BULQIZA NË NJË FILM TË YLLI PEPOS

272
• Prof. dr. Gafur Muka, me modesti është shprehur në këtë film se nuk teprohet aspak kur thuhet se Bulqiza ishte një universitet i dytë për të gjithë kuadrot që punuan në minierë e gjeologji. “Në këtë universitet ishin të gjitha format e mësimdhënies: leksionet – përvoja e atyre që kishin shumë vite në minierë, seminaret – specifika e të dhënave që kërkonin zgjidhje, laboratorët – gjithë ambienti mbi – e nëntokë ku zhvillohej aktiviteti për kërkimin, zbulimin, hapjen dhe shfrytëzimin e mineralit të kromit dhe provimet – hartimi i projektprogrameve vjetore dhe mbrojtja e tyre para komisioneve teknike e shkencore. Kur largoheshe nga Bulqiza kishe vetëdijen e një profesionisti të çertifikuar dhe krenarinë e përballimit të sfidave që nuk përsëdytëshin”, thotë prof.Muka, i cili, personalisht ndjehet me fat që u përfshi në “armatën” e atyre që e bënë Bulqizën”
Halil RAMA
Resurset e shumta mbi e nëntokësore të Bulqizës dhe historia e lavdishme e kësaj treve, kësaj here vijnë artistikisht për publikun nëpërmjet një filmi dokumentar. Gazetarja e njohur e Radio Tiranës, Suzana Zyrakja, autore e qindra emisioneve radiofonike, por edhe e mjaft dokumentarëve televizive shkroi skenarin nën kujdesin, konsulencën e ndihmën e pakursyer të poetit të mirënjohur Martin Cukalla, ish-drejtor i minierës më të madhe të kromit në vend. Edhe titulli i filmit vjen nga një varg poetik i Martinit: “…E nderit është nëntoka e Bulqizës…”. Rrallë ndodh që një varg, i zgjedhur nga veprat poetike, të jetë titull filmi!
Por ai nuk mungoi as në sheshet e xhirimit, kur me regjisorin e mirënjohur Ylli Pepo, nuk kanë ngurruar që së bashku të nisin realizimin e filmit.
Dhe ja, mëngjezin e një dite të zakonshme vjeshte janë gjendur në një nga sheshet e qytetit minatorë mes dhjetra veteranëve, të ardhur nga të gjitha skajet, edhe nga pertej oqeanit. Është një takim brezash.
Kësisoj, Ylli Pepo, regjisor, gazetar, skenarist që ka realizuar suksesshëm një mori telereportazhezh e filmash dokumentarë, që ka xhiruar dhjetra filma për personalitetet dhe ngjarjet historike të shqiptarëve, kësaj here është përqëndruar në një zonë të paeksploruar. Dhe jo pa qëllim e nis filmin me të rënët në galeritë e nëntokës së Bulqizës. Që në fillim teleshikuesve do t‘ju duhet të fokusohen në një sallë, ku: “ …si një mjegull e bardhë, nga errësira e galerive, vijnë edhe të rënët në apelin qe hap takimin. Bujar Keta, Ismet Ymeri, Lavderim Lika, Mehmet Xhediku, Sadik Deda, Servet Islami, Lutfi Smeli, Skender Leka, Sakip Muça, Axhem Xhepa, Myftar Begu, Luan Hoxha, . Miftar  Gjoka.
S’jane 5 as 10 por plot 300 emra! Në apel përgjigjet shpirti i tyre. Ata mbeten aty, në galeri, gjatë disa dekadave.
300 minatorë, punëtore e specialistë. Në mbi 7 dekada të krijimit dhe shfrytëzimit të Minierës së Bulqizës, dhanë jetën në krye të detyrës.  Edhe pse llamba e karbitit iu shua në balle ata mbeten në gjirin e tokës si në legjendën shqiptare te murimit.
Ata u futën në gji të tokës për të nxjerrë thesaret e saj dhe mbeten aty si gurë themeli të forta për vazhdimesinë e minierës ndër vite… “
Martin Cukalla që ka përjetuar dhimbshëm çastë të trishta të rënies dhe të lamtumirës së disa prej tyre, si një nga drejtorët më të suksesshëm të kësaj miniere, kurrësesi nuk mund ta niste ndryshe skenarin e këtij filmi, veçse me homazhin dhe nderimin e këtyre heronjve të nëntokës.
Ndërsa regjisori Pepo, si për ta kaluar sa më lehtë këtë moment të trishtë, përcjell nëpërmjet filmit muzikë…pamje nga Bulqiza…rrugët e saj…. Dhe si një nga ikonat e dokumentarit televiziv i jep filmit nuanca artistike ku përdoren mjeshtërisht dhe fotot me pamje nga natyra e Bulqizës… Një natyrë e virgjër që do të frymëzonte poetët, shkrimtarët, skenaristët e regjisorët më të famshëm të botë.
THUA BULQIZË, KE THËNË KROM…
Në vijim të skenarit që përmban elementë të një eseje të gjatë letrare, në këtë film jepet Bulqiza ku banorët shkelin mbi nëntokën më të pasur në Europë për kromin që bart. Brenda skenarit është poezia e Martin Cukallës: “Thua Bulqizë, ke thënë krom”. Filmi evidenton kështu përmes pamjesh filmike, episdoesh e intervistash një nga trevat e Dibrës me histori të veçantë. E njohur për luftrat e saj  për liri e pavarësi të Shqipërisë. E njohur për thesaret e mineralit të kromit të fshehura në barkun e maleve.
Gjithkush që do ta ndjekë këtë film do të magjepset nga dy portat hyrje e dalje: Ura e qytetit me Harqe dhe Qafa e Buallit…me Bulqizën që ka fusha të mëdha për prodhime bujqësore e blegtorale. Janë vërtetë bukuri mahnitëse ato të fushës së Gjoricës, Boçevës, Shupenzës dhe Okshtunit. “Hambari i Dibrës në brigjet e Drinit të Zi” janë cilësuar ato.
Ndërkohë konsulentit Cukalla kurrësesi nuk mund t‘i “shpëtonin” dy burime hidrike te fuqishme të kësaj treve: Zalli i Okshtunit në Lindje dhe ai i Bulqizës ne Perendim. Rezerva të mëdha hidrike këto, prej kohësh të njohura e të shfrytëzuara, pamjet e të cilave shfaqen me tërë madhështinë e tyre në këtë film.
Detaje prekëse në këtë film nga natyra që i ka falur Bulqizës pasuri të mëdha natyrore. Një terren mjaft mbrojtës, rrethuar me male, gjelbëruar nga lloje  drurësh si lisi, shkoza, panja,ahu. Male, liqene, miniera, pyje, pllaja e livadhe piktoreske, me shumëllojshmëri bimësh medicinale, si sherebela, dëllenja, qershija e egër etj. Burime natyrore, stane….Filmi paraqet një peisazh madhështor e të virgjër. E të mendosh për ata  që i mbijetojnë dimrit të acartë, që ulet këmbëkryq me muaj në këtë zonë, kur erërat e forta dhe bora i kalojnë kufijtë e normales.
QYTETI I MINATORËVE NË VERILINDJE TË VENDIT, MË I VARFËRI MBI NËNTOKËN E TIJ TË PASUR
Më të besueshëm e bëjnë filmin kronikat e kohës, nxjerrë nga arkivi i RTSH-së. Paraqiten në to zhvillimet të fundviteve 1960 dhe në fillim të viteve “70-të, kur  kjo minierë e ka renditur Shqipërinë në vendin e katërt në botë për sasinë e nxjerrjes së mineralit të kromit me cilësi të lartë për shkrirje. Atëhere deklarohej se miniera e kromit  Bulqizë jepte 32-37 përqind të të ardhurave kombëtare në shkallë vendi. Megjithatë Bulqiza, qyteti i minatorëve në verilindje të vendit mbetej e varfër mbi nëntokën e saj të pasur!
I ilustruar me kronikat e kohës me moton “Kromi çan bllokadën”, filmi sjell bindshëm në memorian e bashkëkohësve vitet 1980-1990, kur vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikale dhe 8 dishenteri. Është koha kur në krye të kantierit që ndërtoi këto punime të mëdha ishte burri nga Fushë Bulqiza Nazmi Perkola, një drejtues i talentuar, i lidhur ngushtë me vendin e vet. Nazmiu filloi punën në minierë që në vitin e parë të jetës së saj dhe aty u rrit si specialist e kuadër. Në minerë punoi për 42 vjet rresht deri sa doli në pension në vitin 1990. Në këtë film ai prezantohet si kuadri i papërtur, i lidhur nushtë me njerëzit e ballit të galerive, në krye të sakrificave, i zoti të zgjidhte problemet e shumta e të vështira që cfaqte nentoka. Nazmi Përkola gjithë jetën e vet në minerë mbeti porta ku trokiste minatori dhe fukaraja.
HARMONI UNIKALE NDËRMJET FORMËS DHE PËRMBAJTJES SË FILMIT
Në atë mori planesh filmike të ndërlidhura, të shoqëruara me zë apo jo, të cilat krijojnë efektin e lëvizjes, në harmoni unikale ndërmjet formës dhe përmbajtjes, padyshim shkelqen edhe montazhi I mjeshtrit te njohur Gjergji Pano, ku vend parësor zë  perkushtimi i njerezve  që e bënë minierën e Bulqizës të shenonte  vetem rritje…Dhe jo vetëm në prodhimin e mineralit të çmuar të kromit, por edhe në krijimin e instancave ndihmëse.
Në 120 minuta ( i ndarë në dy pjesë) momente kulmore të këtij filmi, shifra dhe fakte, shoqëruar me foto e dokumenta arkivore që të mbërthejnë pas ekranit për të mësuar ecurinë e tyre ndër vite. Kështu mësojmë se më 1950 u krijua bërthama e parë gjeologjike dhe se deri në vitin 1952 në Bulqizë kishte vetëm baraka ku strehoheshin punëtorët. Por pas këtij viti  u ndërtuan me radhë zyrat për ndërmarrjen e minierës së kromit, për ndërmarrjen gjeologjike, ndërmarrjen e furnizimit të punetoreve.
Nën një regji perfekte, operatorët e këtij filmi janë fokusuar në momentë të zgjerimit të qytetit te Bulqizës që ka ecur krahas me zgjerimin e punimeve minerare. Gjithashtu filmi evokon vështirësi të mëdha, terrene të thepisura malesh, pa rrugë normale, nëpër të cilat minatorët me krahë transportonin sondat, motorrat e pompat me pesha shumë të mëdha. Të thuash ndërgjegje e pastër punëtore, është kaq pak…i kalon tejskajshmerisht kufijtë e përkushtimit. Moment prekës, çasti kur kujtohen gjeollogët e talentuar e të sakrificës së madhe: Koço Gushi, Sefedin Qorlaze, Todi Sema etj., që me punë të pakursyer e mendime përgjithësuese të mbështetura shkencërisht, i dhanë hov shtimit të pandërprerë të rezervave të këtij minerali të dobishëm dhe i hapën krahë shfrytëzimit në mënyrë të vazhdueshme e deri më sot.
Nëpërmjet sinkroneve ish drejtues të minireës së Bulqizës tregojnë se kulmi ishte kur në vitet 1984 – 87’ miniera arriti të realizoje afro 500 mijë ton krom cdo vit, derisa punimet minerare  në ato vite arritën rekord mbi 40000 ml. Këto arritje do të shënonin bilancin optimal me mbi 15 milion ton krom që janë nxjerrë nga nëntoka e Bulqizës në afro 7 dekada  kohë…