Prof. GAFUR MUKA: BULQIZA, NJË UNIVERSITET I DYTË PËR TË GJITHË KUADROT QË PUNUAN NË MINIERË E GJEOLOGJI

284

Për ta sinkronizuar sa më mirë filmin, regjisori Pepo dhe konsulenti Cukalla, jo pa qëllim kanë zgjedhur opinionin e Prof.dr.Gafur Mukës. Kjo për faktin se ai që e ka nisur karrierën në galeritë e Bulqizës për të arritur deri në instancat më të larta si ish diplomat në Ambasadën e RSH në Bonn, Gjermani, Anëtar i Unionit Europian të Konsulencës (ECU). E.C.U. – European Consultants Unit, pedagog në Fakultetin Gjeologji Miniera dhe në UET, Departamenti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, autor i 5 teksteve mësimore dhe i mbi 40 referateve, artikujve e projekteve brenda e jashtë vendit, si dhe auutor i monografise “ Geo-Risk Maps for Management of Abandoned Mine Workings Exploitations”, Publisher: LAP LAMBERT Academic Publishing, Berlin, 2018.
Prof.Muka, me modesti është shprehur në këtë film se nuk teprohet aspak kur thuhet se Bulqiza ishte një universitet i dytë për të gjithë kuadrot që punuan në minierë e gjeologji. “Në këtë universitet ishin të gjitha format e mësimdhënies: leksionet – përvoja e atyre që kishin shumë vite në minierë, seminaret – specifika e të dhënave që kërkonin zgjidhje, laboratorët – gjithë ambienti mbi – e nëntokë ku zhvillohej aktiviteti për kërkimin, zbulimin, hapjen dhe shfrytëzimin e mineralit të kromit dhe provimet – hartimi i projektprogrameve vjetore dhe mbrojtja e tyre para komisioneve teknike e shkencore. Kur largoheshe nga Bulqiza kishe vetëdijen e një profesionisti të çertifikuar dhe krenarinë e përballimit të sfidave që nuk përsëdytëshin”, thotë prof.Muka, i cili, personalisht ndjehet me fat që u përfshi në “armatën” e atyre që e bënë Bulqizën”.
Më të larmishëm e bëjnë filmin edhe sinkronet eIng. Bukurosh Koçit, ing. Gjergj Xekës, specialisteve gjermanë etj, në gojën e të cilëve jepet gjithë dinamika e zhvillimit të minierës së Bulqizës dhe e gjithë kësaj treve lavdiplote..
Xhirimet e këtij dokumentari vijuan edhe në mjediset e shkollës së mesme profesionale Bulqizë ku u fol për ing.Osman Mihën-“Qytetar Nderi” i Bulqizës, ndër themeluesit dhe drejtuesit më jetëgjatë të kësaj shkolle që ka luajtur rol kryesor në aftësimin profesional të minatorëve e specialistëve. Përpjekjet në këtë fushë nisën që në vitin 1952-1953 kur u hap shkolla e mbrëmjes për punëtorët e Bulqizës. Kohë kur sapo ishin vendosur këtu dhe familjet e para të minatorëve. Në vitin 1970 u hap shkolla e mesme profesionale e ditës me degën për teknikë miniere e më pas u zgjerua me degët gjeologji dhe shpim pusesh. Për veprimtarinë e gjatë të Osman Mihës, si në fushën e inxhinierisë, ashtu edhe në drejtimin e shkollës e mësimdhënie shembullore flasin me respekt, jo vetëm bashkohësit, por edhe më të rinjtë nga gjenerata e elitës bulqizake.