Dy vjet pa mikun e shokun tonë Lutfi Hanku!

116

Do ta kujtojmë me shumë respekt e dashuri ashtu siç ishe i mënçur e i dashtur    

 

Bashkim LAMI

Dy vjet më parë ( me dt 15 prill 2022) iu dha lamtumira e fundit për rrugëtimin e shpirtit të tij në parajsën e merituar shokut e mikut tonë Lutfiut, i cili kohët e fundit u mundua nga sëmundja deri sa ndaloi rrahjet zemra e tij, duke na hidhëruar, por jeta e tij ishte e mbushur me dashuri e aktivitete si rrallëkush për të mos u harruar.

Lutfi Hanku lindi në Zerqan të Dibrës më 1933 nga një familje e mesme, patriotike me besim bektashian. Babai i tij Sabriu dhe e ëma vdiqën të rinj dhe Lutfiu u rrit jetim në gjirin e familjes patriotike “Hanku”. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje. U aktivizua si pionier në luftën kundër pushtuesit italo-gjerman. Mbas çlirimit të atdheut vazhdoi studimet në Normale të Elbasanit dhe Uniken në Peshkopi. Më 1948-1952 ndoqi shkollën pedagogjike në Peshkopi bashkë me 16 moshatarë të tij dhe vitin e fundit të pedagogjikes e mbaroi në Shkodër.

E filloi punën me përkushtim si mësues në shkollën 7-vjeçare të sapokrijuar për punëtorët në Bulqizë, më pas vazhdoi në Kastriot, në Zerqan dhe në pak kohë si inspektor arsimi. Më 1956-1960 mbaroi Universitetin Shtetëror të Tiranës, fakultetin Histori-Filologji. Nga viti 1960-1992, mësues i gjuhës shqipe në shkollat e mesme të qytetit të Peshkopisë, ku nuk u shkëput për asnjë çast nga detyra e nderuar e mësuesit nga viti 1960 deri në vitin 1992, duke punuar shumë vite në Shkollën Pedagogjike dhe atë bujqësore, më pas në shkollën e mesme të përgjithshme derisa doli në pension. Lutfiu ndjente kënaqësi kur në rrugë e ndalonin mjaft njerëz dhe e përshëndesnin duke i thënë me shumë dashuri e respekt: “Profesor, kemi qënë nxënësit e tu. Kështu i ka ndodhur dhe me emra të njohur si Shaban Sinani, Lirie Rasha, Naim Çorja, Lavdrim Shehu e Gjelosh Gjoni, etj. Ai i kujtonte me shumë dashuri e respect të gjithë shokët e kolegët e tij në vite dhe në biseda tregonte episode të bukura të bashkëpunimit ku shpaloste me shumë dashuri vlerat më positive të tyre, si pjesë e pandarë e jetës. Lutfi Hanku, ishte dhe mbeti deri në fund të jetës praktikant e besimtar i devotshëm dhe përhapës i besimit të paqtë bektashian. Në veprat e tij letrare e publicistike, bektashizmi, zë një vend të rëndësishëm.

Lutfiu ishte mësues i talentuar në klasë dhe ka drejtuar rrethet letrare të shkollave, bibliotekat dhe aktivitetet shkencore, kulturore artistike. Është vlerësuar në konkurimet kombëtare për drama, ansamble artistike dhe estrada me medalje nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

Botimet e para nisin qysh në vitin 1953, atëherë sapo kishte dalë nga bangat e Shkollës Pedagogjike. Që në vitet ’60 ka botuar në shtypin monist përshkrime, skica letrare, tregime, monografi të shkurtra historiko-letrare në përmbledhje me shumë autorë dhe në gazeta e revista të sistemit monist dhe pluralist. Ka drejtuar ca kohë gazetën “Dibra” ku ka bashkëpunuar me gazetarët Velo Cfarku, Fatos Daci, Kamber Farruku, Garip Troci, etj. Në TVSH janë shfaqur tre telefilma për heronjtë e Dibrës.

Lutfi Hanku nuk mund të qëndronte vetëm brenda për brenda kornizave të klasave, aty ku jepte mësim. Shpirti i tij prej krijuesi premtonte për më shumë. E sot janë me dhjetëra monografi të shkurtra historiko-letrare të botuara, por edhe të trasmetuara në radio, tre skenarë për dokumentarë për heronjtë e Dibrës janë shfaqur në ekranin e televizionit shtetëror, por megjithatë Lutfiun e ndiqte nga pas kudo një “hije” që i pati lënduar shpirtin, por ai kurrë nuk u dorëzua. Punoi fort në rrugën e krijimtarisë dhe i ka dhënë lexuesve libra me vlera, ku del në pah stili i tij i veçantë me përshkrime brilante të personazheve realë të historisë e të jetës plot brenga e sakrifica. Forca krijuese, gjuha mjaft e pasur që përdor, faktet, kronikat dhe legjendat e bëjnë prozën e Lutfi Hankut më të pranueshme për lexuesin e gjerë shqiptar.

Lutfi Hanku me krijimtarinë e tij botoi më 1974 “Nëpër gjurmët e heroit” dhe më 1980 e ribotoi me titullin “Nazmi Rushiti”. Në vitin 2000 botoi librin “Kaçaku”, më 2003 “Drita e shpirtit”. Më 2006 romanin “Erdhi Caushi”, më 2009 “Marsi i vrarë” (vepër historiko-letrare). Është gjithashtu redaktor në shumë libra të krijuesve dibranë dhe i artikujve të shumtë në gazeta e revista si tek “Rruga e Arbërit”, “Gazeta Bulqiza”, “Drita”, “Nëntori”, Ushtima e Maleve”, “ Gazeta Dibra”,etj.

Lutfi Hanku ka qenë qysh më 1975, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, vlerësuar tri herë me dëshminë “Mirënjohja e kombit”, vlerësuar nga Këshilli Bashkisë Bulqizë “Qytetar Nderi”.

Në vitin 1991 Lutfiu mbeshteti pa rezerva ndryshimet demokratike ne qytetin e Peshkopise ku jetonte dhe dha kontributin e tij ne bashkepunim me koleget Safet Zhulali, Spartak Topollaj, Mirush Mati, Bexhet Shehu, Gjyzel Hasani, Kamber Farruku, etj. Me krijimin në vitin 2015 të “Shoqatës Bulqiza” Lutfi Hanku u zgjodh President i kësaj shoqate ku për kontributin e tij të çmuar për aktivitetet e shoqatës dhe për ecurinë e botimit të gazetës “Bulqiza” profesor Lutfiu është nderuar me titullin “Nderi i Shoqatës Bulqiza”. Lutfi Hanku kudo punoj e jetoj me urtësi e dashuri që nuk do ta harrojmë.

Lutfiu ishte krenar për familjen e tij, për dy vajzat mësuese Kozeta dhe Amarda, për nipërit e mbesat, që i qëndruan pranë dhe e mbështetën me shumë dashuri në jetën e tij modeste në Peshkopi dhe në Tiranë. Sëmundja dhe problemet e moshës e munduan Lutfiun, që na mungoi në tavolina e aktivitete këto dy vitet e fundit, por urtësinë e mençurinë e tij nuk do ta harrojmë.

Ndarja e tij nga jeta ishte një humbje e madhe për familjen, të afërmit e shokët e tij të shumtë. Kryesia e “Shoqatës Bulqiza” do organizojë në vijimësi akademi përkujtimore kushtuar këti dishepulloi të dijes, këtij personaliteti të ndritur të arsimit, letrave dhe kulturës! Sepse puna dhe vepra e tij mbeten të paharruara në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që e njohën e punuan me këtë njeri që do të na mungojë por që do ta kujtojmë me shumë dashuri e respekt dhe nuk do ta harrojmë.