Dibranët përulen me besim dhe dashuri ndaj komunitetit tiranas

884

Prof.Dr.Bujar KAPEXHIU – Nderi i Kombit

• Me një eksod masiv, popullsia e Dibrës së Madhe, më 20 shtator të vitit 1913, do të dëbohej nga genocidi serb. E prej kësaj treve, duke ecur ditë dhe natë më këmbë, ata arritën gjer në Tiranë. Pikërisht prej këtij rrugëtimi të mundimshëm, nga këta njerëz të dëbuar, ne i quajmë: muhaxhirët dibranë. Do të ishte kryetari i parë i Tiranës, Zyber Hallulli, i cili së bashku me parinë tiranase do të dilte në Shkallën e Tujanit, me lot në sy, me bukë, ujë dhe zemër, të priste dibranët e sfilitur nga genocidi sllav.

 

Është kjo forcë e veçantë e mikëpritjes që karakterizon Tiranën tonë, e cila na pranoi, por dhe na vlerësoi.

Paraardhësit tanë, tiranas e dibranë, para 100 vjetësh u mblodhën së bashku për të festuar Tiranën kryeqytet.
Pra, 100 vjet nga ajo ditë e shënuar që ky truall u quajt kryeqyteti i Shqipërisë. Sa punë, sa mund, sakrifica e përpjekje, sa figura të shquara tiranase e dibrane janë skalitur në historikun e këtij kryeqyteti në këta 100 vjet. Dhe ne sot mbas 100 vjetësh, përsëri jem së bashku, në këtë sallë (të Teatrit Kombëtar) me vlera historike, artistike e kulturore, për të përkujtuar besën e të parëve tanë, bashkëpunimin, miqësinë e patriotizmin e tyre. Duke nderuar të parët, në radhë të parë nderon veten dhe unë vetë ndiej krenari, ashtu si të gjithë ju, për ata që menduan, punuan e dhanë me pasion e ndershmëri gjithçka që kishin të shtrenjtë e të shenjtë, për dinjitetin dhe prosperitetin e kryeqytetit të tyre. Dhe ja ku jemi sot. Kemi ç’të kujtojmë. Kemi shumë. Jam i sigurt që një event i tillë është i pamjaftueshëm për të përmbledhur e paraqitur madhështinë e këtyre figurave të paharruara. Prandaj ky vit është caktuar viti i Tiranës, viti i 100 vjetorit të kryeqytetit.
Me një eksod masiv, popullsia e Dibrës së Madhe, më 20 shtator të vitit 1913, do të dëbohej nga genocidi serb. E prej kësaj treve, duke ecur ditë dhe natë më këmbë, ata arritën gjer në Tiranë. Pikërisht prej këtij rrugëtimi të mundimshëm, nga këta njerëz të dëbuar, ne i quajmë: muhaxhirët dibranë.
Do të ishte kryetari i parë i Tiranës, Zyber Hallulli, i cili së bashku me parinë tiranase do të dilte në Shkallën e Tujanit, me lot në sy, me bukë, ujë dhe zemër, të priste dibranët e sfilitur nga genocidi sllav. Është kjo forcë e veçantë e mikëpritjes që karakterizon Tiranën tonë, e cila na pranoi, por dhe na vlerësoi.
Nga komuniteti ynë dibran kanë dalë disa kryetarë bashkie dhe prefektë, duke filluar nga personalitete si Qamil Pepa, Rexhep Jella, Izet Shatku, Ali Erebara, Edlira Haxhiymeri, Jashar Mezenxhiu dhe i fundit dibran Lulzim Basha.
Dibranët e Tiranës, mbi 107 vjet në Tiranë, nuk e kanë harruar kurrë mikëpritjen bujare dhe bamirëse të tiranasve, e cila shkon më tej duke shkëmbyer dhe lidhje famijare me njëri-tjetrin.
Ashtu siç e kemi të shprehur në Kushtetutë harmoninë fetare, si pjesë e panteonit të vlerave universale që karakterizon kombin tonë, ne dibranët sot përulemi me besim dhe dashuri ndaj komunitetit tiranas, i cili na hapi dyert jo vetëm një herë por disa herë; jo vetëm për ne të komunitetit dibran të Tiranës, por edhe gjatë eksodit çam, tosk e më në fund edhe atij geg.
Tradita e miqësisë, bashkëpunimit, bashkëjetesës midis qytetarëve autoktonë tiranas dhe qytetarëve dibranë të ardhur vite më parë, i kalon të 100 vjetët, por sot të dy komunitetet së bashku festojnë 100 vjet si kryeqytetas.
Sot nuk më duket e tepërt, por e saktë, ne të gjithëve tiranas e dibranë na lejohet që gjatë këtij viti, kur dikush të na pyesë nga jeni zotëri, me mburrje, ose siç thonë tironsit me tangërllik, të themi: jemi kryeqytetas!
Shoqata “Bashkësia Dibrane” e ndien për detyrë morale, që ashtu siç t’i përulemi Perëndisë, t’i përulemi me respekt dhe emocion komunitetit të nderuar tiranas. Faleminderit e ju jemi përjetë mirënjohës!