POZITA GJEOGRAFIKE DHE RESURSET TURISTIKE TË BASHKISË BULQIZË

5901

Bashkia e Bulqizës ka një sipërfaqe prej 694 km2. Gjithë territori i bashkisё shtrihet nga 300 m, deri në 2000 m lartësi mbi nivelin e detit

 

Bashkia e Bulqizës shtrihet në rajonin verilindor të Shqipërisë. Në kordinanatat 41037’ gjërësi gjeografike veriore ( njësia administrative Shupenzë), 41021’30’’ gjatësi gjeografike veriore (njësia administrative Trebishtë), 20018’50’’ gjërësi gjeografike lindore, 20007’30’’ gjatësi gjeografike lindore ( njësia administrative Martanesh).
Në veri kufizohet me bashkinё Dibër, në lindje me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në jug-perёndim me bashkinё Tiranë, nё jug me bashkinё Librazhd dhe në perëndim me bashkinё Klos. Qendra e kёsaj bashkie ёshtё qyteti i Bulqizёs. Gjatësia e vijës kufitare është 120 km. Nga këto gjatësia e vijës kufitare me bashkinё e Dibrës është 25 km, me bashkinё e Librazhdit 29 km, me Republikën e Maqedonisë 30 km, me bashkinё e Klosit 23 km dhe me bashkinё e Tiranës 13 km.
Bashkia e Bulqizës ka një sipërfaqe prej 694 km2. Gjithë territori i bashkisё shtrihet nga 300 m, deri në 2000 m lartësi mbi nivelin e detit. Bashkia e Bulqizёs ka nё pёrbёrje 7 njёsi administrative tё cilat janё: Bulqizё, Martanesh, Fushё-Bulqizё, Zerqan, Gjoricё, Ostren dhe Trebisht.
Oferta gjeografiko-natyrore ёshtё njё nga elementёt e rёndёsishёm tё zhvillimit turistik. Potenciali natyror pёrbёn bazёn e potencialit turistik primar pasi ai ka tё bёjё si dhe në ҫfarë mёnyre mjedisi gjeografik natyror ndikon nё zhvillimin e turizmit nё bashkinё Bashkisё.

NDËRTIMI GJEOLOGJIK DHE GJEOMORFOLOGJIK I BULQIZËS
Nga pikëpamja gjeologjike, Bulqiza, bën pjesë në zonën tektonike të Mirditës dhe në zonën tektonike të Krasta-Cukalit, e cila shtihet në formën e një rripi nga Labinoti në Dibër. Ndërtimi gjeologjik i Bulqizës përfaqësohet nga shkëmbinjtë magmatik në masën 65% si dhe ato terrigjen dhe sedimentar. Kjo larmi litologjike kushtëzon coptimin e madh horizontal dhe vertikal, kontrastet e theksuara hipsometrike si dhe tipet e shumtë të relievit litologjik. Strukturat janë të shumëllojshme dhe të ndërlikuara.
Në formimin e veҫorive strukturore të zonës, rol të rëndësishëm kanë luajtur lëvizjet e fuqishme diferencuese (ngritëse dhe ulëse), ku si rezultat i tyre kemi shfaqjen e horsteve dhe grabeneve, të cilat janë të përfaqësuara nga malet përrreth dhe luginat. Në këtë zonë mund të themi se relievi është më shumë rezultat i tektonikës shkëputëse sesa asaj rrudhosëse. Por gjithashtu në bashkinё e Bulqizës ndodhet dhe shkëputja tektonike me drejtim të kundërt me ato normalet (veriperëndim-juglindje), por jugperëndim-verilindje, e cila përfaqësohet nga thyerja Qafë Buall-Bulqizë-Vajkal.
RELIEVI
Bashkia e Bulqizës karakterizohet nga një reliev kodrinor-malor. Si rezultat i larmisë litologo-strukturore si dhe faktorëve të morfodinamikës së jashtme (klima dhe hidrografia), bashkia e Bulqizës ka një reliev të larmishëm ku malet janë të gërshetuara me luginat. Në nënnjësitë e relievit të Bulqizës përmendim: malin e Lopës, mali e Homeshit, mali i Dhoksit, mali i Kaptinës, lugina e Bulqizës, lugina e Planit të Bardhë, lugina e Valit etj. Në përgjithësi mbizotëron relievi i lartë mbi 1000 m. Përsa i përket llojeve të relievit, janë të pranishëm relievi strukturoro-eroziv, relievi karstik, relievi erozivo-denudues si dhe relievi akullnajor.
Relievi strukturoro-eroziv është i përfaqësuar nga horstet dhe grabenet, të cilat, siҫ e theksuam dhe më lart, janë rezultat i lëvizjeve diferencuese vertikale (shkëputëse). Relievi karstik është i përhapur më shumë në pjesën jugperëndimore të rrethit të Bulqizës, ku dhe masivet karbonatike janë më të përhapura. Ndërsa relievi akullnajor është i përfaqësuar nga format akullnajore siҫ janë morenat dhe liqenet akullnajore (liqenet e Balgjajt, liqenet e Kasnisë, liqeni i Zi etj.)
Lugina e Bulqizës dhe e Planit të Bardhë ndahen mes tyre nga qafa e Buallit. Lugina e Bulqizës i përket pellgut ujëmbledhës të Drinit të Zi, ndërsa ajo e Planit të Bardhë pellgut të Matit. Lugina e është formuar nga shkëputja tektonike, e cila kalon tërthor masivit ultrabazik të Bulqizës. Ka një gjatësi rreth 25 km dhe gjendet në lartësinë 600-800 m mbi nivelin e detit. Lugina rrethohet nga shpate malore të thepisura. Ajo përbëhet nga sektori i sipërm dhe sektori i poshtëm, të cilat kanë tipare të veçanta morfologjike.
Sektori i sipërm është i përfshirë nga lëvizje ulëse, gjë e cila dëshmohet nga depozitimet proluviale-aluvionale kuaternare, mungesa e tarracave lumore, karakteri i rrafshët i saj etj. Në sektorin e poshtëm (Vajkalit) lugina ngushtohet dhe vende-vende merr formën e grykës. Aty shfaqen dhe nivelet e tarracave, lugina bëhet më e drejtë, që lidhet me përfshirjen e këtij sektori nga lëvizjet ngritëse. Zgjerohet pasi bashkohet me Zallin e Okshtunit dhe hyn në zgjerimin e madh të Dibrës. Në këtë luginë, sidomos në sektorin e sipërm të saj, ka kone të depozitimit fluvioglaciarë, sepse përrenjtë vazhdojnë të sjellin sasira të mëdha materialesh.
Malësia e Martaneshit ka peizazh akullnajor, veҫanërisht në lartësite mbi 1500-1600 m, me liqenet akullnajorë si: liqeni i Zi, liqeni i Bardhë, i Dhoksit etj. Përvec malit të Lopës, Dhoksit, ngrihen edhe maja të tjera si Kaptinës (1873 m), Tri Gjepurave (1774 m). Luginat më karakteristike janë: lugina e Batrës, Theknës, Lenës. Ndërtimi gjeologjik i kësaj lugine është kryesisht nga magmatikët
Malësia e Gollobordës shtrihet në pjesën lindore të bashkisë të Bulqizës. Karakterizohet nga një reliev i valëzuar me kurrize te ulëta dhë të gërryera nga erozioni i përrenjve. Luginat në këtë malësi kanë pamjen e gropave të mbyllura e të sheshta, si: fusha e Klenjës, Sterblevës dhe Studnës si edhe lugina e Okshtunit. Ndërsa në pjesën lindore shtrihet vargmali i Raducit (2064 m) dhe maja e Zezë (2257 m).
Zgjerimi i Dibrës ndodhet në lartësinë 400-500 m mbi nivelin e detit dhe ka një gjatësi prej 8 km dhe gjersi 4-5 km. Pjesë e këtij zgjerimi në bashkisë e Bulqizës janë fushat dhe kodrat e Shupenzës dhe Gjoricës, me një reliev fushor e kodrinor të valëzuar. Gjenden të përhapura tokat e kafejta, të kafejta livadhore dhe aluvionale (të formuara nga depozitimet e prurjeve të ngurta të lumenjve).

KLIMA
Në bashkinë e Bulqizës dallohet zona klimatike mesdhetare paramalor dhe mesdhetare malore e cila karakterizohet nga dimër i ftohtë me temperatura nën 0 gradë C dhe me reshje të pakta.
• Temperatura mesatare shumevjeҫare është 11.4 gradë C
• Temperatura mesatare shumëvjeҫare e korrikut është 19.3 gradë C, e janarit është 1.1 gradë C.
• Temperatura më e lartë është regjistruar 38 gradë C.
• Temperatura më e ulët e regjistruar është -22 gradë C.
Klima e kësaj luginë është mjaft e ftohtë, gjë e cila lidhet jo vetëm me lartësinë e madhe mbi nivelin e detit, por dhe me erën e fortë që fryn. Duke qenë e hapur nga lindja, nëpër të depërton murlani nga lugina e Drinit të Zi. Këtu erërat lindore kanalizohen dhe forcohen dhe vazhdojnë rrugën për në luginën e Matit, pasi Qafa e Buallit ka lartësi të vogël relative. Prandaj në luginën e Bulqizës dhe në Qafën e Buallit pothuajse vazhdimisht fryn erë. Kjo luginë përshkohet nga Zalli i Bulqizës që merr degë të shumta nga e majta dhe e djathta, dhe derdhet më pas në Drinin e Zi.
Reshjet në këtë rreth janë nën mesataren e vendit. Mesatarja vjetore shumëvjeҫare arrin 1187 mm në vit. Stina më e lagësht është dimri (dhjetori). Muajt më të thatë janë korriku dhe gushti. Pjesa më e madhe e reshjeve bie në formën e dëborës. Ditët me reshje gjatë vitit zgjasin 120 ditë nga këto me dëborë deri në 40 ditë. Era më dominuese veҫanërisht për luginën e Bulqizës është Murlani, një erë e thatë kontinentale dhe karakteristike për këtë zone. Drejtimi i saj kryesor është lindja. Meqë vjen nga kontinenti është e thatë dhe e ftohtë dhe në situata të caktuara sinoptike është e fortë, duke shkaktuar shpesh dëme dhe duke sjell temperature shumë të ulëta. Krahas “murlanit” tipike për zonën janë edhe erërat e shpatit, luginës me emërtime të ndyshme sipas fshtarave apo krahinave.

HIDROGRAFIA
Bulqiza paraqitet me një rrjet hidrografik mjaft të pasur. Lumi kryesor që rrjedh në territorin që përfshin kjo bashki është Drini i Zi. Lumi Drin përshkon 6.85 km në territorin e bashkisë Bulqizës. Ky lum buron nga liqeni i Ohrit, pas daljes nga ky liqen në qytetitn e Strugës vazhdon rrugën nëpër një sërë grykash të ngushta të cilat mbarojnë në Urën e Spilesë. Arteri kryesor i Drinit, pasi kalon në kufijt shtetëror të vendit është Zalli i Bulqizës. Zalli i Bulqizës, i cili buron në liqenet e Balgjajt, merr me vete shumë përrenj të vegjël e përroska. Formohet nga bashkimi i ujërave të përroit të Okshtunit dhe përroit të Dushajt. Ky lumë e ka gjatësinë e shtratit 46.5 km, sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës 484 km2 , lartësinë mesatare 1150 km dhe rënie 25m/km.
Zalli i Okshtunit ka fillimin e tij në serinë e përrenjve malorë që zbresin nga shpatet VL të maleve të Mirakës (1751 m) dhe Kaptinë (1873 m). Përroi i Dushaj formohet nga bashkimi i rrëkeve që zbresin nga shpatet lindore të malit të Lopës (2020 m) si dhe nga shpatet perëndimore të malit të Alamanit (2097 m). Pas kësaj ujrat e përroit të Dushaj rrjedhin në drejtim lindor të cilin e ruajnë deri në bashkimin me ujërat e Zallit të Okshtunit. Pas këtij bashkimi ai merr emrin Zalli i Bulqizës. Ky lumë vazhdon të rrjedh në drejtim verior dhe derdhet në Drinin e Zi.

TOKAT
Tipet e tokave që shtrihen në bashkinë e Bulqizës janë:
Tokat e kafejta, kjo kategori tokash shtrihet në lartësinë nga 600-1000 m mbi nivelin e detit. Këto toka formohen mbi shkëmbinjtë sedimentrë dhe shumë pak mbi ato magmatik e metamorfik. Nga formacionet sedimentare më të përhapura janë shtufet ranore, ranorët e shkrifët, argjilat, konglomeratët etj. Këto toka vendosen mbi eluvin e separatinës dhe magneziteve gjysmë të alteruara. Përhapjen më të madhe këto toka e gjejnë në komunën Shupenzë, në komunën Martanesh.
Toka të kafejta livadhore (KL), këto toka cilësohen edhe si toka kalimtare, sepse përbëjnë brezin e kalimit midis tokave të kafejta dhe atyje livadhore të kafejta, si nga prejardhja ashtu edhe nga cilësia e tyre. Janë të pasura me Ca të këmbyeshëm, përmbajnë më pak humus së tokat e kafejta rreth 3-5 %.
Tokat livadhore malore, kjo kategori toke formohen nën ndikim e klimës mesdhetare malore, me temperaturë relativisht të ulët dhe reshje të shumta. Bimësia karakteristike e këtyre tokave është ajo barishtore dhe leguminoze. Karkteristikë e tokave livadhore malore është horizonti humusor shumë i zgjatur, përqindja e humusit shkon nga 1.5 % – 20 %. Këto toka hasen më shumë në zonën e Martaneshit.
Toka të murrme pyjore, tokat e këtij brezi të zonalitetit vertikal shtrihen në lartësinë 1000-1600 m mbi nivelin e detit. Formohen nën ndikimin e klimës mesdhetare paramalore. Këto toka formohen mbi formacione sedimentare ranore, gëlqeror masiv dhe ultrabazik. Përhapjen më të madhe këto toka e gjejnë në malësinë e Martaneshit dhe atë të Gollobordës.
Tokat torfike (kënetore), këto toka janë të përhapura në shumë zona të vendit tonë. Në rrethin e Bulqizës këto toka gjenden në fushën e Bulqizës. Kanë profil pedologjik të diferencuar dhe kanë kapacitet të lartë ujorë.
Tokat aluvionale, këto toka formohen si rezultat i veprimtarisë gjeologjike të lumenjëve. Vendosen zakonisht mbi formacione aluviale të vjetra dhe të reja, të përbëra nga rëra, zhavori dhe zalli i lumit. Këto toka ndikohen edhe nga bimësia barishtore dhe ajo livadhore. Në formimin e tyre ndikojnë njëkohësisht edhe kushtet klimatike, relievi dhe faktori biotik. Ky tip toke është më përhapur në zonë e Shupenzës dhe Gjoricës.

BIODIVERSITETI
Bashkia e Bulqizës është mjaftë e pasur me bimë dhe kafshë. Shpërndarja e tyre kudo në male, kodër, luginë, fusha etj, është mjaft e larmishme në numër e në lloje. Në qytete (Bulqizë e Kraste), bimësia brenda qytetit është e kultivuar, kryesisht bimë dekorative si: bredhi, pisha, bliri, akacia etj. Mbjellja e këtyre pemëve dekorative ka filluar të aplikohet edhe në qendrat e komunave. Bashkia Bulqizës dallohet për një mbulesë bimore mjaftë të pasur në sasi dhe në lloje. Kjo mbulesë bimore përfaqësohet nga :
• Kati i dushqeve dhe shkurreve ( 800–1100 m ) zë vendin e dytë për nga sipërfaqja pas atij të ahut, ku mbizotëron dushku, lisi, qarri etj.
• Kati i ahut ( 1200–1800 m ) ka shtrirjen më të gjerë, druri më i përhapur është pisha e zezë dhe bredhi i bardhë.
• Kati i kullotave alpine ( mbi 1800 m)

Kati i dushkut shtrihet në formën e një brezi midis lartësive 800-1000 m, vjen i dyti për nga sipërfaqja që zë pas atij të ahut. Zona e dushkut është e organizuar edhe në trajtë masivesh sidomos në Zerqan, Sopot, Klenjë etj. ku mbizotëron kryesisht dushku, lisi, qarri etj.
Shtrirjen më të gjerë e ka kati i ahut dhe i halorëve, që shtrihen në lartësinë deri në 1200-1800m mbi nivelin e detit. Druri më i përhapur i këtij brezi është pisha e zezë dhe bredhi i bardhë. Si shtrirje përhapjen më të madhe e ka në Bajgjaj, malin e Bardhë, Dhoks, Tërnovë etj.
Kati i fundit bimor i përhapur në këtë zonë është ai i kullotave alpine. Shtrirja e këtij kati fillon në lartësitë mbi 1800 m, dhe janë sipërfaqe toke me bimë barishtore, që shtrihen mbi kufirin më të lartë të pyjeve dhe shërbejnë si kullotë për bagëtitë e imëta.
E ndikuar edhe nga larmishmëria e formave të relievit dhe zonalitetit bimor, rrethi i Bulqizës karakterizohet edhe nga një botë shtazore mjaft e pasur. Malet përrreth kanë qenë dhe janë (krahas dëmtimeve të shumta nga gjuetia pa kriter) të pasura me kafshë të mëdha mishngrënse, si të tilla mund të përmendim: ujku, dhelpra, macja e egër, lakuriqi i natës etj. Ndërsa si barngrënës më të përhapur janë: lepuri, iriqi, breshka, urithi etj. Gjithashtu bota shtazore pasurohet edhe me lloje të tjera si: kërmilli, zhapiku, hardhuca, zhaba, nëpërka etj. Ka edhe lloje shpendësh shtegëtar dhe joshtegëtar si: trumcaku, harabeli, gushkuqi, gushverdhi, dallëndyshja etj.
PËRDORIMI I BURIMEVE
NATYRORE DHE ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM
Bashkia Bulqizë ka burime natyrore të pasura e të shumëllojshme duke ofruar një peizazh të bukur kryesisht malor, me pyje e kullota masive, me ujëra sipërfaqësore e nëntokësore, kjo natyrë e begatë të fton e të bën optimist për mundësitë e “zhvillimit të qëndrueshëm” të kësaj njësie. Ndërhyrja e njeriut në mjedis ka qenë e ndryshme në periudha të ndryshme kështu gjithmonë e më shumë mbi pyje po ndërhyhet duke zvogëluar sipërfaqet pyjore. Nga ana tjetër po degradohen së tepërmi dhe tokat, përdorimi pa kriter i pesticideve dhe i plehrave kimike po degradon ato së tepërmi, por ndodh dhe një fenomen i kundërt ato lihen djerrë të papunuara duke hapur vatra të tjera erozioni dhe duke rritur shpejtësinë e erodimit dhe dezertifikimit të tyre.
Sot është e vështirë të gjesh një sipërfaqe brenda kësaj zonë që të mos jetë ndryshuar nga dora e njeriut, mjedisi po antropizohet me shpejtësi, njeriu po e kthen gjithçka të natyrës në favor të tij pa marrë parasysh ligjësitë dhe rregullat që veprojnë aty duke rrezikuar shumë sidomos gjeneratat e ardhshme, pasi me këtë “katastrofë” që po bëhet aktualisht sidomos mbi pyje dhe tokat bujqësore brezave në vazhdim do tu trashëgohet një katastrofë e madhe mjedisore pasi ne po e çojmë këtë ambient këtë ekosistem në një katastrofë ekologjike, prandaj duhet që sa më shpejtë që të jetë e mundur të merren masa rrënjësore, radikale për të ndaluar këtë ndërhyrje pa kriter,
• Të kultivohen sa më shumë fidanishte,
• Të ruhet rreptësisht fauna, të ndalohet gjuetia
• Të shpallen sa më shumë zona të mbrojtura
Ne duhet të bëjmë sa më shumë fushata ndërgjegjësimi për gjithë popullsinë që të bëhemi të gjithë të ndërgjegjshëm për të mos dëmtuar por për të mbrojtur të gjithë bashkë këtë mjedis kaq të bukur që na ka falur natyra dhe mbi të gjitha le ta trashëgojmë dhe tek brezat e ardhshëm një mjedis të pastër të këndshëm dhe të pa cenuar nga askush.