Dërgesat e Halil Ramës në “panairin” e vlerave

223

Korpusi i veprave të tij renditet në kohë për të ardhur tek botimi më i fundit me publiçistikë letrare “Të fitosh titullin Njeri”

• Nuk mund të lihej jashtë “Të meritosh titullin njeri” as historia e zhvillimeve shumëvjeçare në minierën e kromit Bulqizë. Ky rajon dhe banorët e tij kanë fytyrë e zë tashmë kudo në botë. Në përfocim të këtij zëri, në qartësim të portretit dhe kontributit të Bulqizës autori ndalet dhe pasqyron në libër vlerat e një filmi, pikërisht të dokumentarit të Ylli Pepos “…E nderit është nënëtoka e Bulqizës…” Pasi e lexon këtë reportazh thua me plot gojën: vërtet Bulqiza e meriton titullin “njeri” sepse ajo, si një gjallesë, ka pulsuar në gjithë ato vite duke prodhuar edhe krom edhe qytetërim e, për fat të keq, pak, shumë pak mirëqenje

Prof. dr. Gafur MUKA

24 dërgesa të Halil Ramës janë vendosur tashme në stendat e “panairit” të vlerave. Si publicist e si shkrimtar Halil Rama rend e mbledh informacion, vlerson e gjykon ngjarje e ndodhi, formulon ide e jep mesazhe, vizaton portete e kompozon tablo aktuale e historike, të kondensuara në aksion e të rrafshuara në përmbajtje, ku lexuesi gjithmonë rrethohet nga një mjedis dinamik me narrativë të qartë e të qetë, për të përjetuar gjithëçfarë autori kërkon të përcjellë tek ai. Nuk pretendoj se jam një njohës i tejetejshëm i krijimtarisë së Halil Ramës por, në gjithë çfarë kam lexuar- filluar me artikujt e tij në shtypin e përditshëm apo atë periodik e vazhduar me botimet si libra të veçantë të krijimtarisë së tij- gjej krijuesin e angazhuar, gjithonë në kërkim, gjithmonë të gatshëm për të hedhur në letër atë që i dikton njohja e tij me material jetësor e historik dhe frymëzimi, i mbarsur më së pari me dashuri njerzore dhe i shprehur me mjeshtëri të veçantë. Këto përfundime nxirren duke lexuar monografitë letrare të tij për Dine Hoxhën e Muharrem Xhedikun, Rrahman Përllakun, Liri Belishovën, Bajram Ndreun, Lutfi Ndreun, Skënder Calën etj. Me spektër të gjerë pasqyrimi portretesh e ngjarjesh, me analiza bindëse e reflektime variacionale janë shkruar “Fundi i Rrugës së vetme”, “Testamenti i atdhedashurisë”, “Memoria historike e kombit”, “Në panteonin e vlerave” etj. Një vend të veçantë në krijimtarinë e Halil Ramës zë libri kushtuar vendlindjes së tij “MUHURRI-Histori dhe personalitete”. I gjithë ky korpus veprash renditet në kohë për të ardhur tek botimi më i fundit me publiçistikë letrare “Të fitosh titullin Njeri”. Pa e lexuar akoma librin, autori të intrigon me titullin dhe të tundon fort për ta lexuar. “Të fitosh titullin Njeri”…nuk di pse më erdhi në mendje një tregim nga pjesët e leximeve në tekstet shkollore, ku flitej për marrdhëniet e një babai me të birin e tij. Babai ish i moshuar ndërsa i biri ishte i pasjellshëm, rrugaç, agresiv e mizor. Babai përpiqej ta sillte të birin në rrugë të mbarë, por ai e përkeqësonte sjelljen e tij nga dita në ditë sa i ati, zemërplasur i thonte “ti nuk ke për t’u bërë kurrë njeri”. Dhe erdhi një moment kur djali e braktisi të atin. Fati e çoi në frontin e luftës, atje ku gjithë karakteri i tij i deformuar i hyri në punë. Duke luftuar si egërsirë, duke kryer mizori e duke mos kursyer kërrkënd, pleq gra e fëmijë, ai arrit të fitonte beteja dhe ta gradohej, derisa një ditë u shpall mbret. Tashmë si mbret ai mendonte se e fitoi betejën edhe ndaj të atit. Kështu një ditë porositi ushtarët e tij të shkonin e ta gjenin plakun e t’ia sillnin atij të lidhur. Ushtarët e zbatuan urdhërin e mbretit dhe plaku përfundoi i lidhur këmbë e duar përpara fronit të të birit. Nuk më njeh kush jam- foli mbreti. Jo iu përgjigj plaku. Unë jam yt bir-tha mbreti dhe vazhdoi: jam ai që ti thoje nuk ke për tu bërë kurrë njeri. Ja tani unë jam mbret. Po, mor po, mbret je bërë por njeri nuk je bërë dhe as ke për t’u bërë-tha plaku.
Tek “Të fitosh titullin njeri” e Halil Ramës, nuk ka as baba të braktisur e të dhunuar as djalë që dhunon e braktis. Tek ky libër, personazhet e pjesës së parë “Ambasadorë të Paqes” janë njerëz me vlera shumë të spikatura profesionale. Ata kanë arritur lartësi të tilla, ku tek vlera profesionale ngjizet natyrshëm e dukshëm vlera njerzore. Dhe këto të dyja sintetizohen në modele për tu marrë shembull. Kështu një ushtarake, Manushaqe Shehu fiton, si e para femër shqiptare, gradën gjeneralmajor dhe mbetet e respektuar tek vartësit e saj. Një mjek si Ali Tonuzi përkushtohet për t’u shërbyer pacientëve dhe fiton gjithë respektin dhe mirnjohjen e tyre. Një stamatolog si Sali Kurti u gjendet pranë pacientëve të tij dhe, me punë të palodhur e profesionalizëm arrin të jetë i suksesshëm në mjekimin e tyre. Personazhe jetësorë, interesantë, të përkushtuar, të sukseshëm dhe të dashur janë po ashtu pjanisti Justin Gjata, biznesmeni, President i Ansamblit “Hazis Ndreu”, mjeshtri i madh Muharrem Gjoka, historiani dhe kulturologu Hysen Dervishi etj.
Me mjaft interes për lexuesin është portretizimi i familjes Domi nga Cereni i Kalasë së Dodës. 101 të shkolluarit e kësaj familje janë model i punës e përkushtimit kudo ku ata militojnë. Në rrëfimin për Domët autori shpalos cilësi e vyrtyte mbresëlënëse brezash duke filluar me Harun Domin, sjellësin e abetareve në një krahinë si Luma, “të cilat u përhapën dorë më dorë dhe u bënë pishtarë drite për shqiptarët …”, duke vazhduar me djemtë e tij, Shefqetin e Xhemalin më tej me Tajarin, Naimin, Nuriun, Përparimin, Jakupin, Mimozën, Resulin, Mahmudijen, Bashkimin, Dëfrimin, Lavdrimin, Maslien…Ky rrëfim për një familje me vlera të veçanta-shtrirë në 100 vjet kohë- ngjall tek lexuesi respekt e simpati, duke nxitur njëkohësisht dëshirën për të krijuar vlera të tilla familjare në dobi të vetes, të zonës e më tej edhe të vendit.
Personazhet e kësaj pjese të librit, Halil Rama nuk i takon rastësisht. Ata ai i gjen në një moment kur kontributi i tyre shpërblehet me një titull, që mund ta fitosh kur ke merituar më parë titullin njeri, titullin “Ambasador i Paqes”.
Në kreun e dytë, autori paraqet tema historike, të cilat atë e kanë inspiruar dhe frymëzuar me vlerat shumëdimensionale të tyre dhe, për këtë arsye e gjen me interes t’ia përcjellë lexuesit të tij. Një inspirim të tillë i ka dhënë libri i studiuesit, gazetarit e shkrimtarit Fatos Daci “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër” i cili, mbështetur në fakte e ngjarje si dhe në përcaktime të historianëve e studiuesve bashkëkohës ka arritur në konkluzionin se “Skënderbeu është nga Sina e Dibrës”. Këtë konkluzion e vulosin edhe dokumentat origjinale të arkivave turke të bëra publike kohët e fundit.
Për autorin Halil Rama kjo gjetje është një kontribut për historinë dhe konfirmim i një të vërtete të shumëdiskutuar në vite.
Shkrimi për Ahmet Fetah Camin është kronologji e një jete kushtuar mbrotjes së interesave jetike të vendit. Portretizimi që i bën autori e lidh figurën e tij me ngjarje që kërkojnë angazhim patriotik dhe guxim luftëtari. Ai e vendos besnikërisht Ahmet Camin në mjediset ku ai e kreu aktivitetin e tij, në përgjigje të kërkesave të kohës-Luftën e Parë Botërore dheLuftën e dytë Botërore. Në të parën ai ishte luftëtar në rradhët e njësive të kohës kundër forcave serbobullgare ndërsa në të dytën komandant i çetës së Gollobordës në luftën kundër pushtimit fashist të vendit. Halil Rama është kujdesur të na e japë të plotë gjithë aktivitetin e këtij luftëtari të dalë nga gjiri i një familjeje patriotike. Për lexuesin e “Të fitosh titullin njeri” paraqitja e aktivitetit të një atdhetari e luftëtari si Ahmet Cani nuk ka vetëm vlera njohëse por edhe vlera në kuadrin e një edukimi atdhetar të brezave në trojet shqiptare.
Një vend të veçantë në këtë libër ze edhe reportazhi “Dibra e Madhe dhe Diaspora” ku autori shenjon vlera patriotike e atdhetare të kësaj krahine në zhvillimet e veçanta historike të saj. Me penelata të shpejta por domethënëse, Halil Rama paraqet kuadrin e ngjarjeve pikante të krahinës së Dibrës dhe ndalet në respektimin e vlerave historike të saj, posaçërisht në edukimin e brezave me traditat kulturore e patriotike të trevës. Në libër jepet një ngjarje festive si koncerti i madh festiv i 18 gushtit 2023 me një repertor të larmishëm, me këngë, valle e humor ku pjesmarrja e një numri të madh të dibranëve nga diaspora, por jo vetëm, shijuan artin që buron nga vendlindja e tyre dhe që fytyrëzon tradita që kurrë nuk harrohen.
Nuk mund të lihej jashtë “Të meritosh titullin njeri” as historia e zhvillimeve shumëvjeçare në minierën e kromit Bulqizë. Ky rajon dhe banorët e tij kanë fytyrë e zë tashmë kudo në botë. Në përfocim të këtij zëri, në qartësim të portretit dhe kontributit të Bulqizës autori ndalet dhe pasqyron në libër vlerat e një filmi, pikërisht të dokumentarit të Ylli Pepos “…E nderit është nënëtoka e Bulqizës…” Pasi e lexon këtë reportazh thua me plot gojën: vërtet Bulqiza e meriton titullin “njeri” sepse ajo, si një gjallesë, ka pulsuar në gjithë ato vite duke prodhuar edhe krom edhe qytetërim e, për fat të keq, pak, shumë pak mirëqenje.
Reportazhi “Përkujdesje për moshën e tretë” ka edhe veçanësi tematike edhe veçanësi stilistike. Tema e trajtimit të moshës së tretë është delikate për nga përmbajtja dhe e vështirë për nga realizimi. Por Halil Rama duke marrë shkas nga festa e organizuar më 1 tetor 2023, që njihet si Dita Botërore e të Moshuarve, evidenton aktivitetin e Qendrës Rezidenciale “Strehë dhe Shpresë” në Tiranë nën drejtimin e Shoqatës humanitare “Kuka”, ku kalojnë ditët e moshës së tretë 116 të moshuar. Autori nuk ndalet vetëm në pasqyrimin e aktiviteteve të larmishme të kësaj dite por i bën të njohur lexuesit të tij trajtimin e të moshuarve në këtë qendër. Ai gjen që drejtimi që ofron shoqata “Kuka” dhe cilësia e shërbimeve janë vërtet për tu marrë shembull, çfarë do të bënte që mosha e tretë kudo në Shqipëri të kishte cilësi jetesë në standarde të larta humanitare.
Në kreun e tretë “Personalitete të krenarisë kombëtare” portetizohen me vërtetësi figura të tilla që kanë punuar e kanë jetuar për të frymëzuar brezat edhe për sot edhe për nesër. Rrahman Parllaku, një personalitet mjaft i dashur për autorin por edhe me vlera tejet të spikatura për vendin, hap serinë e trajtimit të personaliteteve që përfshihen në këtë pjesë. Në vazhdim jepet potreti i Klodian Tanushit, që humbi jetën si komandant Kontingjenti në misionet ndërkombëtare dhe si përfaqësues i lartë i ushtrisë sonë në bazën e NATO-s në Letoni, për tu jetësuar përgjithmonë në emrin e një shkolle, ku brezat e nxënësve do thonë me krenari: unë kam mësuar në shkollën “Klodian Tanushi”. Personaliteti i rradhës është prof. Dr. Skënder Kodra, puna dhe arritjet e të cilit, si personalitet dhe faktor i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në Amerikë kanë ndikuar në forcimin dhe lartësimin e vazhdueshëm të arsimit dhe edukimit Shqiptar.
Në rradhën e personaliteteve të përfshira në këtë libër janë edhe mjeku Fatos Hoxha, mësuesi në pension Skënder Murrja si dhe intelektuali Halit Berisha, portretet e të cilëve në këtë libër, po ashtu janë dhënë me vërtetësi e dashuri nga autori.
Në kreun e fundit janë përfshirë “Shënimet për librat”. Në këtë pjesë Halil Rama analizon dhe vlerson romanet “Brenga e Prokurorit” të Ahmet Prençit, “Covid 1984” të Namik Dokles, librin “Beteja për 20%” të Ardit Bidos, romanin “Hirushja Pellazge” të Astrit Gjunkshit, librin me poezi të Alban Balës “Orët e shtëpisë”, përmbledhjen “Vargje poetike nëpër kohë pakotësie” të Xhevat Limanit, romanin “Djali që urrente Femrat” të Meri Mezinit, librin “Kohë e artë për Pehlivanët” të Irfan Dashit, librat e Selman Mëziut, librin monografik të Bibë Kazës dhe librin “Fjalë të arta mbi Shkëlzen” të Moza Reçit-Shehi.
Në përfundim për librin “Të fitosh titullin njeri”, si libri i 24 i autorit Halil Rama, thuhet me plot gojën, që ai zë një vend krejt të veçantë në publicistikën shqiptare dhe është një dërgesë speciale për “panairin” e vlerave krijuese.