Meta: Dibra, epiqendër e shqiptarizmit

1282

• 13 Shtator 2019 – Presidenti Meta vlerëson Shoqatën “Bashkësia Dibrane” dhe personalitete të shquara të kësaj treve atdhetare: Malet e Dibrës ngelen përherë bastioni dhe barrikadat e para të betejave për liri e pavarësi

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në Simpoziumin Shkencor: “110 vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje historike për kombin shqiptar”, që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Me rastin e këtij jubileu historik, në prani të përfaqësuesve të jetës politike, akademike, shoqërore dhe kulturore të vendit, të bashkësisë dibrane të Tiranës, të Komunës së Dibrës së Madhe dhe nga diaspora, Presidenti i Republikës dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Shoqatën “Bashkësia Dibrane” me motivacionin: “Për kontributin e shquar dhe atdhetar në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e traditës dibrane, në veçanti të vlerave të Dibrës së Madhe, si dhe bashkësisë tradicionale dibrane në Tiranë”.
Gjithashtu Presidenti Meta vlerësoi disa personalitete të shquara të bashkësisë dibrane: me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (pas vdekjes): arsimtarin, atdhetarin dhe humanistin Faik Shatku (Dibra); politikanin, diplomatin dhe intelektualin e spikatur në fushën e pedagogjisë Luan Hajdaraga; ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” hidroteknikun, humanistin dhe aktivistin shoqëror zotin Faik Bruçi dhe mjekun, kontribuesin në fushën akademike dhe universitare zotin Petrit Bara.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta ndër të tjera vuri në dukje se: “E vendosur nga fati i kohërave midis tre shteteve në Ballkan, ajo i dhuron secilit kënaqësinë për të pasur një bashkësi vlerash autentike si ato të dibranëve.
Por, në fakt ajo mbeti epiqendër e shqiptarizmit! Mbijetesa e dibranëve është e lidhur ngushtë me mbijetesën e gjithë kombit shqiptar.
Kjo qëndresë e përbashkët i ka rrënjët tek shkalla e lartë e atdhedashurisë, solidariteti, sakrifica, përkushtimi dhe kontributi i gjithë brezave dibranë ndër shekuj.
Forca e ndjenjës kombëtare dhe dëshira për të ndërtuar vetë fatin e tyre janë nga tiparet kryesore të dibranëve”

Dibranët janë ndjerë përherë ballëlartë dhe krenarë para historisë
Në fjalën e tij në Simpoziumin Shkencor: “110 vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje historike për kombin shqiptar”, Presidenti Meta tha se Dibranët janë ndjerë përherë ballëlartë dhe krenarë para historisë. Kjo sipas tij për faktin se nuk ka etapë të luftës për liri të kombit shqiptar që ata të mos kenë gjurmët e kontributit të tyre.
“Treva e Dibrës me nëntë malet e saj të lartë ka qenë në shekuj kështjella natyrale e lirisë së shqiptarëve. Malet e Dibrës ngelen përherë bastioni dhe barrikadat e para të betejave për liri dhe pavarësi. Në epopenë e lavdishme të Skënderbeut, treva e Dibrës luajti një rol gjeostrategjik të rëndësishëm në fitoret kundër pushtuesve osmanë. Jo rastësisht, shumicat e betejave Skënderbeu i zhvilloi dhe i fitoi në trojet e dibranëve. Çdo dibran ishte një luftëtar i Skënderbeut.
Emrat e fushë betejave si Torvioll, Sfetigrad, Oranik, Çidhen, Vajkal, etj., u bënë të njohura për gjithë Evropën dhe më tej.
Kontributi njerëzor dhe sakrificat e dibranëve kanë qenë biblike sikurse betejat e Skënderbeut.
Disa nga kapedanët më të shquar të heroit tonë kombëtar ishin dibranët: Pal Kuka, Vladan Gjurica, Moisi Golemi e Zakaria Gropa, si dhe shumë komandantë nga gjiri i popullit.
“Skënderbeu pritej me brohori dhe përqafime në çdo cep të Dibrës. Ai u mbështet në çdo betejë si biri dhe vëllai i tyre”, – thekson historiani Kristo Frashëri në një nga librat e tij më të mirë për historinë e Dibrës…
Dibra, dhe veçanërisht malet e saj ngelën në shekuj treva e panënshtruar prej pushtuesve.
Gjatë sundimit otoman, dibranët nuk e ndalën luftën për liri.
Ata mbështetën lidhjen e Prizrenit dhe u bënë organizatorët e Kuvendeve të mëdha të maleve të cilat u drejtuan nga atdhetarët Iljaz pashë Dibra, Selim Rusi, Vehbi Dibra, Isuf Karasani, Ramiz Daci, e shumë të tjerë.
Në 28 Nëntor të vitit 1912 ata ishin mbrojtës të flaktë të aktit të Pavarësisë dhe Qeverisë së Ismail Qemalit me dy nga përfaqësuesit më të shquar të saj, si Vehbi Dibra dhe Nikoll Kaçorri.
Përpjekjet e dibranëve për liri nuk reshtën edhe pas shpalljes së Pavarësisë.
Grykat e famshme të maleve të Radikës e Drinit të Zi ngelen përherë porta të hapura për miqtë dhe fusha betejash për pushtuesit.
Dibranët në vitet e Luftës së Parë Botërore do të shënonin faqe të ndritura lavdie e sakrificash në luftën kundër pushtuesve serbë.
Të panumërta janë betejat dhe përpjekjet e dibranëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të rreshtuar në dy Brigada dhe shumë çeta, ata i falën atdheut 176 Dëshmorë dhe 6 Heronj të popullit”,-tha kreu i shtetit shqiptar

Trashëgimi krenare e civilizimit të banorëve të Dibrës

Duke përshëndetur pjesëmarrësit në Simpoziumin Shkencor: “110 vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje historike për kombin shqiptar”, Presidenti Meta evokoi dy cilësi të civilizimit dibran, sikurse janë organizimi i Kuvendeve, që kemi aq shumë nevojë sot, si dhe rregullat kanunore emancipuese të trevës së Dibrës.
“Edhe pse kanë kaluar shekuj, tiparet, traditat, cilësitë, si dhe struktura e bashkësisë krahinore dibrane përcjellin edhe sot mesazhe dinjiteti, përgjegjshmërie, emancipimi dhe intelekti të veçantë popullor.
Në kushtet e okupimit të huaj, Kuvendet dibrane ishin parlamentet e kohës. Demokracia vendore e ditëve tona do të gjente pasqyrimin për shekuj me radhë në odat e burrave, kuvendet e maleve, besëlidhjet, kuvendet e fisit, e deri te kuvendet ndërkrahinore.
Shkalla e lartë e demokracisë në Kuvendet dibrane është edhe sot një trashëgimi krenare e civilizimit të banorëve të kësaj treve.
Përsosmëria në organizim, barazia, respektimi i dialogut, mënyra demokratike e vendimmarrjes, sjellja e kulturuar ndaj kundërshtarëve dhe për më tepër zbatimi korrekt i vendimeve përbëjnë një shembull të lartë integriteti etiko-moral”, -u shpreh Presidenti Meta.
Nga rregullat kanunorë i veçoi: ‘Falja e gjakut’ përballë interesave madhore dhe ‘Lidhja e Besës’ para pushtimit dhe kërcënimit të huaj. Sipas kreut të shtetit, këto gjeste fisnike e atdhetare të dibranëve në Kuvendet e Maleve janë edhe sot një mesazh kuptimplotë për klasën politike dhe shoqërinë shqiptare.

Dibranët, përherë të
bashkuar dhe pa dallime feje e krahine
Para fateve dhe sfidave të kombit, dibranët kanë qenë përherë të bashkuar dhe pa dallime feje e krahine.
“Përherë shqiptarët kanë përdorur gjuhën e arsyes përpara se të rrëmbenin armët. Kuvendet e Dibrës shpalosin aftësitë e shqiptarëve për të përdorur dijet e tyre, diplomacinë, forcën e logjikës, kulturën popullore të debatit, si dhe argumentet e një shoqërie që aspiron liri e pavarësi.
Kështu 110 vite më parë, në Dibër, u manifestua forca dhe vrulli i lëvizjes kombëtare shqiptare në një prej Kuvendeve më delikate që ndante historinë.
Patriotët dibranë ia dolën të dështonin përpjekjet e xhon turqve, në një kuvend të thirrur prej tyre, për të bindur shqiptarët të quheshin pjesëtarë të kombësisë osmane dhe të shkruanin gjuhën amtare në alfabetin arab.
Ky akt i tyre ishte një triumf i doktrinës së rilindjes kombëtare për pavarësi, një mbështetje e Kongresit të Manastirit dhe vendimeve të tij, si dhe një tregues i aftësisë vetëqeverisëse dhe dëshirës për liri të gjithë shqiptarëve”, -tha Presidenti i Republikës Sipas numri një të shtetit shqiptar, historia, figurat dhe vlerat e dibranëve janë aq të shumta sa nuk mund t’i përmbledh dot në një fjalë përshëndetëse.
Në këtë kontekst Presidenti Meta vlerësoi rolin e shoqatës “Bashkësia Dibrane” në promovimin e vlerave më të spikatura etno-kulturore, historike dhe patriotike të kësaj bashkësie.
“E ndjek prej kohësh aktivitetin e shoqatës, përpjekjet e saj për mbajtjen gjallë të kulturës, qytetarisë, trashëgimisë historike dhe traditave të trevës dibrane. Gëzohem që shumë personalitete të spikatur të shoqatës suaj, mbështesin dhe nxisin krahas vlerave shpirtërore-historike edhe projektet aktuale ekonomike e sociale të zhvillimit, si edhe bashkëpunimin me rajonet fqinje të Dibrës.
Për sa më sipër, gjithashtu do të doja sot t’i akordoja Shoqatës “Bashkësia Dibrane” Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Kam kënaqësinë gjithashtu të falënderoj shoqatën tuaj të nderuar për propozimet, për të vlerësuar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Profesorin e nderuar dhe të paharruar, Luan Hajdaraga, atdhetarin e shquar Faik Shatku dhe si dhe me Titullin “Mjeshtër i Madh” Prof. Dr. Petrit Bara dhe z. Faik Bruçi”. Ndërkohë Presidenti Meta shprehu bindjen se panteoni i vlerave dibrane ka edhe shumë figura dhe personalitete të spikatur. Për këtë arsye, ai tha se do të mirëpres edhe në të ardhmen bashkëpunimin me të gjithë drejtuesit e Shoqatës “Bashkësia Dibrane” për të vlerësuar të gjithë personalitetet e shquara të historisë të jetës publike dhe kulturore të Dibrës.
Nga Korabi krijon një vizion më strategjik.
Jo për Dibrën e Shqipërinë, por për të gjithë rajonin
Duke përshëndetur pjesëmarrësit në Simpoziumin Shkencor: “110 vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje historike për kombin shqiptar” Presidenti Meta ndjehet shumë i lumtur që është ngjitur në majën e Korabit, sepse nga Korabi krijon një vizion më strategjik. Jo për Dibrën e Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.
“Pasi shkova në Korab mësova dy gjëra. E para, mësova që Korabi nuk ka vetëm majën më të lartë, por ka 3 ose 4 majat më të larta të Shqipërisë e pastaj vjen Jezerca.
Së dyti, mësova diçka tjetër për të cilin u habita, kur lexova atje 2764 metra, sepse ne e kemi lexuar gjithmonë shifrën 2751 metra i lartë. Pra, Korabi ishte “rritur” kështu që kjo është shenjë e mirë, sepse më mirë të rritet mali se sa të zbresë, aq më tepër që edhe unë vij nga një trevë malore dhe kam dëgjuar shpesh atë urimin që bëhet ‘malet tona më të larta’.
Kështu që ju uroj juve, i uroj Dibrës dhe gjithë shqiptarëve malet më të larta! Faleminderit!”, përfundoi përshëndetjen e tij Presidenti I Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.