TANI MË SHUMË MOBILIZIM OPOZITAR

999

EDMOND ISAKU
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD

 

Tani pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR nuk ka vend për diskutim se e vetmja rrugë që do të sjell ekuilibrin politik dhe standardin e duhur demokratik në Shqipëri janë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të bëra njëherësh. Faktori ndërkombëtar ia vuri vulën parregullsisë së procesit zgjedhor dhe gjithë sjelljes politike të pushtetit socialist për të kapur shtetin dhe për bashkëpunim me krimin.
Opozita duhet të mobilizohet fuqishëm për reformën zgjedhore që në një kohë sa më të shpejtë të arrijmë te Zgjedhjet e parakohëshme. Vendi po rrënohet ekonomikisht, çdo ditë e më tepër prandaj duhet vepruar pa humbur asnjë ditë dhe orë. Nga ana tjetër strukturat kapilare nga Këshilli Kombëtar i PD e deri te qelizat bazë, seksionet dhe anëtari më i thjeshtë, të dërgohet mesazhi që jemi përpara zgjidhjes së madhe të ngërcit politik dhe të marrin përgjegjësi për të kontribuar me ndershmëri e përkushtim për demokraci.
Organizimi i opozitës dhe studimi i kapitalit intelektual që do të konkurojë, të fillojë pa humbur minutin dhe me stafe të gjëra dhe të shtrira në rrjet, jo të mbetet opinion subjektiv i një grupi të ngushtë. Gjithëpërfshirja e vlerave opozitare në bllokun e madh opozitar pa komplekse e meskinitete për të krijuar mbështetjen e gjërë që siguron fitoren e qendrës së djathtë.
Dalja sa më shpejt me platformë për zhvillimin e Shqipërisë dhe në radhë të parë gjallërimin e ekonomisë shqiptare është një sfidë që pritet. Mendojmë se cdo zvarritje për t’i cuar punët e sotme te e nesërmja është humbje që mund të sfumojë rigjenerimin politik të shoqërisë për një kohë të gjatë.
PD duhet të eleminojë defektin e saj të trashëguar të zvarritjes së kandidaturave duke i mbajtur secret deri në kufirin limit të ligjit zgjedhor. Kandidatët konkurues të kenë kohë të bindin strukturat e PD-së, demokratët e thjeshtë, simpatizantët dhe elektoratin gri, i cili është i ftohur nga politika e lodhëshme e deritanishme.
Nëse komisioni i zgjedhjeve nuk ndryshon, qeveria vashdon të bëjë sikur po qeveris dhe po lufton korrupsionin, se i ka hapur punët publike me PPP dhe prêt të finalizojë dhe të fillojë të presë ndonjë shirit suksesi ku borxhet do vazhdojnë edhe 15 vjetë të tjera, opozita si do të orientoje mbështetësit që sot nuk kanë asnjë person në pushtet ?! Pritet që sa do jetë i drejtë, i rreptë dhe këmbëngulës arbitri. Ende rreziku i nëpërkëmbjes së opozitës ekziston. Kur bashkohet krimi dhe pushteti, fuqia është e madhe.
Populli përjeton varfëri dhe lodhje…ku hallet e ditës mbysin aspiratën…pasi tre dekada e trishtuan ëndrrën e tij. Nuk diskutohet më morali i qeverisjes aktuale, por rrugët e mundshme për të shpëtuar prej saj…
Duke zgjatur reformën në drejtësi zgjaten muajt e qeverisjes aktuale. Le të shpresojmë më shumë te ndërmjetësit e palëve, te ata që qershorin e nxorrën të paligjshëm si process zgjedhor !