që Dibra nxori në ato vite.
Në një bisedë me mjeshtrin e sportit, ish trajnerin dhe specialistin e mirënjohur Bexhet Shehu, mësojmë faktin se Musai kish fituar admirimin e tij dhe tifozëve të futbollit, sepse ai ishte një mbrojtës luftarak dhe se përpiqej që në lojë të jepte maksimumin e tij.
Kështu mendon edhe njëri nga bashkëkohësit e tij, Shuaip Methasani. “Shkoja e shihja ndeshjet e Korabit në stadium. Musai ishte në krah të Taxhit dhe që të dy bëheshin barrikadë për kundërshtarin. Sa merrte topin Musai, njerëzit brohorisnin sepse futej fort për topin e parë dhe frenonte aksionet e rrezikshme të kundërshtarit”.
Pas lënies së futbollit, Musa Lala vijoi të punonte në detyra të ndryshme si revizor dhe ekonomist, qofshin këto në komitetin ekzekutiv, apo në ndërmarrjen pyjore dhe në kontrollin e shfrytëzimit të automjeteve. E gjithë jeta e tij, ishte e lidhur me njerëzit dhe korrektesa ishte tipari dallues për të.
Këshilli i Qarkut të Dibrës, në kuadrin e 75-vjetorit të krijimit të Klubit Sportiv “Korabi” e ka nderuar me titullin “Nderi i Futbollit Dibran”, me motivacionin “për kontribut në zhvillimin masiv dhe përparimin cilësor të futbollit në Dibër”.
Tani që ai nuk jeton, padyshim vlerë marrin kujtimet në adresë të Musait, kujtime që do të jetojnë gjatë dhe do të promovohen shpesh, duke e bërë atë një figurë të paharruar dhe mjaft popullore, jo vetëm në Peshkopi, por edhe në Tiranë, ku pas viteve 1990, si shumë të tjerë, zgjodhi të jetonte në metropol.
Komuniteti dibran ishte i shumtë në pjesëmarrje edhe në ditën e lamtumirës së tij, duke ndarë dhimbjen me familjen Lala dhe të afërmit e tyre.

 

VLERËSIME PËR  MUSA LALËN

NJAZI SHEHU, ISH FUTBOLLIST:

Musa Lala në pozicionin e tij si mesfushor shkatërrues ishte përherë një garanci në mesin e fushës së atij ekipi të madh të asaj periudhe. Dallohej për intelektin e tij si dhe forcën shkatërruese të kundërshtarit, duke qenë një nga protagonistët e rezultateve pozitive të asaj periudhe. Nuk mund të lë pa përmendur që ai ishte shumë komunikues dhe ndihmonte me këshillat e tij edhe ne, që atëherë ishim më të rinj si unë, Mufit Shehu e të ndjerët Mustafa Melani, Njazi Qorrollari (Sadiku), e portierët Bashkim Lala e Fadil Shulku. Në këtë periudhe ekipi ishte me përbërje gjeneratash të kombinuar, të vjetër e të rinj nga trajneri i mirënjohur Bexhet Shehu, ku luanin edhe të ndjerët Taxhedin Shehu e Islam Rama, si dhe mësuesi im Lutfi Manjani, Atli Shehu e kolegët si Remzi e Naxhi Lazimi. Pa e ekzagjeruar, ky ekip ishte shumë i respektuar dhe ndoshta nga më të vlerësuarit e asaj periudhe si nga publiku ashtu edhe nga kundërshtarët.
Largimi i tij, përveç boshllëkut që lën në familjen e tij, na prek dhe na hidhëron të gjithëve ne, që e njohëm dhe kaluam kujtime të paharruar nga ato vite.
FEHMI LLESHI – BASHKËQYTETAR:

Ndarja nga jeta e ish futbollistit të Korabit të viteve 1960-1972 më preku shumë dhe më ngjalli kujtime, sepse kam pasur rastin që ta shoh në fushë kur luante si lojtar me nr. 6.
Ishte një lojtar i fortë dhe jepte më të mirën për ekipin, ku dallohej ne mesin e fushës si shkatërrues, duke ndihmuar shumë në mbrojtje. Ishte model, me disiplinë dhe korrekt gjatë lojës, duke zbatuar me rigorozitet udhëzimet e trajnerit.
Unë e njihja mirë familjarisht dhe ruaj kujtimet shumë të mirë për Musain si njeri i dashur me shokët dhe miqtë e tij. Ai krijoi një familje të mrekullueshme, bashkë me bashkëshorten Drita, e cila edukoi breza të tërë si mësuese dhe fëmijët Fatbardhin, Adrianin dhe Elsën, duke dhënë kontributin e tyre në shoqëri, nën shembullin e babait të tyre, Musa Lala.