Ka ca amanete…

483

Cikël poetik nga Barie Çupi

Ka ca kujtime…

Ka ca kujtime…
në sofrën e qiellit ku shtrohen mijëra yje,
më merr atje me vete më tha vendi im,
në tespih numërom’hallet, lotët bërë nyje,
stuhi, plagë e faje, kurrgjë në këmbim.

Ka ca amanete…

vizatomë mes reve m’u lut’vendlindja ime,
mos m’i zgjo të vdekurit, gjith’moshë e brishtë,
barku bosh m’ka mbet, truri gjuhë e mpime,
djersë e muskuj shita, dhe këmishën e mishtë.

Ka ende fletë…

këpus hapin duke marrë e dhënë k’to përgjigje,
shi e breshër prap, brenda meje ëmbëlsohen,
m’je dhimt’ftohur ernash, qyteti im pa shtigje,
sa më larg që iki, aq më tepër të afrohem.

Ku ndodhet….?

Restot e natës si boçe errësirash të paçelura,
ndërsa hëna lëshon thërrime dritash të latuara,
sërish në zgjim meditojmë copëza endrrash të pafjetura,
Ku ndodhet Zoti,
a egzistojnë të thënat e sajuara?

Meditim

Mëngjesi më brofi,në këmbë i çarmatosur ,
kafeja memece, u shfajësua variacionesh,
rrugët e lagështa, siç’muzikë e brengosur,
i dhash’leje vetes, shqita syt’leksionesh.

S’jam un’e para, as vështrim’i fundit,
që fijet e bisedës, i lidhi me veten,
mbulojat e ngjyrosura, koha na i shkundi,
të djeshmet mbi lëkurë, gërmash na rreken.

Kush e thotë këtë, veçse të gjithë,
ç’ledhatime pakuptuar,jetës ia mohuam,
me mirësjellje kujtesa, pret të na i zgjidhë,
me një kthinë gjurme, dertet nuk mbaruan.

Nën sqetull ç’pikëpyetje, mbajm’pandehur,
në ç’skaj të trurit, gjith’nervozat e shpejta,
ç’njerëz kishim dje, sa pak na kan’mbetur,
stinësh përplasur, zhbirojmë tek e vërteta.

Përtej reve

Mes reve të pafsha më thanë,
pol më pol u hodha, mbusha fletën e bardhë,
kanosja e frikës s’më trembi asnjëherë,
një këngë gjinkalle, më tha udha’mbarë.

Kur kafshimi i fjalëve, më shtypte zërin,
ëndrrat e gjata,mbi buzë u mavijosën,
barkçjerrë koha, më kallzoi për iluzionet,
sa një sumbull, gjokset m’u mblodhën.

Kur tjetri të shtyn, përtej reve ka diell,
më mjafton një rreze, të ngroh’baltën time,
në strofulla librash, fsheha shi e breshër,
mes meje e zotave, gërhimat e stuhive.

Kaluan dallëndyshet, hëna dhe gjurmët,
gulçimet e jetës,si një klithmë e ngjirur,
monopatesh malore, piva ujin e freskët,
u shartova degësh, por rrënjësh jam rritur.

Jetë universale

Ditë pas dite,
qielli blu, deti blu,
unë kujtime thyej, e ca i ruaj kuturu.

Dielli s’më llastoi, as s’më përkëdheli,
koha më shtyu, drejt mjegullës gri,
tokë e lagur shpirti, si pasqyrë mbeti,
në çdo nyje një hije, si erë a si shi.

Natë pas nate,
heshtja më çoi tutje,
veç zëra më tunden, e më ikin në zhdukje.

Hëna nuk më qeshi, as e imët, as e plotë,
as humbur, as fituar, zemra m’është kopsitë,
ca grimca lotësh, rënë ngamos përtokë,
në çdo shteg një mall, e prek në çdo muzikë.

Bota pafund botë
e sërish viti,vit
thonjsh poezia, më ka heq e më ka shkit’,

Toka m’i varrosi, gjith’mëritë nën këmbë,
në paqe përtypem, prej orësh të dal,
krejt lehtë udhëtoj e nuk ndihem rëndë,
dëfrejnë pikëpyetjet, rrugëtim universal.

Për një kuptim…

Kurmi’të tokës shpërthejn’sythe lotësh,
shuhen e ndizen zjarre hakmarrjesh,
mrizi i ëndrrave, psherëtin harresash,
në mendime primitive, koka përplasjesh.

O frymë e gjallë e botës njerëzore,
oqean shtrat’tharë, i kohës moderne,
uraganesh shpirtërore, mëshiroju Perëndisë,
mëngjesesh me diell, zgjohu kujtese.

Rrëmbe një çast e duaje jetën,
o dorë e djegur, në prushin e të marrit,
endacak shkretëtirash, në ethe trishtimi,
mos u hapëro, por qasu prej mëkatit.

Më zbriti universi mua lajmëtare,
të rebelohem për zemrat, helmuar pabesie,
të përflakem qiejsh, sa shumë fytyra,
të shuaj etjen, në gjokse mirësie.

Ndalesa udhëkryqesh, jam’shteguar jetës
më mjafton,sot lodhem për një kuptim,
në don të dish, në ç’tempuj pulsoj,
e quaj ditëlindje, çdo ditë e çdo agim.

Unë qesh

Unë qesh…
dhe pse buzëqeshjen ma grisën disa herë,
dhe pse dhëmbët shpesh kërcasin e buzët më janë ngrirë,
ca shkarpa fjalësh m’i marrin mend’të,
kur lot dielli e përkëdhelet në të gdhirë.

Unë qesh…
dhe pse m’i thyen e m’i shqyen të gjitha ëndrrat,
e me to ndërtuan tërkuza, gardhe,mure,
të kacavirrem,kam kurajo, ma ka ënda,
gjemba, ferra,rrëpirash çjerrë lëkure.

Unë qesh…
dhe kur dita shkon buzë gremine,
se i dal para, i hap krahët dhe e mbaj,
m’janë tretur kockat,sa goditje e lëndime,
arnoj rrugën veç për zemrën që të mos qajë.

Unë qesh…
edhe kur ora ecën mbrapa,
e gjithë shpresën ma ndal koha,
gjej një shteg e ngacmoj hapat,
ngjis pasqyrat, bërë fare,copa- copa.

Unë qesh…
dhe kur më thuret lëmsh krejt fryma,
dhe kundërmon aromë e heshtjes,
çarë lëvozhge, shpërthej ashpër sikur rryma,
ulet jeta e nuk vdes në duart e vdekjes.

Unë qesh…
dhe pse bora ngrin në vargje e rrin patretur,
e kur rrëzohem mbyllur sysh në udhëkryq,
e fsheh mallin e përkëdhel avujt e çmendur,
dhe fytyrës elegancën nuk ia ngrys.

Unë qesh…
dhe kur krahët ndiej këputur e thyer bërrylash,
e dikush pamëshirë shkel fort mbi to,
mbytem, shtypem, prap çdo çasti ia çel sythat,
rënkoj nën brinjë, e nuk qaj por qesh me lot.

Trysni për ekzistencë

Kur zgjohen heshtjet,
i rrok’gjurmët nata,
murmurit’errësira përgjumur zgjidhjesh të pakta,
hëna bukë e thyer
përkulet mendjesh, që s’din’të qetësohen,
përsëritur pik’pyetjesh, përgjigjet si bisha tërbohen.

Kem’rënë në çark ngatërruar kohërash t’mpihta,
jem’rrit’krejt dukshëm përdorur nga frika,
trysni për egzistencë,
por natyra zemërgjërë, në çdo erë na jep shpresë.

Veç kur zgjohet shpirti,
lot e vërteta e jetës,
dielli toka, uj’i jepen lindjes e qëndresës,
ndaloj papritur,
me syrin zbrazur n’kraharorin e nënës sime,
ku cek’brinjësh dashurin’, n’çdo grimë e thërrime.

Tjera fjalë bëhen kurth,
pakuptuar ngren’kala,
në mos past’ndalesë, ka derë e hata,
dhe emrat më t’pavdekshëm, prap një ditë do jen’varre,
përtej dalë kafazit, të mbyllim luftën e madhe

E vërteta pa emër

Jam veç një pasqyrim,
një sfidë me raunde të pastra si im atë,
gjithçka më duket pjerrtas në lëkurë,
unë që të vërtetës, si vura emër kurrë.

Im atë kish sy, pas shpinës kur i gjuanin,
grackash s’i ngecën hapat asnjëherë,
duelet të nesërmen, po njësoj s’i mendonte,
ma vizatoi rrugën, para se të shkonte.

Çengelave të kohës vara nervat e mia,
përsysh e pafund lidh e zgjidh sa fjalë,
pa tokë,pa hise, pa kullë e pa lagje,
hijesh së largu, ndez thëngjij’në vargje.

Çdo fije zjarri e urtësoj me buzëqeshje,
dëgjesë e fortesë veç zërin e tim eti,
kafenë e nxehtë prite që të ftohet,
pa kaluar errësirën, drita nuk ofrohet.

Asnjë pupël mjegulle nuk rri në një vend,
hyn ftohtë luginash e del e zvogëluar,
jem’thyer akujsh, nga tërbimi i jetës,
më thosh’qartë im’atë, vëri emër t’vërtetës.