Ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare Dr.Sabri Toska mjeku i shquar e i paharruar i Bulqizës

307

Lamtumirë miku e shoku ynë Sabri Toska! Do të kujtojmë me shumë respekt e dashuri ashtu siç ishe i përkushtuar e i dashtur në punë e shoqëri

Me dt 29 tetor 2023 mësuam me hidhërim të thellë nga njoftimi I familjarëve, se ka ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë në moshën 83-vjeçare mjeku i bulqizakëve, Sabri Toska. Ai ka lindur në mars të vitit 1940 në fshatin Valikardhë, të Bashkisë Bulqizë dhe ishte njëri nga katër fëmijët e Hasan Toskës. I ati i tij Hasani, ishte një njeri i thjeshtë dhe punëtor që lindi dhe rriti fëmijë të edukuar dhe të shkolluar. Sabriu shkollimin bazë e kreu në vitet 1947-1954 në Zerqan. Vazhdoj studimet në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë të cilin e përfundon në vitin 1958 me rezultate të larta dhe emërohet si ndihmës mjek në spitalin e Shupenzës ku punoj dy muaj dhe shkon në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë të cilin e përfundon në vitin 1964 me rezultate shumë të mira dhe ishte njëri nga studentët më të mirë.
Në shtator të vitit 1964, Sabriu emërohet si mjek epidemiolog në qytetin e Peshkopisë, ku mbulonte të gjitha problemet epidemologjike të rrethit Dibër dhe në shkurt të vitit 1966, doktor Sabriu transferohet në spitalin e Shupenzës si mjek i përgjithshëm, për një vit e gjysmë, deri në shtator të vitit 1968. Në shtator 1969 ai transferohet në spitalin e Bulqizës si mjek i përgjithshëm dhe në vitin 1978 ai nis specializimin si mjek obsteter- gjinekolog deri në vitin 1981, duke u kompletuar me këtë specializim që e ushtroj për shumë vite, nga janari i vitit 1981 e deri në vitin 2007, pranë spitalit të Bulqizës, ku mbuloi të gjitha rastet e specialitetit të tij si dhe rastet e urgjencave kirurgjikale bashkë me kirurgët kolegë për mjekimet e traumave nga aksidentet që ndodhnin në minierën e kromit të Bulqizës.
Në spitalin e Bulqizës dr. Sabri Toska, dha një kontribut të paharruar për kujdesin ndaj nënave e bebeve të tyre në sigurimin e jetës. Duke qenë në çdo kohë e rast pranë të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë. Dr.Sabriu vazhdoj të punoj edhe pasi mbushi moshën e pensionit, pasi nevoja e atij qyteti dhe dashuria për njerëzit e bënë atë që të mos ndërpresë punën edhe kur familja e tij ishte vendosur me banim në Tiranë, doktori bënte më të mirën në shërbim të bashkëqytetarëve të tij, veçanërisht të porsalindurve që vinin në jetë. Për fat të keq, një aksident rrugor që i ndodhi në Tiranë pësoj dëmtime të rënda që e bënë invalid dhe nuk mundi më të ushtroj profesionin human të mjekut pranë qytetarëve të Bulqizës. Dr.Sabriu vitet e fundit i kaloj nën kujdesin e vazhdueshëm të familjes së tij shembullore, të bashkëshortes e fëmijëve. Ai me punën e sjelljen e tij mbetet në kujtesën e çdo bulqizaku, nga të gjithë fshatrat e më gjerë, që ruajnë respekt për punën e tij humane e mirësjelljen në shoqëri.
Puna dhe vepra e tij mbeten të paharruara në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që e njohën e punuan me këtë njeri që do të na mungojë, por që do ta kujtojmë me shumë dashuri e respekt për punën e kujtimet e bukura që ka lënë.
Miku ynë Sabri Toska ishte krenar për familjen e tij, bashkëshorten Habibe dhe fëmijët e tij Ilirin, e dy vajzat, për nipërit e mbesat, që i qëndruan pranë dhe e mbështetën me shumë dashuri në jetën e tij modeste në Bulqizë dhe në Tiranë. Do të na mungoi, por urtësinë e mençurinë e tij i kemi në mendje e nuk do ta harrojmë. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, të afërmit, shokët e miqtë e tij. Kryesia e “Shoqatës Bulqiza” shpreh ngushëllime familjes, bashkëshortes Habibe, fëmijëve të tij e gjithë familjarëve, të afërmve e kolegëve të të ndjerit, Zoti ju dhëntë durim të tejkaloni dhimbjen! Lamtumirë miku e shoku ynë i dashtur Sabri Toska! Do të kujtojmë me shumë respekt e dashuri ashtu siç ishe i mënçur e i dashtur në familje, në punë e shoqëri.
Shpirti i tij u prehtë i qetë në parajsë dhe i qoftë dheu i lehtë! Të rrojnë e ta kujtojnë familja, të afërmit dhe të gjithë miqtë e tij!
Pregatiti: Bashkim Lami
29 tetor 2023