Skandali me “Rrugën e Arbrit”/ “Gjoka Konstruksion” dorëzoi informacione të rreme

2064

Kompania “Gjoka” me administrator Rrok Gjokën ka lidhur një kontratë nënkontraktore me një tjetër shoqëri, e cila ka administrator Erind Gjokën dhe që quhet “Gjoka 87”

 

Punimet e marra përsipër nga “Gjoka Konstruksion” nuk kanë përfunduar sipas kontratës. Kompania i ka paraqitur si të përfunduara në segmentin Zall Bastar – dalje Ura e Vashës dhe ka marrë paratë, por pas inspektimit, puna nuk është përfunduar.
Sipas Balkanweb, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në cilësinë e autoritetit kontraktor, ka bërë verifikimet e nevojshme për kompaninë “Gjoka Konstruksion” dhe ka zbuluar të dhënat e rreme për punët e kryera prej saj në “Rrugën e Arbrit”.
Në datën 12 shtator, ARRSH i ka kërkuar agjencisë së prokurimit publik nisjen e një procedure hetimi administrativ për kompaninë e ndërtimit “Gjoka Konstruksion”.
Konkretisht sipas raportit të ARRSH mbi verifikimin e punimeve në nënkontratën me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e “Rrugës së Arbrit” faza e parë, segmenti numër 3 Zall Bastar – dalje Ura e Vashës”, punimet e marra përsipër nga operatori “Gjoka Konstruksion” nuk kanë përfunduar sipas kontratës.
Ka zëra punimesh që janë paraqitur si të përfunduara por që në fakt janë të parealizuara dhe punimet në tunele vijojnë akoma. Inspektimi i kryer është realizuar pas një periudhe gati tre mujore nga data e kolaudimit, çka do të thotë se kompania është paguar nga thesari i shtetit për këto punime.
Por grupi i punës i ngritur nga ARRSH doli në përfundimin se asnjë nga tunelet e “Rrugës së Arbrit” nuk ka përfunduar dhe nuk plotëson parametrat dhe standardet e kërkuara.
Punimet e pakryera konsistojnë kryesisht në ndërtim drenazhi, torkretim me llaç, çimento, vendosje rrjete teli në skarpata zgarë hekuri, sistemi në ndriçim për njoftim evakuimi, sistemi i njoftimit të emergjencave në tunele, sistemi i detektimit të alarmit të zjarrit dhe ai i tokëzimit.
“Gjoka konstruksion” ka marrë me koncesion ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” për 225 milionë euro. Kompania duhet të siguroje paratë, të ndërtojë rrugën dhe më pas shteti e paguan, por në pamundësi për të gjetur pagesat ka falsifikuar dokumentet dhe ka marrë gati 70 miliardë lekë nga thesari i shtetit për punë të papërfunduara.
Sipas ligjit, në çdo rast kur vërehen paraqitje të të dhënave të rreme është detyrim taksativ i autoritetit kontraktor të shkualifikojë operatorin që i ka paraqitur ato të dhëna dhe të nisë procedurën e përjashtimit nga pjesëmarrja në prokurimet publike.

 

Krimet e Rënda, verifikim te Rruga e Arbrit sa për “adet”. Si mashtroi “Gjoka” me miliona euro

• Ish drejtoresha e ARRSH Sonila Qato, të cilën Rama e bëri “kurban” për hir të krushqisë Rrok Gjoka-Gaz Demi ka bërë kallëzim penal për mashtrimin në Rrugën e Arbrit. Arta Marku e Donika Prela dërgojnë për verifikim prokurorët, për t’i hedhur “hi syve” shqiptarëve

Pas përplasjes së fortë me ish drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, pronari i kompanisë “Gjoka” e cila ka marrë në koncesion Rrugën e Arbrit është vënë në qendër të goditjes së medias dhe komenteve të forta të publikut në rrjetet sociale.
Qato e akuzoi “Gjokën” se ka mashtruar me punimet e pakryera në tunelet e kësaj rruge të rëndësishme në verilindje të vendit, duke kërkuar hetim administrativ për të.
Përplasja ka qënë e pafat për ish drejtoreshën e ARRSH, e cila ndonëse nuk ka qënë ‘qibar’ dhe e pastër në punën e saj, këtë radhë u bë “kurban” nga kryeministri Edi Rama vetëm e vetëm që të mos preken oligarkët klientë të tij, krushqia Rrok Gjoka-Gaz Demi.
Duke qenë se kjo punë ka marrë erë dhe “qelbi” i mashtrimit ka marrë zyrtarisht rrugët, Donika Prela, drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka dërguar oficerët e saj në Rrugën e Arbrit, për të kryer verifikime për llogari të hetimeve të nisura nga prokurorja Doloresa Musabelliu.
Verifikimet në terren po kryhen për të parë zbatimin e punimeve për fazën e parë, segmenti tre, të Rrugës së Arbrit në segmentin “Ura e Cerenecit” Bllatë, “Ura e Vashës” dhe tunelet t4, t5, t6.
Janë tre tunele, punimet e të cilëve u deklaruan nga ana e Rrok Gjokës si të kryera me sukses, duke i paraqitur dhe në letrat e tenderit për tunelin Kardhiq-Delvinë, si një element i fuqishëm shtesë për ta fituar dhe atë tender.
Kqyrjet e sotme të grupit të hetimit nisen për llogari të hetimeve të hapura javët e kaluara, për shkak të dy kallëzimeve të ndërsjellta mes ish-drejtoreshës së ARRSH, Sonila Qato dhe një shoqërie që ka dorëzuar kallzim për ish zyrtaren.
Mësohet se organi i akuzës nuk e ka filluar hetimin e çështjes me kryesisht, por sepse ish drejtoresha Qato denoncoi pranë Krimeve të Rënda “Gjoka Construction” me akuzën se ka falsifikuar dokumentet gjatë paraqitjes së dokumenteve në procedurën e tenderimit të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Në kallzimin e Qatos i thuhet prokurorisë së “Gjoka Construction” ka paraqitur dokumente sikur ka përfunduar punimet në Rrugën e Arbrit, duke kryer një mashtrim të fortë, i ngjashëm me atë të “DH-Albania” të Bashkim Ulajt, me qëllim përfitimin e miliona eurove nga ky tender.
Nga ana tjetër kompania e oligarkut klient të Ramës, dorëzoi padi përmes avokatit mbrojtës duke arsyetuar se ishte skualifikuar nga gara për të favorizuar një firmë tjetër dhe se inspektorët në rrugën e Arbrit thjesht kishin bërë një shëtitje.
Kallëzimi i kompanisë ishte për dyshimet e korrupsionit, në një kohë që më tej u përmend që gjatë garës për tunelin e Kardhiq-Delvinë ka deklaruar që ka përfunduar punimet në mënyrë pjesore dhe se punimet vazhdojnë.
Duke parë përfshirjen në hetim të Prokurisë së Krimeve të Rënda vetëm pasi ish drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato, bëri kallzimin në organin e akuzës, është e sigurtë se Donika Prela ka dërguar oficerët e saj për të verifikuar në terren, thjeshtë dhe vetëm për të bërë “adetin”.
Prokuroria e Arta Markut dhe vartëses së saj Donika Prela është tërësisht nën shërbimin e Edi Ramës, duke hapur dhe mbyllur dosje për interes të tij, pasi as që ka ndërmend të hetojë dhe të dërgojë në gjykatë dosjen e mashtrimit të krushqisë Rrok Gjoka-Gaz Demi./Pamfleti

 

Gjoka kontratë me shoqërinë e djalit të tij, si u vlerësuan punimet

Thellohet skandali me ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” nga kompania “Gjoka Konstruksion”.
Për të realizuar një pjesë të ndërtimeve në “përmirësimin, ndërtim-operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit” segmenti numër 3, Zall Bastar Dalje-Ura e Vashës si dhe segmenti Ura e Cerenecit- Bllatë, kompania “Gjoka konstruksion” me administrator Rrok Gjokën ka lidhur një kontratë nënkontraktore me shoqerinë e djalit të tij, “Gjoka 87”, me administrator Erind Gjokën.
Kontrata me afat 12 mujor lidhet pikërisht me punimet e konsideruara si të papërfunduara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për të cilat janë marrë paratë nga buxheti i shtetit mbi bazën e dokumenteve të rreme. Për këtë arsye ARRSH kërkoi nisjen e hetimeve për kompaninë e ndërtimit ‘Gjoka Konstruksion’.
Ajo që është e çuditshme është fakti se në këtë kontratë sipërmarrës rezulton shoqeria ‘Gjoka 87’ dhe nënsipërmarrës ‘Gjoka konstruksion’, pavarësisht se tenderin për rrugën e Arbrit e ka fituar kjo e fundit.
“Dosja.al” 17 Shtator, 2019