Stomatologjia në Shqipëri nga lashtësia deri në ditët tona

444

Vështrimi analitik historik i shërbimit stomatologjik, vepër me vlera shkencore e Prof. as. Nazmi Koçit

• Akademik, prof. dr. SHABAN SINANI: “Besoj se duke shkruar këtë libër Nazmi koçi, profesor, mjek, njeri i shërbimit, ia ka arritur të realizojë atë që latinët e shprehnin me një idiomë të mirënjohur: Corona opus finis – t’i vësh veprës kurorë”

Halil Rama-Mjeshtër i Madh

“Një libër diturie, një libër shërbimi, një libër përvoje, një libër në shërbim universitar”. Qoftë dhe vetëm nga ky vlerësim i akademik prof. dr. Shaban Sinanit, gjithkush do të bëhej kureshtar për të lexuar dy vëllimet e veprës voluminoze (në dy libra) të Prof. as. Nazmi Koçit “Stomatologjia në Shqipëri nga lashtësia deri në ditët tona”(vështrim historik). Sepse siç shkruan akademiku i mirënjohur Sinani në parathënien e vëllimit të parë të kësaj vepre: “Stomatologjia në Shqipëri (nga lashtësia deri në ditët tona) është strukturuar sipas një mënyre bashkëkohore, duke ndërthurur metodoligjikisht parimin e periudhizimit (kronoligjisë) dhe parimin tematologjik. Thënë më shkurt, sistematik e tematik njëherësh, shenjë tjetër paralajmëruese se në vijim do të kemi rastin të takohemi me njeriun e dijes dhe jo thejsht të kujtimeve profesionale, të cilat, sado të bukura të jenë, kanë për shoqërim atë pyetyjen djallëzore të thënies së të vërtetës”.
Po. Këtë rast e patën qindra profesionistë dhe jo të profilit të Dr.Koçit në promovimin e veprës së tij, organizuar nga Akademia e Shkencëve të RSH, ku personalitete të fushës si prof.dr. Fejzi Keraj, prof. as. Erda Qorri, Prof. dr. Pavli Kongo, rektor i Albania University, Brunilda Koçi (redaktore shkencore), etj, vlerësuan veç të tjerash pasionin, vizionin dhe kapacitetin intelektual e dimensionin njerëzor të dr.Nazmi Koçit për realizimin e këtij misioni tepër të rëndësishëm kombëtar, në fushën e dentistrisë.
Është vërtetë një vepër studimore shkencore, ku si askush tjetër Prof. as. Nazmi Koçi sjell për lexuesin një historik të shkurtër të stomatologjisë në botë (Lindja dhe zhvillimi i stomatologjisë si shkencë që nga periudha parahistorike deri tek themelimi i universiteteve dhe futja e teksteve dentare.)
Në mënyrë kronologjike, por me argumente shkencore, në vëllimin e parë të kësaj vepre autori na njeh me stomatologjinë shqiptare nga lashtësia deri te shpallja e pavarëisë (1912) dhe në vijim sipas etapapave kohore: 1912-1944; 1944-1948; 1948-1993, ku sjell fakte e shembuj referuar mendimeve të specialistit para një shekulli si dhe për organizimin e shërbimit stomatologjik ndër vite.
Prof. as. Erda Qorri, në analizën e saj të hollësishme (në emër të Komisionit të Mjeksisë të Akademisë së Shkencave), ndër të tjera tha se rëndësia e kësaj vepre konsiston në faktin se për herë të parë lexuesit i bëhet e ditur nga nga ky libër, se dentisti i parë shqiptar është shkodrani Hasan Kaduku, i cili ushtronte këtë profesion që nga viti 1896, ndërsa dentistja e parë ka qenë Theodita Naçi në Tiranë. Po ashtu, – vijoi Prof. as. Erda Qorri, i bëhet e ditur lexuesit se një Federatë e parë shqiptare e dentistëve daton që në vitin 1931, me kryetar elbasanlliun Qemal Bobrati, dhe kjo 19 vjet pas shpalljes së pavaraësisë së Shqipërisë, ose 31 vjet më vonë se themelimi i vetë Federatës Botërore dentare.
“Zakonisht thuhet se niveli i zhvillimit të shoqërisë përcaktohet prej kujdesit shëndetësor apo kulturës së shëndetit oral, dhe për këtë, të dhënat e sjella nga autori i kësaj vepre na bëjnë të shohim realitetin e asaj periudhe, e cila me sa duket, bazuar në raporte e botime artikujsh të dentistëve, paraqesin ekspertiza dhe thirrje për shtimin e vëmendjes në këtë aspekt, duke sjellë kështu fakte reale të situatës, ashtu siç ajo ka qenë”, vlerëson prof.Erda Qorri.
Ky produkt studimor shkencor i një rëndësie të veçantë, i vjen lexuesit dhe veçanërisht personelit të klinikave të shumta dentare në Tiranë e rrethe si dhe pedagogëve e studentëve të fakulteteve përkatëse, nëpërmjet një bibliografie mjaftë të pasur dhe konkretisht: 39 tituj bibliografikë të autorëve të mirënjohur botërorë dhe vendas si dhe ligje e vendime që i përkasin fushës, për pjesën e parë; 29 që i përkasin pjesës së dytë të veprës; 34 për pjesën e tretë dhe 391 në pjesën e katërt. Po ashtu, në listën e gjatë të figurave gjejmë jo vetëm babain e dentistrisë Perre Fauchard por edhe poltronin dentar kinez dhe dhjetra klinika dentare të njohura të vendit e botës.

STRUKTURA KOMPOZICIONALE DHE RËNDËSIA E VEPRËS
Pothujse me të njetën strukturë kompozicionale është edhe vëllimi i dytë i kësaj vepre me gjashtë kapituj: Disa veçori të shërbimit stomatologjik shqiptar; Arsimi i lartë mjeksor stomatologjik në Shqipëri; Literatura mjeksore stomatologjike; arkitektët e stomatologjisë shqiptare; Institucionet menaxhuese të Shërbimit Stomatologjik në Shqipëri dhe Stomatologjia sot dhe e ardhmja e saj.
Ndaj dhe me të drejtë prof. dr. Fejzi Keraj e konsideron këtë një libër historik profesional e shkencor me shumë vlera dhe si i tillë duhet të jetë pjesë e programit të studimit për të gjitha fakultetet e stomatologjisë. Kjo sipas tij për faktin se “Vepra në dy vëllime e këtij autori e sjell të plotë portretin e stomatologjisë shqiptare deri në ditët tona; ajo përfaqëson një material studimor e bibliografik me vlera të rralla në literaturën mjeksore shqiptare”.
Vetë autori Prof. as. Dr. Nazmi Koçi pohon se në këtë libër rindertohet historia e fillimeve të stomatologjisë si shërbim me status ligjor, megjithëse kufijtë e periudhizimit janë marrë prej historiografisë politike-shtetërore, merr kuptim theksimi i faktit të kalimit prej subjektivitetit profesional në subjektivitetin ligjor, me marrjen e përgjegjësisë nga shteti dhe krijimin e disa kushteve që mundësojnë kalimin prej disiplinave në nëndisiplina.
Prof.Koçi thotë se botimi i Librit u zgjat në kohë për disa arsye.
“Mendimi për ta realizuar këtë punim u publikua në vitin 2018, por puna për realizimin e tij kishte filluar që në vitin 2003, ndërsa në pesë vitet e fundit kam punuar çdo ditë intensivist, kam fjetur e jam zgjuar me këtë problem. Pati diskutime për shtrirjen kohore të trajtimit, u bënë propozime që punimi të fillonte që nga viti 1944; Pati diskutime për titullin dhe u bënë disa propozime si: Historik, Vështrim historik, Zhvillimi i stomatologjisë etj. Unë e mbrojta në parim argumentin që historia e popullit tonë është shumë e lashtë e nuk fillon me 1944. Preferova të mos bëj një historik klasik për stomatologjinë në Shqipëri, por një portret sa më të plotë të saj”, pohon dr.Koçi. Kjo sipas tij për faktin se “Stomatologjia është e vjetër si shërbim sa vetë njerëzimi, por është e re si shkencë më vete. Ajo ka ecur nëpër shekuj e mijëvjeçarë sëbashku me shkencat tjera. Të dhënat për stomatologjinë duhen kërkuar në dokumentet e shkencave tjera si mjeksia e përgjitheshme, arkeologjia, historia, shkencat e natyrës, antropologjia, në epitafet e varreve, veprat e artit, në folklor etj. Kjo më detyroi të deklaroj para kolegëve në një takim, kur ata u interesuan për ecurinë e punimit, se ‘Në malet e Afrikës ka diamante, por për t’i nxjerrë ata duhet të shembësh malin”.
Po. Prof. as. Dr. Nazmi Koçi , me përvojën, përkushtimin dhe vendosmërinë arriti t’i zbulojë të fshehtat e këtij “mali” për sa i përket zhvillimit të stomatologjisë në shekuj, dekada e vite. Duke kërkuar grumbulloi një material prej dhjetra mijëra faqesh, me prefernëcn për të mos anashkaluar dokumente e fakte, duke ju dhënë kështu një shans dokumenteve në prag asgjesimi. Dhe këtë e bëri sipas parimit në punën e mjekut : “jepi një shans të jetoje”. Kësaj i sherbeu dhe fakti se kishte njohje të detajuar të mëparshme të problemeve të stomatologjisë dhe kësisoj arriti të na japë një panoramë, portret të Stomatologjisë, në mos ezaurues, sa më përfaqësues e të plotë.

PAK RADHË PËR AUTORIN DHE VEPRËN E TIJ VOLUMINOZE
NË DY VËLLIME ME 1040 FAQE
Prof. as.Nazmi Koçi kishte të gjithë staturën e duhur për këtë sipërmarrje të vështirë dhe delikate. Dr.Nazmi Koçi që ka lindur në Dibër më 17.04.1947, me një karrierë të shkëlqyer profesionale dhe akademike, kishte pasionin, vizionin dhe kapacitetin intelektual për realizimin e këtij misioni tepër të rëndësishëm kombëtar në fushën e dentistrisë.
Dr.Nazmiu, si ish – Shef i Shëndetësisë në Dibër, ish – drejtues i stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe më vonë i asaj të kryeqytetit për disa vite, pedagog në disa shkolla të larta të profilit të stomatologjisë, autor tekstesh e studimesh shkencore, që ka realizuar më shumë se 140 publikime brenda e jashtë vendit, ekspert i arsimit të lartë në këtë fushë pranë Ministrisë së Arsimit dhe ASCAL, kishte njohjen dhe kompetencën për një spërmarrje të tillë voluminoze. Pra, dr. Nazmi Koçi kishte të gjithë kapacitetet njohëse për këtë shërbim si rrallëkush nga kolegët e profesionit tonë. Ai kishte kohë që kishte filluar të merrej me një punim të tillë dhe kishte botuar disa materiale mbi problemet e organizimit të shërbimit në fushën e stomatologjisë.
Ndaj dhe me të drejtë prof. as. Erda Qorri konludon se Dr. Nazmi Koçi sjell një libër i cili do tí shërbejë çdo stomatologu të njohë rrugëtimin e profesionit të zgjedhur. Madje kjo vepër përbën një aset që mund të përdoret nga pedagogët në auditoret e universiteteve për të prezantuar zanalillat e lashta që ka ky profesion në vendin tonë , ashtu sikurse në vendet tjera të botës, pjesë e së cilës kemi qenë dhe jemi edhe ne, si dhe dinamikën e zhvillimit deri në ditët tona.
Në tërësinë e saj, vepra e Prof. as. Nazmi Koçit “Stomatologjia në Shqipëri nga lashtësia deri në ditët tona” (vështrim historik), në dy vëllime me 1040 faqe, (e promovuar para disa ditësh nga Akademia e Shkencave të RSH) përbën një kontribut të çmuar, jo vetëm për dentistrinë shqiptare por edhe më gjerë. Kjo edhe për faktin se deri më sot mungonte një dokument i tillë në arkivat dhe bibliotekat shqiptare.