Për Kongresin e Manastirit dhe të Dibrës të para 100 vjetëve

982
SONY DSC

Prof. Bajram XHAFA

Kongresi i Manastirit para 111 vjetësh dhe ai i Dibrës para 110 vjetësh, patën si objekt kryesor çështjen e alfabetit. Vendimi që morën për Alfabetin Latin për shkronjat shqipe, përbën një akt revolucionar që “shpejtonte” rrugën drejt pavarësisë. Këtë vlerë askush nuk e ka vënë dyshim, dhe nga historiografia ka pasur vlerësimet më të larta në çdo kohë. Për historinë e alfabetit kanë shkruar shumë nga studiuesit tanë. Alfabeti latin nënkuptonte dhe një identitet “kombëtar”, “evropian” ose “perëndimor” dhe, deri identitet “latin”. Një analizë të hollësishme për këtë problem ka bërë studiuesja franceze Natali Klejer tek vepra “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë”. Me këtë vendim, Shqipëria u “çlirua” nga harfet arabe dhe kompleksi aziatik. Kjo i voliste edhe teknikës (evropiane) së shtypshkrimit. Ky akt u konsiderua dhe konsiderohet si provë e pjekurisë politike të shqiptarëve. Tre vjet më vonë, në Shqipëri ja mbërriti Pavarësia.
Me gjithë çertifikatën e lartë të futjes së alfabetit latin, historia e mëpastajme e Shqipërisë dhe e shqiptarëve përbën një kalvar të vërtetë. Domethënia e këtij akti, përmbysja revolucionare e së vjetrës “anadollake, turkomane e aziatike” dhe “hapja” drejt Evropës ka dhe një anë tjetër të medaljes: një kapak hekuri për të mbyllur gjithë trashëgiminë e shkruar historike e kulturore shqiptare të periudhës osmane. Një fshirje të kësaj historie. Këtu do të rrekem ndopak edhe unë.
Duke përqasur historinë e Japonisë me atë të Turqisë, të cilat në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX për ardhmërinë kanë pasur gjasa pothuajse të barabarta, Alija Izetbegoviq shkruan se Japonia është orvatur t’i unjisojë traditat me progresin, ndërsa modernistët e Turqisë zgjodhën rrugën e kundërt. Dallimi në filozofinë e reformatorëve japonezë dhe turq, mbase nuk ka qenë askund aq i qartë, aq karakteristik sa në çështjen e alfabetit.
Derisa Turqia e abrogoi alfabetin arab (1928), i cili për nga thjeshtësia e tij me vetëm 28 shenja, bën pjesë ndër alfabetet më të përkryera dhe më të përhapura botërore, Japonia refuzoi kërkesën e romajve të vet që të aplikojë alfabetin latin. Ajo mbajti alfabetin e vet të komplikuar, i cili, pas reformës, përveç 46 shenjave përmban edhe 880 ideograme kineze. Megjithatë sot shohim se ku është Japonia e ku Turqia.
Shpejt u bë e qartë se nuk ishte fjala vetëm për alfabetin si mjet i thjeshtë i regjistrimit. Shkaqet e mirëfillta, e pastaj edhe pasojat, janë shumë më të thella dhe më të rëndësishme. Esenca e tërë qytetërimeve dhe e progresit njerëzor është në vazhdimin, e jo në shkatërrimin dhe mohimin, shkruan Izetbegoviq.

Alfabeti është mënyrë me të cilën populli mban mend dhe jeton në histori

Me eliminimin e alfabetit arab e tërë pasuria e së kaluarës, e ruajtur me fjalën e shkruar, për Turqinë, (kjo vlen edhe për Shqipërinë, B. Xh.) ka qenë kryesisht e humbur dhe ajo me këtë veprim të vetëm është bastarduar deri në kufijtë e barbarisë. Krahas një varg reformash të tjera paralele, (për Shqipërinë bëhet fjalë për revolucione), brezi i ri turk (dhe shqiptar) u gjet pa mbështetje shpirtërore dhe në një llojë vakuumi shpirtëror. Turqia ka humbur kujtesën e saj, të kaluarën e saj. Po ashtu edhe Shqipëria? Kujt i nevojitej kjo? Në këtë kuptim, ky akt ka qenë një atentat kulturor, me synime të largëta.
Grekët, serbët, rusët vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm alfabetin e vjetër cirilik, madje e mbajnë si të “shenjtë”, ndërsa përfaqësuesit e modernizmit në botën islame në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti, nuk kanë qenë, pra, ai lloj i njerëzve të mençur popullorë, të cilët kanë ditur në rrethana të ndryshuara dhe në mënyrë të re t’i realizojnë idealet dhe vlerat e vjetra. Ata janë ngritur kundër vlerave dhe shpesh me cinizëm të ftohtë dhe miopi të tmerrshme i kanë shkelur shenjtëritë popullore dhe e kanë shkatërruar jetën reale, që në vend të saj ta rimbjellin imitimin e jetës. Si pasojë e kësaj furie,…janë krijuar, ose janë në rrugë të krijohen, kombet-plagjiate (nënvizimi im), me shartesa: vende shpirtërisht të trazuara, pa fizionomi vetjake dhe pa ndjenjë për jetën vetjake. Në këto vende, shkruan A. Izetbegoviqi, çdo gjë është joautentike dhe artificiale, pa entuziazëm dhe fuqi të vërtetë, sipas shembullit të shkëlqimit të rrejshëm të qyteteve të tyre të evropianizuara. Dibra e Madhe është viktima më e gjallë e këtij agresioni të fshehtë e të hapur.
Shto këtu faktin se historia e mbi 150 vjetëve të fundit për shqiptarët është histori e shfarosjes së pandërprerë të tyre nga sllavo-grekët ortodoksë me masakra, spastrime etnike dhe genocid, asimilimin me dhunë dhe e një lloj “klonimi” ku në të ashtuquajturin “Ballkan Perëndimor”, një eufemizëm për të zëvendësuar emërtesën Shqipëria Lindore, me brumin shqiptar u mveshën a krijuan popuj, shtetet e “kombet” maqedonas, malazezë, apo iu shtuan popujve grekë e serbë. Shembulli më i fundit është ai i Maqedonisë Veriore së cilës mezi i “gjetën” emrin. Ndryshimet demografike në “Ballkanin Perëndimor” u bënë tërësisht në kurriz të shqiptarëve.
Ç’kuptim ka pasur pavarësia e një vendi (mysliman) dhe si e kanë përdorur ata këtë liri?
Me pranimin e modeleve të huaja ideore dhe të politikave të tyre; me kërkimin e mbështetjes politike te të huajt, qoftë tek ata në Perëndim ose tek ata në Lindje, çdo njëri nga këto vende, vullnetarisht, në gojën e sunduesve të rinj, ka pranuar robërimin e sërishëm: filozofia e huaj, mënyra e huaj e jetës, ndihma e huaj, kapitali i huaj, përkrahja e huaj. Pavarësia është reduktuar në himn dhe flamur.
Për shqiptarët ky qe edicioni i parë i modernizmit kulturor me anë të alfabetit, të evropianizimit e të “latinizmit” të tyre. Kështu, Historia e Shqipërisë humbi “lidhjet” historike 500 vjeçare. Myslimanizmi shqiptar bëri shkëputjen e parë të fortë nga Libri i shenjtë, Kurani. Hiquani myslimanëve Kuranin dhe pastaj nuk ka nevojë t’i luftosh ato me armë apo mjete të tjera, thoshte Dizraeli. Kjo qe si paradhënie para se të shpallej pavarësia. Të tjerat do të vinin më pas.
Mund të pyetet: ç’farë mund të bëhet sot? Ta kthejmë historinë mbrapa? Padyshim, ajo që u bë para 100 vjetësh nuk mund të kthehet. Alfabeti latin u ngjit, u bë “përvojë historike”, traditë e trashëgimi historike, u fosilizua. Boshllëku duhet mbushur nëse i lëmë fushë të lirë asgjësimit si popull e si komb. Shqiptarët duhet t’i mëshojnë rimëkëmbjes së nacionalizmit dhe forcimit të besimit fetar, sidomos asaj islame.
Edicioni i dytë: Gjysmë shekulli pas ndryshimit të alfabetit kemi fjalën e 6 Shkurtit 1967 të Enver Hoxhës e cila, me fshesë të hekurt fshiu nga faqja e dheut (të Shqipërisë politike, komuniste) kishat, xhamiat dhe besimin në Zot. Myslimanizmi, shpëtimtari i etnisë shqiptare, e pësoi më rëndë, sepse ai mbeti krejtësisht i izoluar, pa asnjë lindje e mbështetje. Kurani, libri i shenjtë i myslimanëve u zhduk. Ky qe një përshkallëzim tjetër në procesin e përmbysjes së historisë së vërtetë të shqiptarëve dhe të islamizmit ndër shqiptarët.
Edicioni i tretë, që t’i lidhim nyjat e historisë me fillin e kuq marksist-leninist apo fillin e zi evropianist e t’i marrim shkallë-shkallë. Me rënien e komunizmit, krishtërimi shqiptar e pati të lehtë rimëkëmbjen;¬ kishte mbështetjen e Evropës dhe të fqinjëve, madje kaloi në revansh. Për “infrastrukturën” dhe pasurimin e tij të mëtejshëm ishte punuar me programe të posaçme. Ndërsa Islami, me shpalljen e lirisë së fesë u sulmua, u anatemua, u denigrua; u shpall “fundamentalist”, agresiv e i rrezikshëm. etj. etj.
Këtë e kuptoi mirë së pari Ramiz Alia, presidenti komunist i Shqipërisë postdiktatoriale (në fakt ai(ose qe i mësuar me kohë dhe e dinte fort mirë lojën qysh në gjenezë), prandaj, para se të bënte dorëzimet, na solli në Shqipëri një Paleolog, jo paleontolog, një “dinast” i rënë nga historia para 500 e kusur vjetësh, mbeturina e fundit e Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit), që t’u hapte shqiptarëve vizione dhe iluzione ortodoksie e krishtërie. Më pas Fatos Nano, kryeministri komunisto – socialist i “tranzicionit”, shpalosi hapur objektivin e vërtetë duke hedhur tezën e lëshuar direktivën si “udhëheqje për veprim” të zhdukjes së 555 vjetëve të historisë së Shqipërisë.
Ç’ka nënkuptonte përmbysjen dhe fshirjen nga faqja e “dheut” të historisë së periudhës osmame, pikërisht atë periudhë kur u ringjall e u mëkëmb raca iliro-shqiptare dhe u formua kombi shqiptar me tiparet që ka sot. Kthimi i historisë shqiptare në mesjetën klasike do të shoqërohej sipas atij plani, me kthimin e popullsisë shqiptare në latinizëm, në ortodoksizëm dhe konvertimin e myslimanëve shqiptarë në fenë e të parëve, dmth, në të krishterë. Klonimit ideologjik marksist leninist do t’i zinte vendin klonimi fetar.
Starti i parë për groposjen e historisë kombëtare dhe të fesë islame ndër shqiptarë ishte ndryshimi i alfabetit. Direktivat e mëvonshme për “reforma” do të ishin një vazhdimësi që do ta thellonin shkëputjen e historisë nga tabani dhe trashëgimia historike e bashkëjetesës shqiptaro-osmane.
Sot ka ardhur në Shqipëri arkivi i Stambollit apo një pjesë e tij që shqiptarët të shohin e të njohin historinë tyre të vërtetë, por pasojat e shkëputjes drastike do të ndjehen. Për t’u bërë i përdorshëm duhen programe kombëtare për të për përgatitur specialistë, osmanistë. Vetëm atëherë mund dhe do të bëhet “zbardhja e shumë ngjarjeve dhe disa personaliteteve që njihen si ikona të historisë dhe e disa të tjerëve që njihen si njolla të zeza në historinë tonë.
Në rrjedhjen e kësaj ecurie të rendjes sonë drejt “progresit”, vjen pyetja: Ku ishim? ku jemi? ku vemi¬?
“O Allah kërkoj mbrojtjen tënde nga këto katër gjëra: nga dituria që nuk sjell dobi, nga zemra që nuk frikësohet, nga nefsi që nuk ngopet dhe nga duaja që nuk pranohet”. Hadith Sherif.