MJEKU YNË I VEÇANTË

12

Prof. Dr. GAFUR MUKA

 

Në këtë “Akademi Përkujtimore” kushtuar mjekut të shquar prof.dr.Ahmet Kamberit ndjehem shumë i nderuar, të përzgjedh nga jeta dhe vepra e tij disa veti, disa cilësi dhe disa momente që e portretizojnë dr. Ahmetin si një mjek të veçantë.

 

  • Bota e Temlës dhe bota e librit

Ahmet Kamberi u lind në fshatin Peladhi. Ky fshat është vendosur në prehër të malit të Temlës dhe shtrihet deri në buzë të zallit të Bulqizës. Qysh fëmijë ai e njohu “Botën e Temlës” duke bërë punë fshati. Në një intervistë dhënë TVSH, ndër të tjera, thotë që “qysh fëmijë kam kullotur shqerrat”. Po si nisi ta njohë botën e librit Ahmet Kamberi? Shkollën fillore e bëri në fshatin Godvi, pasi Peladhia atëmot nuk kishte shkollë. Djaloshi, që në kohën e lirë kulloste shqerrat dhe e treste vështrimin përpjetë Temlës, tashmë si nxënës e ngulte vështrimin mbi librat dhe e vendoste dorën mbi letrën e bardhë të fletoreve. Ahmet Kamberi nuk ka lënë shënime apo kujtime të cilësuara për vitet e shkollës 7-vjeçare, të cilën e filloi në Zerqan dhe e vazhdoi e përfundoi në Shkodër tek shkolla “Ndoc Mazi”, i akomoduar në konviktin “Tom Kola”. Në këtë kohë fillon të hedhë hapat e parë në botën e librit. E ndërsa botës se Temlës ia njihte kufinjtë fizikë, bota e leximit zgjerohej e zgjerohej…Po ku ishin kufijtë e saj? Për të marrë një përgjigje për këtë pyetje, ai vazhdoi rrugëtimin nëpër klasa e auditore, nëpër librari e biblioteka, gjithkund në shoqërinë e librit, gjithkund me bindjen se “dija të bën të lirë” dhe të krijon të ardhme.

  • Bota e Temlës dhe bota e librit

Ahmet Kamberi u lind në fshatin Peladhi. Ky fshat është vendosur në prehër të malit të Temlës dhe shtrihet deri në buzë të zallit të Bulqizës. Qysh fëmijë ai e njohu “Botën e Temlës” duke bërë punë fshati. Në një intervistë dhënë TVSH, ndër të tjera, thotë që “qysh fëmijë kam kullotur shqerrat”. Po si nisi ta njohë botën e librit Ahmet Kamberi? Shkollën fillore e bëri në fshatin Godvi, pasi Peladhia atëmot nuk kishte shkollë. Djaloshi, që në kohën e lirë kulloste shqerrat dhe e treste vështrimin përpjetë Temlës, tashmë si nxënës e ngulte vështrimin mbi librat dhe e vendoste dorën mbi letrën e bardhë të fletoreve. Ahmet Kamberi nuk ka lënë shënime apo kujtime të cilësuara për vitet e shkollës 7-vjeçare, të cilën e filloi në Zerqan dhe e vazhdoi e përfundoi në Shkodër tek shkolla “Ndoc Mazi”, i akomoduar në konviktin “Tom Kola”. Në këtë kohë fillon të hedhë hapat e parë në botën e librit. E ndërsa botës se Temlës ia njihte kufinjtë fizikë, bota e leximit zgjerohej e zgjerohej…Po ku ishin kufijtë e saj? Për të marrë një përgjigje për këtë pyetje, ai vazhdoi rrugëtimin nëpër klasa e auditore, nëpër librari e biblioteka, gjithkund në shoqërinë e librit, gjithkund me bindjen se “dija të bën të lirë” dhe të krijon të ardhme.

  • Përse studjoi për mjeksi

 

 

 

Pas arsimit 7 vjeçar Ahmet Kamberi vazhdoi me frekuentimin e arsimit të mesëm në “Politeknikumin Mjeksor” në Tiranë. Në intervistën e cituar tek RTSH ai nuk tregon ndonjë episod të veçantë nga kjo periudhë veç një bisede me dajën e tij, në përgjigje të pyetjes nëse ishte i vendosur për të studiuar mjeksi edhe duke e ditur që tek ai do të vinin njerëz vetëm duke qarë. Përgjigja: po, dhe unë për këtë po studioj mjeksi që të ndihmoj njerzit” tregon, që ai tashmë pasionin për librin do ta sendërtonte edhe si pasion për literaturën mjeksore. Po çfarë rezultatesh arriti ai në vitet e Politeknikumit? Edhe pse nuk kemi dëshmi për këtë, fakti që atij iu dha bursë për studime jashtë vendit, tregon që rezultatet kanë qenë shumë të mira.

  • Shpresë, zhgënjim, vendosmëri dhe rezultate

Vetëm 2 muaj punoi si ndihmësmjek dhe pastaj u nominua që të fillonte studimet në Universitetin Zemellëeiss në Budapest. Por studimet u ndërprenë akoma pa filluar. Shkakun e ndërprerjes së studimeve në këtë universitet, vetë dr. Ahmeti e shpjegon edhe në librin e tij me tregime “Shif e shkruaj”, botuar fill pas vdekjes. Në tregimin me titull “Ditët e vështira të Tetor-Nëntorit 1956 në Budapest” studenti Ahmet Kamberi  përshkruan me detaje gjithë çfarë i panë sytë dhe gjithë çfarë i mbeti në mendje nga ajo periudhë e vështirë për popullin hungarez.

Siç del nga ky tregim por edhe nga sjellja e tij pas kthimit në atdhe, Ahmet Kamberi nuk e përjetoi ngjarjen si një shans i humbur për të shijuar jetën jashtë vendit apo si një rast i humbur për studimet e tij. Me gjithë rekomandimin për të pritur një shans të dytë për të vazhduar studimet jashtë, Ahmet Kamberi u regjistrua po atë vit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

  1. Bilanc arritjesh në spitalin e Peshkopisë

Periudha e studimeve 1956-1961 i dha mundësinë doktorit të ardhshëm të lexonte, mësonte e praktikonte njohuritë profesionale për t’u bërë mjek. Në atë periudhë emërimet në profesion bëheshin jo duke vlerësuar rezultatet në mësime por sipas parimit “atje ku ka nevojë atdheu”. Në zbatim të këtij parimi Ahmet Kamberi, pas përfundimi të studimeve, u emërua në spitalin e Peshkopisë. Në kujtimet e tij ai shkruan:” Menjëherë pas diplomimit si mjek i përgjithshëm u emërova në spitalin e Peshkopisë, në pavionin e sëmundjeve të brendshme”. Vini re, ai shkruan “pas diplomimit” dhe jo “pas përfundimit të studimeve”! Pse? Sepse Ahmet Kamberi ka vendosur t’i vazhdojë studimet. Në kujtimet e tij ai shkruan : “ Për shkak të punës shumë intensive dhe me larmi të gjerë rastesh (në spitalin e Peshkopisë) u poqa shpejt si mjek. Pata mundësinë që të siguroja librat më të mirë amerikanë të kohës për mjekësinë klinike dhe kardiologjinë”. Në këto pak rreshta shquhen dy cilësi të doktor Ahmetit: Pasioni për të lexuar e mësuar në profesionin e tij dhe njohja e gjuhës angleze që ia mundësonte realizimin e këtij pasioni. Ai shkruan: “ qysh në vitin 1962 (një vit pas emërimit) isha abonuar në Revistën mjekësore Britanike “British Medical Journal”. Dhe ku? Në një qytet periferik si Peshkopia, ku joshja për të frekuentuar kafenetë “me raki e fërnet” ishte vështirë e përballueshme. Por Ahmet Kamberi frekuentonte librarinë e qytetit, ku porosiste literaturë mjekësore. Për doktorin e ri, njëra anë ishte përditësimi i dijeve nëpërmjet leximit sistematik, ana tjetër ishte vënia në shërbim të pacientëve e këtyre dijeve. Për punën në spitalin e Peshkopisë ai shkruan:” Pata gjithashtu mundësi të vë në zbatim metoda të reja mjekimi, të cilat nuk përdoreshin tjetërkund atëherë në Shqipëri”. Dhe erdhi dita që i gjithë ky aktivitet studimor e aplikues ta çonte natyrshëm mjekun e ri tek specializimi pranë Spitalit Klinik Nr. 1, Tiranë. Në periudhën 2 vjeçare 1967-1969 Ahmet Kamberi u specializua për sëmundjet e brendshme (patologjinë). Pas specializimit ai rikthehet në Spitalin e Peshkopisë, tashmë i certifikuar si specialist. Por mendja e doktor Ahmetit “kulloste” edhe në parcela të tjera ku ai mendonte se ishte i dobishëm për pacientët e tij. Dhe “parcela” që atij i ofronte “oreks” të mirë, ishte ajo e kardiologjisë. Pa e shmangur detyrimin si patolog, ndihmuar për këtë edhe nga një koleg i tij, Ahmet Kamberi, i hyri punës për të vënë në shërbim të pacientëve me sëmundje të zemrës një elektrokardiograf, tip i vjetër, të cilin e “rinoi” dhe e vuri në përdorim për diagnozimin dhe kurimin e pacientëve.

  1. Mjek i klinikës speciale

Gjithë arritjet e tij në Spitalin e Peshkopisë nuk mund të iknin pa lënë gjurmë e pa rënë në sy. Pikërisht pse ndodhi kështu, në vitin 1971, mjeku Ahmet Kamberi emërohet në  Klinikën Speciale në Tiranë. Punën në këtë klinikë e fillon si kardiolog. Në vështrimin nga jashtë, ky vend pune atëkohë vlerësohej si i privilegjuar. Mjek i Klikës Speciale? Sa fat paska pasur! Po çfarë mendon dr. Ahmeti? Ai e shihte këtë si një përgjegjësi të madhe, të cilën ishte i bindur që do ta përballonte me atë që ai e quan “guxim klinik”, burimi i të cilit ishte po parimi i tij “Dija të bën të lirë dhe të krijon të ardhme”.

 

  1. Mjeku i veçantë tek pacienti i veçantë

6 marsi i vitit 1976 e gjen Ahmet Kamberin si mjek të veçantë pranë një “Pacienti të veçantë”. Shërbimin si mjek i Enver Hoxhës ai e vazhdoi deri në 11 prillin e vitit 1985, duke u angazhuar edhe si kardiolog, edhe si diabetolog, edhe si patolog në plotësim të të gjitha kërkesave për një shërbim të tillë. Gjatë kësaj periudhe ai ishte pjesë e ekipit mjekësor të Enver Hoxhës, krahas emrave shumë të shquar të mjekësisë shqiptare si Llambi Ziçishti, Petrit Gaçe, Nikolla Shurbani, Fejzi Hoxha, Hajro Shyti, Isuf Kalo, Ylli Popa, Ali Ajlushani, Sabit Broka dhe Arben Fino.

Në përfundim të këtij angazhimi, mjeku Ahmet Kamberi, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për t’u rritur profesionalisht, ka fituar tashmë aftësi të tilla, që e lartësojnë atë jo vetëm në nivelin e një mjeku nga më të mirët në vend por edhe të një mjeku me reputacion ndërkombëtar.

  1. Si koleg midis profesorësh edhe jashtë vendit

Janë me mjaft interes vlerësimet që i janë bërë doktor Ahmet Kamberit, nga mjekë të shquar suedezë e francezë gjatë specializimeve të tij afatshkurtra në shërbimet mjekësore të këtyre vendeve. Në vlersimmet e tyre ai certefikohet si mjeku me “njohuri bazë shumë të mira në fiziologjinë e qarkullimit të gjakut dhe në kardiologjinë klinike” i cili, “brenda një kohe shumë të shkurtër hyri si një anëtar i grupit të mjekëve që trajtonin pacientët kardiakë ” (Citim i certifikatës së lëshuar nga Spitali “Sant G-joro”, nënshkruar nga Shefi i Departamentit të Mjekësisë), apo si mjeku që “është çmuar shumë nga gjithsecili (është fjala për personelin mjekësor të shërbimit të diabetologjisë në Spitalin e famshëm Hotel-Djë të Parisit) për kompetencën e tij, mirësjelljen dhe vetëdijen e tij profesionale” (Citim i certifikatës së lëshuar nga prof. Zhorzh Çobrucki, Shef i Shërbimit të Diabetologjisë në Hotel-Djë), apo si mjeku i “integruar plotësisht në jetën e shërbimit (është fjala për Shërbimin e Kardiologjisë të Spitalit Bysiko, Paris) të cilit i ka dhënë një ndihmë të dobishme, të përkushtuar dhe miqësore” (Citim i certifikatës së lëshuar nga prof. Agrezhe Zhan Ge, Shef i Shërbimit të Kardiologjisë në këtë spital).

Vlerësimet e këtyre personaliteteve nuk ishin “fjalë të bukura”, por konkluzione të specialistëve që “fjalën e bukur” nuk kishte “burrë nëne” t’ua nxirrte nga goja pa e merituar.

  1. Studjo, guxo, eksperimento dhe shëro.

I tërë aktiviteti realizues i Ahmet Kamberit mendoj se bazohet tek parimi i “Guximit Klinik”. Në intervistën për RTSH ai shpjegon çfarë kupton me guxim klinik kur thotë: një guxim që e përjashton aventurën dhe sendërton dijen, e cila fitohet nëpërmjet studimit të vazhdueshëm dhe është e detyrueshme për të ecur përpara.

Kontributet e dr. Ahmetit në këtë drejtim janë të shumta dhe shumë të dobishme. Por këtu po mjaftohemi të përmendim 2 prej tyre:

Kontributin në krijimin e “Kabinetit të Provës Ushtrimore” në shërbimin e kardiologjisë pranë Spitalit Klinik Nr.1 në Tiranë, i cili funksionoi mbi bazën e protokollit dhe metodikës së tij si dhe  zbatimin e provës ushtrimore edhe te të sëmurët me infarkt akut miokardi të pandërlikuar në javën e tretë të sëmundjes.

 

  1. Ahmet Kamberi nuk ishte as modest, as mburravec

Një miku im, ish ambasador, që e ka njohur dr. Ahmetin, pasi lexoi librin “Pacienti ynë i veçantë” më tha: “Është i vërtetë në gjithë çfarë shkruan por… mund të ishte pak më modest”. Çfarë do të thotë të jesh modest kur je i vërtetë-iu përgjigja. E vërteta e përjashton si modestinë ashtu edhe mburravecërinë.

Dhe Ahmet Kamberi ishte dhe mbetet i vërtetë në gjithë aktivitetet edhe si shkencëtar edhe si kliniçist.  Dëshmi për këtë është një volum prej 90 publikimesh si dhe 5 protokolle e metodika shkencore në praktikën klinike e kërkimore të Shërbimit Kardiologjik.

Ai ishte dhe mbetet i vërtetë në angazhimet e shumta të tij ku përmendim angazhimin si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, si themelues i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë dhe President i saj, si themelues i Revistës Shqiptare të Kardiologjisë dhe Kryeredaktor i saj, si anëtar i Shoqatës  Europiane të Kardiologjisë dhe koordinator i saj për Shqipërinë etj.

I vërtetë, i vëmendshëm dhe skrupuloz ka qenë doktor Ahmeti edhe në diagnozimin dhe mjekimin e mijëra e mijëra pacientëve që i drejtoheshin klinikës së tij gjatë kohës që shërbeu në shërbimin privat.

Natyrisht nuk është e mundur ta paraqesësh gjithë kontributin e mjekut të shquar prof. dr. Ahmet Kamberit në një kushtesë, sido që të jetë ajo. Kontributi i tij është ngjizur në kohë me gjithë relievin e përpjekjeve dhe arritjeve, është bërë pjesë e kujtesës së pacientëve të tij me respektin e mirënjohjen për të, është bërë libër i hapur për të gjithë kolegët dhe studentët e mjekësisë, është bërë e do të jetë një referencë e pashmangshme në zhvillimet e shkencës mjekësore jo vetëm shqiptare.

Nderimi për figurën dhe personalitetin e tij nuk është detyrë, ai është më shumë se kaq.