“LANÇ në Dibër”, vepër dinjitoze në fondin e letërsisë sonë dokumentare

933

Halil Rama

“LANÇ në Dibër” është padyshim ndër veprat më të arrira të publicistit, poetit e shkrimtarit, tashmë të mirënjohur Sakip Cami, duke mbushur kështu vaakumin e krijuar për një nga periudhat më të lavdishme të historisë së Shqipërisë. Ky libër që do të promovohet më 24 Nëntor 2019, ora 11 në një nga sallat e Muzeut Historik Konbëtar, i botuar në vigjilje të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatori nazifashist, hyn me dinjitet në fondin e artë të letërsisë dokumentare.
Nëse i madhi, Prof.dr.Kristo Frashëri na la si trashëgimi veprën shumëdimensionale “Historia e Dibrës” nga lashtësia deri më 1939 (të cilën, ndoshta nga pamundësia moshore, apo nga ndikime të jashtme njerëzore, nuk arriti ta çojë më tej në periudhat e mëpasme historike), ashtu si dhe historiani ynë i shquar Moisi Murra, historinë e pesë viteve të okupimit nazifashist dhe të luftës së paepur kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij merr përsipër ta ndriçojë me fakte dhe argumente Sakip Cami.
Kur nisi punën për këtë vepër, duke e patur mik e bashkëpunëtor të ngushtë prej më shumë se tri dekada, miqësisht i thashë: “Kam besim të plotë në punën tuaj studimore, por shmangiu sa më shumë interpretimeve!”.
Por kur e përfundoi së shkruari dhe ma dha për redaktim, konstatova me kënaqësi kontributin e vyer të z.Cami për një vepër tejet dinjotoze.
“LANÇ në Dibër” është libri që hedh dritë për ngjarje e fakte të mbetura disi në errësirë, ose të shtrembëruara qëllimisht e të pasyqruara si të tilla nga historiografia e viteve të para ‘90-tës.
Në katër kapitujt e librit jepen detaje dhe fakte të panjohura për veçoritë e LANÇ në Dibër dhe në Dibër të Madhe, për formacionet luftarake dhe luftimet e zhvilluara, për heronjtë dhe dëshmorët sidhe lista e dëshmorëve të Dibrës sipas Arkivit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në tërësinë e fakteve dhe humbjeve të panumërta në njerëz dhe në materiale të një Evrope që u shkatërrua tërësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, S.Cami evidenton ato që ndodhën në Dibër.
Përmes faktesh të pamohuara, duke u ndalur veçmas në përcaktimin e kufijve kohorë të kësaj Lufte (Kufirin kohor e përcaktojnë ardhja dhe largimi i pushtuesve që është 7 prilli i vitit 1939 dhe ikja e tyre më 28 nëntor 1944) autori i kësaj vepre rendit ngjarjet në mënyrë kronologjike.
Brenda këtij kufiri kohor evidenton ngjarje dhe fakte, ku padyshim përveç tiparit çlirimtar të kësaj lufte që është determinant, nënvizon edhe tiparet e një lufte që u bë për pushtet, (që kurrësesi nuk mund të konsiderohet luftë civile) por pa e zbehur kështu tiparin e saj kryesor, atë çlirimtar e liridashës.
Mjaftojnë këto fakte për t’u bindur në konkluzionin se edhe në Dibër periudha e Luftës së II-të Botërore rezulton si periudha e konfliktit ushtarak më të përgjithshëm e më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit, për të shuar sa më shumë jetë njerëzish si dhe për të shkatërruar sa më tepër vlera materiale, kulturore, etnografike, historike, e të tjera, të krijuara nga brezat njerëzorë ndër shekuj.
Sakip Cami këtë e bën më së miri nëpërmjet historisë së çetave luftarake (Të Dibrës e të Gollobordës), duke u ndalur veçmas tek Lufta kundër fashistëve italianë në Dibër; Lufta kundër nazistëve gjermanë në Dibër si dhe tek Lufta e njësive të mëdha partizane.
Ky është një kontribut i vyer i këtij autori, pasi sië shprehet prof.dr.Bernard Zotaj në parathënien e librit, “…dibranët duan të mësojnë dhe ta njohin sa më mirë e deri në fund të vërtetën për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Dibër. Njëkohësisht kjo etapë madhore e historisë, siç ishte antifashizmi shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, duhet njohur, studiuar, respektuar dhe nderuar nga të gjithë me madhështinë e saj.Libri me dokumenta na çon në të vërteta historike të ndodhura në ato kohëra, sepse historia është ajo që ka ndodhur dhe kurrë nuk mund të mendohet si ajo mund të ndodhte me sikur, siç bëhet në këto vite të demokracisë. Historia është realiteti i kohës dhe nuk mund të themi kështu apo ashtu, e që nuk ndodhi, siç e mendojmë sot.
Autori i ka vendosur vetes për detyrë që nëpërmjet historisë të kësaj epoke të ndodhur në Dibër, të mësojmë që të ecim përpara dhe jo të kthehemi pas, duke harxhuar të gjitha energjitë se ishte apo s’ishte luftë civile, u veprua drejt apo shtrembër nga të gjitha forcat politike dhe ushtarake të kohës. Në këtë kontekst të mos harrojmë dhe thënien e akademikut Moikom Zeqo që ka theksuar se “të mos harrojmë se ne shqiptarët e bëjmë historinë, por jo jashtë historisë evropiane dhe botërore. Askush nuk mund të na shfajësojë ose të na justifikojë. Historia ka folur, çështja ka përfunduar!”.
Thënë më shkurt dhe qartë se kjo, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një histori e mbyllur me fitimtarë, duam apo nuk duam. Kjo histori na bërtet dhe çirret duke thënë më lexoni dhe më shkruani siç janë dokumentet që fatmirësisht janë të shumta nga “ne”, “ata” dhe “atyre” që na u ndodhën pranë në luftë”. Sipas prof.Zotaj “Përmes këtij libri autori sjell ndihmesën e tij në trajtimin e plotë dhe mbi baza dokumentare të njërës prej zonave më të veçanta e më të mëdha si Dibra, për kohën kur veproi, duke sjellë njëherësh dhe një ndihmesë të çmuar në fushën e Historisë Ushtarake Shqiptare. Autori është përpjekur dhe i’a ka arritur të rindërtojë të plotë imazhin e kësaj zone luftarake, me veçoritë e veta dalluese si në organizim ashtu edhe në veprimtarinë e dendur luftarake, pa lënë jashtë trajtese edhe rolin e spikatur të saj, si një burim njerëzor për ngritjen e çetave, batalioneve dhe të brigadës sulmuese.
Në punim, për herë të parë jepet e tërë skema e veçantë organizative, e plotësuar tashmë dhe me të dhënat për drejtuesit kryesor, si dhe me dukuritë e risitë e veprimtarisë luftarake të njësive që vepruan në Dibër. Madje aty sillen në mënyrë të plotë mjaft të dhëna e statistika përmbi formacionet ekzistuese para krijimit dhe të tjerave që u formuan më pas, gjatë veprimtarisë së luftës”.
Analizën e veprës e ka bërë në mënyrë të hollësishme prof.dr.Bernard Zotaj në parathënien e saj, por unë dua të përçoj tek lexuesi mesazhin e domosdoshmërisë së pasurimit të bibliotekës së tij me këtë libër që zë vend të veçantë në fondin e historiografisë sonë të viteve 40-të të shekullit të kaluar. Kjo edhe pë faktin se nga mënyra dhe stili i veçantë i të të shkruarit, faktet dhe analizat që sjell, “LANÇ në Dibër” është një vepër që pasuron dukshëm fondin e letërsisë sonë dokumentare.