TRAGJEDI E PAPARË NË FAMILJEN LALA

1009

E martë 26 nëntor. Ngjitur me vilën katër katëshe të familjes së madhe Lala jetonte edhe ajo e Feim Imerajt, që tregoi se ishte për ta një fqinj i mirë në gëzime e hidhërime. Feimi jetonte përballë tyre me gruan Bukurien dhe fëmijët, aty në zonën e Kënetës në Durrës. Bukuria tregon me nostalgji kohën kur ishin njohur me Lalajt rreth dy dekada më pare.“Njihemi që prej 18 vitesh kur hidhnim themelet e shtëpisë në të njëjtën kohë..por ata e mbaruan me vonesë ndërtimin..vetëm dy vite kishin që kishin ardhur nga Peshkopia ishin tre kurorë bashkë.” 26 nëntori qe fatale për këtë familje. Ora shënonte rreth 2 e 50 minuta të mëngjesit kur dridhja e parë e tokës i zgjoi ata nga gjumi… të alarmuar Feimi dhe Bukuria rrëmbyen të përgjumur fëmijët dhe dolën jashtë shtëpisë për të shpëtuar, u kujtuan edhe për Marjetën të cilën e thirrën nga jashtë për ta ndihmuar. “E dëgjuam tërmetin e parë dhe dolëm..doli edhe Marjeta..i thirrëm edhe asaj doli edhe ajo..më pas u kthyem të gjithë në banesa” thotë Bukurie Lala. Me katër fëmijët e saj Marjeta u rikthye në banesë, nuk u ngjit më në katin e katërt por mbështolli fëmijët me krahë dhe qëndroi dy më poshtë bashkë me vjehrrën, kunatin e paralizuar dhe dy fëmijët e kunatit tjetër, për t’u ndjerë më e sigurt. Nuk vonoi shumë dhe toka u drodh sërish në orën 3:55 minuta. Në ato sekonda fatale Feimi zbriti nxitimthi për t’i ndihmuar edhe njëherë, por nga brenda përgjigjet ishin të pakta.“Kur u bë dridhja e dytë unë u mora me fëmijët e mi ndërsa burri shkoi tek ata për t’i ndihmuar. I thamë të të ndihmojmë për kalamajtë t’i zbresim. Ajo tha po i marr fëmijët po i bashkoj bashkë. I kishte nëpër gjumë.” Pasi toka pushoi së zhurmuari e lëkunduri dhe mori atë që deshi, aty nuk pipëntinte më asgjë. “Por nuk kishe ç’të shihje, mjegull e krisje, çdo gjë u bë rrafsh, dy katet humbën fare, porta ishte e mbyllur dhe nuk dëgjohej më asgjë..” Feimi ka thirrur sërish dhe prej andej ka dëgjuar vetëm 17 vjeçarin Ramë Lala të cilit arriti t’i dërgonte ujë përmes një tubi, e më pas lajmëroi policinë. E vetëm teksa dita po zbardhte u pa se vila katër katëshe e familjes Lala, brenda së cilës banonin tre kurorë, dukej si një pemë me degët e thyera pas një stuhie nuk mbajti më duke u shkulur me rrënjë..“Pas gjashtë orësh u shemb komplet banesa por atëherë kishte mbaruar çdo gjë” Djaloshi 17 vjeçar Ramë Lala qëndroi aty poshtë rrënojave për orë të tëra duke luftuar me jetën dhe fatmirësisht ia doli, zjarrfikësit arritën ta nxirrnin prej andej të gjallë. Por ai nuk e dinte që poshtë të afërmit e tij ishin shuar përgjithmonë. Bukuria dhe bashkëshorti i saj efektivi i policisë Feim Imeraj nuk i braktisën fqinjtë edhe të vdekur. Ata hapën dyert e mortit për t’i përcjellur me dinjitet 8 anëtarët e familjes Lala në banesën e tyre të fundit. Ndërsa shtëpia e Imerajve u rezistoi lëkundjeve të tokës, e kundërta ndodhi me vilën katër katëshe përballë tyre. Fqinjët Lala i kishin treguar Bukuries se shtëpia kishte pasur problem me shkallët që në tërmetin e parë, atë të 21 shtatorit, por kjo ishte vlerësuar si jo problematike nga inspektorët e bashkisë. “Problem me shkallët kishte që në tërmetin e 21 shtatorit, shkallët u krisën që atëherë..erdhën e panë por u thanë që kaq krisje nuk ka problem.” Sahadete Lala, i biri Iliri dhe mbesa e saj Griselda, Marjeta Lala dhe fëmijët e saj Amelia, Emilio, binjakët dy vjeçarë Dionis e Dionisa u rikthyen në atë shtëpi të ndërtuar me sakrifica pa e ditur se aty do të jetonin vetëm dy muaj të tjerë deri më 26 nëntor.

Nipi rrëfen momentet e tmerrit


Ende nuk kishte zbardhur e marta e 26 nëntorit, kur Indrit Markja, nipi i familjes Lala, të cilës tërmeti shkatërrimtar iu mori jetën 8 pjesëtarëve të saj, u zgjua nga një telefonatë. Një zë nga Shqipëria, i tha se shtëpia trekatëshe e dajave të tij në ish Kënetë ishte shkatërruar nga lëkundjet dhe nëntë të afërmit e tij kishin mbetur nën rrënoja. “Na erdhi një telefonatë dhe na tha se shtëpia e nënës është shembur. Kam dëgjuar mamin duke qarë. Jam ngritur dhe direkt jam nisur për në Aeroportin e Romës, për të ardhur për këtej”, -tha Indriti. Mes lotësh, Indriti, i rritur në Itali, rrëfen tmerrin që përjetoi kur u gjend pranë banesës së shkatërruar. “Është e paimagjinueshme, nuk ka shpjegim, duke e ditur çfarë kishte aty brenda, ishin kalamajtë e dajës, daja, nëna, dhe goca e dajës.”, -pohoi ai.
Shtatë ditë më vonë nga e marta e kobshme, nipi i familjes thotë se ata kanë humbur shumë, por fakti që tragjedisë i mbijetoi Rama, djali i njërit prej dajave, është një dritë shprese për ta. Ai na rrëfen takimin me 17-vjeçarin në spitalin e Traumës dhe arsyet përse e shmangte bisedën më te, për çfarë kishte përjetuar adoleshenti nën rrënoja. “Ai është i terrorizuar, sepse edhe kur vajta unë në Tiranë kur e takova po binte akoma tërmet. Ai thoshte ‘tërmet, largohuni, largohuni’. I thoja që ‘po e lëviz unë krevatin’, ai më thoshte ‘mos e prek as ti atë krevat’. Është shumë i terrorizuar, ndaj e çuam në Itali.”, tha Indriti. Por a shpresoi Indriti se veç Ramës, mund t’ja dilnin dhe të tjerët të mbijetonin? “Shpresën e kam pas gjithmonë. Në momentin që humba avionin, po shikoja live lajmet, duke pritur. Edhe pse zemra më thoshte se është e vështirë, por shpresa kam patur. Edhe kur erdha këtu bashkëpunova me zjarrfikëset italiane, duke ditur projektimin e shtëpisë”, rrëfen Indriti. Pas tragjedisë, pjesëtarët e familjes ardhur nga Peshkopia janë strehuar në banesat sociale në Shkozë, por nipi i tyre thotë se po mendojnë t’i tërheqin ata drejt Italisë, të paktën Albertin, dajën që humbi të gjithë familjen. “Që ditën e parë që kam ardhur i kam qëndruar afër dajës. Se me të jam rritur, ai ka qenë në Itali, rrinte me ma. Jam shumë i lidhur me të. Që do të ndërtojë shtëpi tjetër këtu, nuk e besoj, është e pamundur. Sigurisht që do ta marr, nuk do ta lëmë vetëm, sepse ai ka nevojë për ne”, theksoi nipi i familjes Lala. Nga vila trekatëshe e familjes Lala, nuk ka mbetur më asgjë. Në rrënoja gjen këpucët dhe djepin e Dionisit, kukullat e motrës binjake, Dionisës, librat e Emilios dhe Amelas, rrobat e Marjetës. Nëna bashkë me 4 fëmijët nuk mbijetoi dot, sikurse fatkeqësisht nuk ja dolën as nëna efamiljes Sahadetja, i biri iliri dhe mbesa Grisilda.

Humbën 9 persona nga familja Lala. Zhvendosen në banesa të reja në Tiranë.
Pak ditë pas tërmetit katastrofik, që i mori tetë anëtarë, familja Lala nga Këneta e Durrësit, është bërë me banesë të re. Kryeministri Edi Rama ka vënë në dispozicion apartamentet te banesat sociale në Shkozë, Tiranë, për këtë familje dhe persona të tjerë që humbën familjarët nga tërmeti në Thumanë e Durrës. Mbrëmjen e kaluar tragjedia u rëndua akoma më shumë në këtë familje, pasi ndërroi edhe Fiqirete Lala 64 vjeçe, pas ceremonisë mortore, pasi nuk e përballoi dot dhimbjen e madhe. “Kjo është shtëpia juaj tani. Keni tre shtëpi në këtë apartament”, u tha Rama familjarëve. Ndërsa Veliaj theksoi se do të kenë edhe një mjek në dispozicion, por edhe ushqim tre vaktet falas. “Ata nuk i kthejmë dot” tha Rama, ndërsa u tha familjarëve se “Për çfarë të keni nevojë unë jam këtu. Unë e dija që ju nuk do të rrinit atje, prandaj atje do të ndërtojmë një çerdhe”. Kryeministri u kërkoi banorëve që t’i presin me ngrohtësi anëtarët dhe t’i trajtojnë me kujdes.Vëllezërit dhe motrat e familjes janë zhvendosur në Tiranë tashmë te banesat sociale. Anëtarët e familjes Lala që u shuan nga tërmeti tragjik:
1. Amelia Lala 8 vjeç – Vila në Kënetë
2. Sahadete Lala 79 vjeç – Vila tek Këneta (Gjyshja dhe mbesa)
3. Griselda Lala- 22-vjeç – Vila tek Këneta
4. Marjeta Lala 31 vjeç
5. Emilio Lala
6. Enis Lala 2 vjeç -binjakë në Vilën në Kënetë
7. Dionisa Lala 2 vjeç -binjakë në Vilën në Kënetë
8. Ilir Lala, 52 vjeç, i fundit qe u nxorr nga vila në Kënetë
9. Fiqirete Lala, 64 vjeçe, ndërroi jetë gjatë drekës së varrimit të 8 familjarëve

Meta në homazhet për familjen Lala: E pamundur të gjesh fjalë ngushëllimi

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në homazhet për anëtarët e familjes Lala që humbën jetën si pasojë e tërmetit katastrofik që goditi vendin më 26 nëntor, në Durrës. “E pamundur të gjesh fjalë për të ngushëlluar familjen Lala pas kësaj tragjedie të tmerrshme. Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të pangushëllueshme. Është detyrimi ynë për t’i qëndruar pranë atyre gjithmonë”, është shprehur Meta.

17-vjeçari Ramë Lala u niset drejt Italisë për kurim, vazhdojnë kërkimet për xhaxhanë

Nuk përballoi dot dhimbjen, ndërron jetë në drekën e varrimit anëtarja e 9-të e familjes Lala
Rëndohet bilanci i tragjedisë në familjen Lala, në zonën e Kënetës, në Durrës, që ishte dhe një ndër familjet më të prekura të tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, duke e çuar në 9 numrin e të vdekurve. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanËeb” se ka ndërruar jetë një tjetër anëtare e kësaj familjeje, e cila humbi tragjikisht tetë anëtarë të saj nën rrënojat e tërmetit. Bëhet fjalë për shtetasen Fiqerete Lala, që është nusja e djalit të madh të familjes Lala. Ajo ka ndërruar jetë në drekën e varrimit të 8 anëtarëve të familjes së saj, pasi nuk e ka përballuar dot dhimbjen e madhe.

“Binjakët u gjetën në krahët e nënës”, Durrësi në zi për tragjedinë në familjen Lala
Familja Lala, e cila jetonte në banesën e tyre në zonën e ish-Kënetës në Durrës ka humbur 8 anëtarë të familjes, duke qenë familja më e prekur nga tërmeti tragjik i natës së 26 nëntorit. Me dhimbjen e kësaj familje janë bashkuar familjarë e miq, por edhe qytetarë të Durrësit, pasi gjithë qyteti është goditur e është në zi. Mes tjerash, edhe personalitete të politikës shqiptare, i kanë dhënë lamtumirën dy binjakëve, por edhe Amelias e Emilios. Po iu jepet lamtumira gjyshes dhe nënës së kësaj familje. Ata janë gjetur nën rrënoja duke mbrojtur fëmijët, por nuk kanë dale gjallë prej andej. Po i jepet lamtumirë edhe Griseldës, një studente e Universitetit të Durrësit. Po i jepet lamtumira e fundit edhe Ilirit, xhaxhait të fëmijëve