“Udhëtim ndër vite në trevat etnike shqiptare të Maqedonisë”

163

– Një publikim dinjitoz i studiuesit Ymer Keta

NGA DR. ADRIATIK BALLA

Ymer Keta, i bërë i njohur me botimet e tij sidomos në lemën e historisë, por edhe botime të tjera me karakter kulturor e letrar, ka botuar së fundmi një libër ku përmbledh shënime historike dhe që e ka titulluar “Udhëtim ndër vite në trevat etnike shqiptare të Maqedonisë”. Ky libër vjen si vazhdimësi e botimeve të mëparshme të autorit për shënimet historike që i ka ndërthurur me literaturën historike si dhe përmbledhjet e udhëtimeve të tij në trevat shqiptare të Çamërisë, Kosovës e Malit të Zi. Në këtë libër ne nuk njihemi thjesht me faktet historike të kësaj treve të rëndësishme shqiptare, ku jetojnë sot gati 900 mijë shqiptarë, por nëpërmjet metodave të përzgjedhura me kujdes dhe krahasimet e ndryshme, por edhe faktet e mbledhura direkt nga terreni dhe të vendosura në një kontekst historik të mëparshëm dhe aktual, autori na jep një pasqyrë të qartë të situatës në Maqedoninë e Veriut dhe vendit që kishin e kanë shqiptarët si popullatë autoktone shtetformuese.
Libri, i ardhur me parathënie nga publicisti dhe gazetari i njohur Abdurrahim Ashiku, i përmbledhur në 280 faqe, na dëshmon një përpjekje serioze të autorit, një analizë faktesh mjaft interesante dhe dëshmi të rralla e autentike nga mbledhja e informacionit në kohë të ndryshme, veçmas dhe nga koha aktuale, ku situata e shqiptarëve në Maqedoni duhet të kishte përparuar shumë më tepër pas marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001. Autori në këtë libër ka dashur me vetëdije që të kujtohet jo thjesht si një studiues, por edhe si një udhëtues që lë dëshmi nga prekja e fakteve në terren, e në këtë kuadër ai ngjan kështu me Durhamin, Hanin, Nopçën, e shumë figura të tjera të respektuara europiane që kanë lënë gjurmë në trajtimin e çështjes shqiptare në tërësi. Ymer Keta e nis librin me ngjarjet historike nga antikiteti, duke zgjedhur materialet më të vlefshme e të mirëbesueshme dhe vijon pandërprerë deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe mbetjen jashtë kufinjve të saj të një pjese të madhe të territorit, përfshi dhe Maqedoninë.
Në këtë fazë të fundit të Perandorisë Osmane dhe sulmit të fqinjëve ballkanikë ndaj trojeve shqiptare, pjesa shqiptare në Maqedoni bëhet arenë luftimesh dhe masakrash të padëgjuara, ku popullata shqiptare detyrohet të shpërngulet me forcë drejt Turqisë (kryesisht), ndërkohë që pushtuesi kujdeset të vendosë një pushtet të egër e zaptues me kolonë dhe aparat shtetëror enkas për të asimiluar, shpërngulur, dhunuar e vrarë shqiptarët.
Në pjesën e dytë të librit, autori na jep një pasqyrë të situatës së sotme në Maqedoninë e Veriut, si shtet i pavarur. Në hapat e parë ky shtet nuk i respektonte aspak të drejtat e shqiptarëve, por pas daljes në skenë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe luftimeve të ashpra në vitet 2000-2001, Maqedonia detyrohet të ulet në tavolinë dhe të firmosë marrëveshjen e Ohrit që u jep shqiptarëve të drejta vendimmarrëse. Që nga ai moment shumë gjëra kanë ecur përpara, por marrëveshja nuk është zbatuar në përputhje me frymën dhe zotimet e saj.
Ende sot shqiptarët në Maqedoni kanë probleme të identitetit, atyre nuk u jepen të drejta të plota dhe zonat shqiptare nuk marrin investime në proporcion me përqindjen që kanë në Maqedoni. Duke afruar informacion dokumentar, por edhe prekje nga afër të realitetit, Keta na sjell detaje tronditëse sesi pushteti maqedonas bën çmos t’i lërë shqiptarët qytetarë të dorës së dytë dhe këta të fundit, pra vetë shqiptarët, të përçarë nga politika, nuk arrijnë të përfitojnë dhe të kërkojnë të drejtat që u takojnë.
Në këtë pjesë autori na jep një pasqyrë të qartë të rajoneve shqiptare edhe në planin gjeografik, duke u fokusuar sidomos tek gjeografia e popullsisë dhe vendbanimeve, si Tetovës, Kërçovës, Gostivarit, Kumanovës, Shkupit, Dibrës, Koxhaxhikut e Rekës, Manastirit, Velesit, Ohrit dhe Strugës, Prilepit, etj. Marrëveshja e Ohrit e 13 shtatorit 2001 solli një hapësirë të re për shqiptarët, por lidershipi shqiptar në Maqedoni nuk ka ditur të shkojë në të njëjtën vijë me aspiratat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ende pushteti sllavo-maqedon i konsideron shqiptarët një minoritet, ndërkohë që shqiptarët në Maqedoni janë komb autokton shtetëformues. Autori, nëpërmjet udhëtimeve të tij, duke bërë krahasime edhe me dokumentet mbi situatën demografike në këtë vend, arrin në konkluzionin që shqiptarët janë 45%. Por ai ndjen keqardhje që nga frika akoma shumë shqiptarë nuk deklarohen të tillë dhe për këtë bën përgjegjës klasën politike shqiptare në Maqedoni. Në këtë botim autori nuk ka lënë jashtë vëmendjes figurat kryesore historike të Maqedonisë shqiptare, nga antikiteti e deri në ditët tona.
Intuita, përvoja, niveli i informacionit, njohja me organizimin administrativ e politik të këtij shteti dhe pozitën e shqiptarëve në këtë shtet, e kanë bërë autorin të na japë një libër me vlerë, që do t’u shërbejë shumë historianëve shqiptarë në të gjitha trojet por edhe lexuesve të shumtë. Në fund, po përcjellim pak rreshta nga parathënia e librit shkruar nga publicisti Abdurrahim Ashiku: “Ai (autori) udhëton, fotografon, vëzhgon, interviston, sjell eksperienca, analizon e përgjithëson ngjarje dhe dukuri, duke na ofruar mënyra interesante këndvështrimi të problemeve. Autori na sjell fakte të bollshme dhe ka treguar aftësi si një intelektual i vullnetshëm, i përkushtuar për të grumbulluar informacione në shumë drejtime”.
Duket qartë se autori ka sjellë në libër gjëra me vlerë, për një nga trevat shqiptare më në zë, ku ende sot problemet e shqiptarëve si pasojë e persekutimit dhe arrogancës sistematike sllavo-maqedone ndihen jo plotësisht të lirë.
Ky konstatim i autorit merr më shumë vlerë nga intervistat e bëra, vizitat në institucione, analiza e fakteve në nivel politiko-administrativ etj. Ymer Keta mund të konsiderohet madje si autori i parë nga Shqipëria që bën një studim të këtyre përmasave për zonën shqiptare në Maqedoni, me një analizë të hollë të bazuar mbi metodologji të njohura e të besueshme. Ndaj, autorit i urojmë suksese për këtë prurje të re të rëndësishme!