“Më mirë të daltë syri se të të daltë boja!

616

Njëherë një korb i bardhë u ly me bojë të zezë, duke u bërë korb i zi dhe iku nga tufa e korbave të bardhë, në tufën me korba të zinj.
Korbat e bardhë e vunë re se ishin një më pak,po nuk e bënë veten. Korbat e zinj e panë se ishin më shumë se më parë. Madje, ishte midis tyre një korb i çuditshëm, me një ngjyrë pak më ndryshe se ato,që lëshohej si i përftuar në të ngrënë dhe sillej ndryshe në krahasim me to.
Por ,një ditë ra një shi i rrëmbyer dhe korbit të lyer me bojë ia hoqi bojën, duke e lënë të pullinxhur dhe shumë të bajatshëm. Korbat e zinj, të inatosur nisën ta çukisin me sqep duke e bërë përveç se të pullinxhur, edhe korb rjepç.
Mezi shpejtoi gjallë nga çukitjet e tyre. Shkoi dhe ,duke menduar se i ishte hequr boja, u fut midis korbave të bardhë…Por korbat e bardhë e njohën dhe të inatosur me të për tradhëtinë që u kishte bërë, filluan ta çukisin edhe ato me sqep. Mezi shpëtoi dhe prej tyre. Mbeti as te tufa e korbave të bardhë,as të të zinjtë. Duke qenë i vetëm e zuri dhelpra, po edhe ajo e lëshoi se ky korb i bajatshëm, as i bardhë,as i zi,i dalë bojët kishte shije të keqe.
-Ah si e pësova, -tha korbi,-duke u lyer me bojë dhe duke më dalë boja!
Me këtë korbat e tjerë mësuan se nuk duhet të lyheshin me bojë për t’u dukur ndryshe seç janë dhe për të tradhëtuar grupin e tyre dhe as t’i nxirrnin bojën vetës. Që atëhere mbeti urim-mallkimi: “Më mire të daltë syri se të të daltë boja!
Agim DEMIRI