BULQIZA QYTET-BURG

649

Nëse më 1954 në Bulqizë u ngrit burgu i të dënuarve ordinerë, fillimisht me 600 të dënuar, ky kamp funksionoi për rreth 30 vjet dhe përfshinte zonat nga dishenteria e galerisë 41 e deri ndër zonën “D”. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, më 1968, Bulqizës do t’i shtohej edhe burgu tek vendi ku do të ndërtohej fabrika e pasurimit të kromit. Të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet sipas projektit deri sa filloi montimi i makinerive. Saga e të dënuarve vazhdon edhe më tej kur në vitin 1976 Kampi i burgut mori edhe zonën “D”. Madje, pas vitit 1976 kampi ka patur maksimumin e të dënuarve. Një tjetër burg u ngrit më 1985 me të burgosurit që do të ndërtonin Qytetin e Ri në Bulqizë. Një nga mësuesit e shquar të Bulqizës, z.Bashkim Lami, që ka drejtuar me kompetencë e përkushtim institucione kryesore në Bulqizën e pas ’90-tës, në shënimet e tij shkruan se “Ndërtimet vazhduar me ritme të shpejta dhe në vitin 1988 u strehuan banorët e parë në këtë lagje”. Madje sipas tij, “burgu u përdor edhe në objekte të tjera të rëndësishme të zonës së kromeve. Miniera e Batrës dhe e Tërnovës kanë pasur kampe të dënuarish, po kështu ndërtimi i fabrikës së pasurimit dhe ndërtimi i lagjes “Qyteti i ri” është bërë me kampe të dënuarish që janë përdorur vetëm në ndërtimin e këtyre objekteve. Në 28 vite kontributi i të burgosurve ka qenë shumë i rëndësishëm”.

DISA NGA DREJTORITË E SHËRBIMET NDIHMËSE
Një minierë është pa perspektivë, nëse nuk i paraprihet më zbulimin e rezervave minerare. Këtë mision historik këtu do ta kryente më së miri Ndërmarrja Gjeologjike e Bulqizës, e krijuar që në vitin 1957, duke kryer punime për zbulimet gjeologjike për gjetjen e vendburimeve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjisë. Nga studimi tejet shkencor, por edhe skurpuloz i z.Bashkim Lami (BULQIZA NDËR VITE NË 75 VJET, 1948-2018) mësojmë se Drejtori parë i Ndërmarrjes Gjeologjike e Bulqizës ishte Ferit Alla, i cili siguroi mbështetjen e fortë të personelit inxhiniero-teknik që e quante themelin e sukseseve që synonte gjeologjia. Deri në vitet 1990 funksionoi ndërmarrja e furnizimit të punëtorëve që administronte tregtinë, mensat e punëtorëve dhe fjetoret e punëtorëve beqarë, duhet thënë drejt: bëheshin përpjekje por shërbimi ishte shumë i dobët. Në vitet 1968-1971 u ndërtua Fabrika e pasurimit e cila u konsolidua pas vitit 1975 kur prodhimi i koncentratit u rrit në mbi 8000 ton/muaj. Fabrika merrte lëndë të parë mineral të varfër rreth 850 ton/ditë dhe prodhonte rreth 350 ton koncentrat në ditë. Minerali i varfër merrej zakonisht me përmbajtje mbi 27% dhe koncentrati dilte me mbi 48%.
Në fillim të viteve ’90, në mbështetje të minierës u krijua edhe parku automobilistik i Bulqizës që kryesisht ishte në shërbim të transportit të punëtorëve të minierës, por edhe të transportit të kromit transit brënda minierës e për në fabrikën e pasurimit dhe të transportit të mineralit për në Durrës.

INFRASTRUKTURA SOCIALKULTURORE
Ndër vite u ngrit gradualisht edhe infrastruktura socialkulturore. Më 1954 u ndërtua në qytet kinemaja me një skenë të vogël dhe me 200 vende, u montuan dy aparate projeksioni për të shfaqur filmat, një sallë lojërash bilardo e një bibliotekë.
Tre vjet më vonë (1957) u ndërtua në qytet shkollë e re me 7 klasa, ku u hap shkolla 7-vjeçare e ditës ku vijonin mësimin, fëmijët e Vajkalit e të qytetit të Bulqizës dhe pas 8 vitesh, më 1965 u ndërtua në Bulqizë shkollë e re me 10 dhoma mësimi, poshtë rrugës së qytetit që plotësonte nevojat për vijueshmërinë e mësimit pasi klasat u bënë me nga dy paralele. U ngritën nga mësuesit dhe nxënësit disa terrene sportive, volejbolli, basketbolli e gjimnastike, të cilat shfrytëzoheshin edhe nga rinia e qytetit të Bulqizës.
Në shtator 1967 u shkolla e mesme e përgjithshme pa shkëputje nga puna dhe më 1975 edhe shkolla e mesme profesionale e ditës me degën për teknikë miniere, që më pas u shtuan degët, gjeologji e shpim pusesh.
Më 1975 u vu në funksionim kinoklubi i ri me dy kate, që u financua nga ndërmarrja minierës me sallë kinemaje dhe koncertesh me 350 vende, me bibliotekë e sallë leximi, bar-kafe dhe dhoma e anekse të tjera pune, duke u krijuar kështu mundësia që në këto ambiente të gjallëroheshin aktivitetet kulturore e artistike, sesionet shkencore, recensionet, bisedat etj.. Ky pallat është rikonstruktuar dhe vazhdon të jetë si qendër kulturore e vetme e këtij qyteti. Në vitin 1989 u ndërtua shkolla 8-vjeçare me 4 kate në “Lagjen e Re”, me 24 klasa, 4 kabinete e palestër sportive.
FRAGMENTARIZIMI I MINIERËS NË KOMPANI KONCESIONARE
Bulqiza është një trevë, e cila shtrihet në pjesën verilindore të vendit dhe përfshihet në Qarkun e Dibrës. Jeta në këtë zonë zhvillohet në dy dimensione. Në të vërtetë janë dy Bulqiza, Bulqiza që shtrihet gjeografikisht dhe Bulqiza e nëntokës.. Miniera e dikurshme e centralizuar është fragmentarizuar në qindra kompani koncesionare. Sipas Ministrisë së Energjetikës, deri në fund të 2015 kanë qenë aktive gjithsej 264 leje minerare shfrytëzimi për mineral kromi, nga të cilat tre leje janë koncesionare. Këto leje janë të shpërndara në 12 rrethe të vendit dhe në dy brezat e shkëmbinjve ultrabazikë.
Numri më i madh i lejeve të shfrytëzimit, mbi 150, ndodhet në rrethin e Bulqizës. Në vitin 2000 u firmos nga qeveria dhënia me koncesion e puseve të thellësisë të Bulqizës dhe të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë dhe në Klos si dhe Uzinat e Ferrokromit në Burrel e Elbasan, për 30 vjet . Pas nëntë vitesh, në korrik të vitit 2009, “DARFO” i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare “DARFO ALBANIA”, shoqërisë “ACR Holding” dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” me të njëjtin NIPT. Më 17 janar 2013 “Balfin Group”, me Samir Mane si drejtues i bleu aksionet e kompanisë “Albanian Chrome” (ACR), shoqërisë “DCM DECO-metal GmbH-DCM Beteilinungs GmbH. (BIRN). Por ndërsa premtoi një investim prej 55 milionë Euro për Pusin deri në vitin 2021, pikërisht në dhjetor të këtij viti Minierat në pronësinë e “Balfin Group”, në Bulqizë i kalojnë në zotërim shoqërisë turke “Yildirim International Mining Investments B.V.” Shtatëdhjetëepesë vjet pas krijimit, miniera e kromit Bulqizë nuk është më një ndërmarrje gjigande, por një sistem i tërë shfrytëzimi që ndahet në rreth 130 ndërmarrje private, gjeneruese të punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Për këtë arsye ajo ka një rëndësi strategjike dhe duhet sjellë në vëmendje të qeverisë dhe të opinionit publik, pasi përbën një kantier të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.