Tregim për një të mbytur

965

Agim DEMIRI

Fusha e Zvezës ishte shumë e gjerë dhe e rrafshët, aq sa nuk matej me sy. Nëpër këtë fushë kryqëzonin rrugë të ngushta e të gjera me baltë dhe pluhur deri në gju sa mezi kaloheshin, që ngrihej shtëllungë pas shtëllunge, në kohë të thatë vere. Qielli, përgjithësisht i kaltër, si i kuqerremtë anash dukej si një saç madhështor mbi këtë fushë. Gati e ndante përgjysmë një kanal i gjerë dhe ujëshumë. Më përpara kishte pasur një urë që lidhte dy brigjet e tij, por, që kishte ca kohë, që ishte prishur..
Vinin të vegjlit, duke çarë baltën deri te bregu dhe pasi shikonin një copë herë ujin e këtij kanali kthenin nga kishin ardhur. Po kështu edhe pleqtë … Ndërsa të rinjtë e fuqishëm, vinin, merrnin duft dhe e kapërcenin me hovje nga ana në anë.
Një ndër ato, që kishin ardhur dhe donìn të kalonte, ishte edhe Torum Spuhu një gjysmë i moshuar. Ai si dhe të gjithë, mezi kishte kaluar këto baltëra dhe me qeleshën dhe shkopin e tij, ishte gjetur pranë këtij kanali. Kishte kohë, që rrinte në qosh të tij, duke parë ujin e turbulluar, që mezi dukej nga afër se ecte .
Kishte disa ditë, që kishte ardhur për të kaluar matanë, por nuk ia kishte marrë mendja, ndaj ishte kthyer. Duhej të kalonte patjetër, në një mënyrë a në një tjetër, prandaj ishte në hall se si të bënte. Herë mendonte se edhe ai e kalonte kështu e herë se nuk mund ta kalonte…
-Si të bënte ?
– Po pse e kishin prishur urën xhanëm ?
-Pse nuk e rindërtonin ? Shikonte më të rinjtë, që e kapërcenin kështu, me duftin e tyre dhe mendonte të bënte dhe ai kështu. Besonte se e kalonte.
Mori edhe ai hov dhe u hodh …Por … sapo i prekën këmbët në qosh për pak, që nuk arritën të shkojnë më tutje, i rreshitën dhe …ra brenda në ujin e ftohtë të kanalit. Mezi mbahej në anën e tij për një rënje, shkurreje a seç ishte, duke iu dukur vetëm koka jashtë dhe mezi po mbahej
-Ojt dej, orekujej! – nisi të thotë me vete i shqetësuar dhe i shtrënguar nga uji, -Sak po mbytem… Ndjeu se këmbët po i rrëshqisnin gjithmonë e më thellë dhe fuqitë e krahëve, që e mbanin në anë po e linin dhe koka po i fundosej gjithmonë e më tepër në ujë … Dmth nga çasti në çast po e shikonte vetën, të mbytur në ujë …Jeta edhe pse i moshuar, i dhimbsej, po ç’ të bënte ? E zuri ky rrezik…
-Ndihmë ! Ndihmë ! – filloi të thërrasë me zë të lartë e të çjerrë: Ndihmë se po mbytem !
Zërin e tij e dëgjonin larg dhe afër njerëz të ndryshëm, që dilnin nëpër ballkonet e shtëpive a dritare të shikonin se ç’po ngjaste dhe kthenin brenda, duke thënë në mënyrë shpërfillëse ”se dikush kishte rënë në kanal dhe po kërkonte ndihmë se po mbytej. Zëri çante ajrin gjithmonë e më i lartë e i çjerrë, po njerëzit mbyllnin dritaret, veshët …sikur të mos kishin dëgjuar asgjë …sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Madje, ndonjeri zgërdhihej me turinjtë vesh me vesh se po i dilte profecia se kishte thënë dikur se “dikush do të mbytej në këtë kanal pa urë”; Mjerë kush do ta kishte kësmet – thonin ata … Dhe ja, tani .! Dikush tjetër thoshte se kjo mbytje do ta bënte një të mirë se njerëzit do të kujtoheshin se kishte pasur një urë; se duhej dhe do të ndërtonin një urë.
-Të ishte mbytur më parë meqenë do të kishte dalë e zgjidhur më parë ky problem …Zërin e tij duke kërkuar kështu ndihmë e kishte dëgjuar dhe i pari i vendit duke luajtur shah me zëvendësin e tij, kishte bërë veshet pipëz për të dëgjuar më mirë dhe ishte shprehur si për të dhënë përfundimin e një problemi, që mezi e kishte zgjidhur: “Do të jetë ndonjë duke u mbytur!”…
– Shah !
-Shah -sheh …! – i ishte përgjigjur tjetri si të ishte zgjuar nga një ëndërr e tmerrshme…
Toruni thirrte sa mundte , duke kërkuar ndihmë në këte rrezik mbytje. Njerëzit e dëgjonin afër se çfarë kërkonte ajo britmë …Ato më larg dëgjonin një krau-krrau të pakuptueshme dhe pyesnin njeri-tjetrin me kureshtje. Si përgjigje merrnin nga ato, që e dinin se dikush, po kërkonte ndihmë se po rrezikohej të mbytej …Njerëz të ndryshëm afroheshin, pasi mezi dilnin nga balta gati gjer në brez dhe çuditeshin me çfarë shikonin
-Ej, qenka duke u mbytur një njeri ! – thonin fëmijët dhe largoheshin në punën e tyre
-Afshanjeraunë për ketë, që po mbytet !- thonin gratë dhe largoheshin të dëshpëruara.. Vinin edhe çiftet, ku burrat i kishin marrë gratë e reja në krah për t’i nxjerrë nga balta dhe pa marrë frymë akoma shikonin Torunin, që thirrtë kështu dhe duke u tmerruar luftonte me mbytjen, që po i vinte nga çasti në çast.
-Pse thirr ? – i thoshte burri sikur nuk e dinte.
-Kërkoj ndihmë se po mbytem!
-Pse ke hyrë atje, morë xhajë ?
-Ju lutëm më jepni dorën të dal !
-Më vjen keq po nuk mundëm se … po, sikur të bie edhe unë brenda, duke të nxjerrë ty? Jo, se ka më shumë mundësi të më tërheqësh ti mua brenda dhe të mbytëm edhe unë? Se nuk thonë kot: – I mbytyri të mbyt! Po, edhe po nuk u mbyta, më prishet kostumi…
-Po më shpëto, more se të ndihmon edhe ajo shoqja….
-Jo, Nuk mundëm të jap dorën se…kam ndytë të kap me dorë. Kushedi çfarë ke kapur me dorë ti …Hajde, ikim shpejt! – thoshte gruaja e re… dhe iknin, duke e lënë Torunin, duke bërtitur…
– Ah, more xhajë, do të jenë lagur edhe paratë! – thoshte burri, duke ecur krah gruas …
– Heu, or ti!, – thoshte Toruni i çuditur, – Asnjë nuk të ndihmon të shpëtosh …Po, unë në kohën time; dmth, kur kam qenë i ri dhe në fuqi, kë nuk kam ndihmuar dhe ja sot edhe ata që i kam ndihmuar, duke rrezikuar edhe vetën dhe ja si ta shpërblejnë …edhe kur i thirr, duke qenë në rrezik, bëjnë sikur …nuk të dëgjojnë, sikur nuk të kanë parë …sikur …Heu, or ti !, Heu, or ti! Ndërsa po i rrëshqisnin këmbët dhe po fundosej në ujë
Të fundosurit zhduku, sikur nuk kishte qenë kokën e tij dhe thirrjet çjerrëse. Uji rridhte si përherë, duke i marrë jetën Torunit dhe duke e çuar trupin e tij në fund të tij.
Thirrjet e Torunit për ndihmë tani i zëvendesuan thirrjet e njerëzve: ”O ç’a zani, more ! Sapo është mbytur një njeri!” Zëri dhe thirrja thuhej gojë me gojë e dëgjohej vesh më vesh me një çudi, që po shtohej vazhdimisht -Kush ishte fatkeqi ? Pse ishte mbytur ? Aksidentalisht apo e kishin mbytur? Kishte qenë i ri a i vjetër? Apo fëmijë? Burrë apo grua? Do të ketë qenë ndonjë me depresion …Të gjithë pyesnin me kureshtje …ngrinin supet dhe shikonin njeri-tjetrin të çuditur
Shpejt lajmi mori dhenë …U njoftua dhe policia, që bëri njoftimet përkatëse sipas rregullave, që kishte si dhe televizionin, i cili e shkroi mënjeherë me të kuqe si lajm të fundit: ” Në kanalin e Sukës, që kalon midis Fushës së Zvezës, sapo është mbytur një njeri, që nuk dihet kush është, arsyet Po kërkohet për gjetjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjës …” Kishte kaluar kohë dhe lajmi jepej në rrjedhën kohore, si ngjarje, kur kishte ndodhur.
Ndërkohë, aty nga dreka, mbi ujin e kanalit u duk të fluturonte shumë afër sipërfaqës së tij si një mizë madhështore, një helikopter, po pas disa fluturimeve, nuk u duk më, sepse nuk e pa asgjëkundi.
Në një vend kishin parë një gjë, që notonte mbi ujë, por kishte qenë një dërrasë e gjerë. Pas pak, te kanali erdhën polumbarët dhe nisën të kërkonin …dhe pas shumë kërkimesh e gjetën… E gjetën dhe e varrosën duke mbetur vetëm historia, “… që në ujin e këtij kanali ishte mbytur një njeri. Zoti i ruajtë të tjerët se ura akoma nuk është ndërtuar …!”