RAMIZ HYSENI, YLLI I PASHUAR!

1257

Nga ILIR PUCA

Dëshmori Ramiz Hyseni nga Sopoti i Grykës së Madhe të Dibrës, i cili dha jetën në moshën 29 vjeç në luftë me nazistët gjermanë në Llokëm të Maqedonisë me 3 dhjetor 1943 meriton respekt dhe mirënjohje të veçantë.
Në këtë hark kohor, prej vetëm 29 vjetësh ai jetoi dhe la gjurmë. Në moshën 4 vjeçare përjetoi tragjedinë më të madhe që mund t’i bjerë për fat një fëmije: – Brenda një jave i vdiqën fillimisht e ëma dhe 6 ditë pas të ëmës i vdes edhe babai!
Babai i Ramizit, Mehmeti, kur e pa se edhe për të po afrohej çasti me e lanë këtë jetë thirri pranë vetes gruan e Shaban Hysenit dhe i tha: – Po të lë amanet Ramizin! Mos ma ndajsh prej Lëjfes (vajzës së Shabanit)! I sigurtë që amaneti do t’i kryhej siç e deshte vetë, dha shpirt. Mehmeti me Shabanin ishin kushurinj të parë.
Që të dalë sa më i plotë portreti i Ramizit është e domosdoshme që të njihemi edhe me rrethin e tij familjar, ambient në të cilin, lindi, u rrit dhe u brumos dëshmori i ardhshëm. Fisi Hyseni në Sopot, pa qenë në gjendje me dhënë kohë të saktë, fillimisht rezulton me mbiemrin Osmani. Një fakt të tillë e përforcon edhe e dhëna që në listën e pronave të kësaj familjeje, Osmani, ose afër pronave të familjes Hyseni edhe sot egzistojnë toponimet “Muçila e Osmanjet” afër zabeleve të Hysenjet në zabelet e Kishës, në Libaraz, ose “Livadhi i Osmanjet” afër Arës së Hysenjet në Zall Sopot (Livadhi i Osmanjet është aty ku sot ka shtëpinë Suri Puca). Më vonë, konkretisht në vitin 1931, rezulton me mbiemrin Demiri. Ky fakt pasqyrohet në aktivitetin e Komunës Qendër Zerqan kur në vitin 1931 Kryetar i kësaj Komune ishte Isa Demiri i cili nuk është tjetër përveç se Isa Hyseni – nga Sopoti. Përsëri, pa qenë në gjendje me përcaktuar vitin e saktë, mbiemri i familjes Demiri ndryshon në Hyseni. Në realitet Isaja mori për mbiemër emrin e babait të tij Hysenit. Këtë mbiemër e morën edhe dy vëllezërit e tjerë: – Malja (Ismaili) dhe Bajrami. Që të tre ishin djemt e Sali Osmanit. Malja la Mehmetin, Hyseni la Isanë, Bajrami la Shabanin. Pra Mehmeti, Isaja dhe Shabani – ishin kushurinj të parë. Mehmeti la Ramizin, Shabani la Rifatin dhe Lëjfen kurse Isaja nga 9 fëmijë – nuk i rroji asnjë. Pra Ramizi me Rifatin & Lëjfen ishin kushurinj të dytë. Për Ramizin ishte një humbje e pazëvendësushme por edhe trullosëse . Por nuk thonë kot: “Zoti edhe të bie por edhe të mba”! Pra fati nuk e braktisi totalisht sepse për të u kujdesën Shaban & Isa Hyseni me gratë e tyre. Thonë se në jetimin nuk bie diell e hanë por ndaj Ramizit Zoti u tregua zemërgjërë sepse atë që i mungoi nga prindërit biologjikë e gjeti tek Shabani dhe Isaja e tek gratë e tyre. Të dyja gratë derdhën tek Ramizi të gjithë potencialin e tyre të dashurisë e të dhimsurisë mëmësorë, – gruaja e Shabanit e motivuar nga amaneti që i ishte lënë e që ajo i kishte dalë për zot kurse gruaja e Isasë e nxitur nga mungesa e pasardhësve biologjikë, nga 9 fëmi të lindur nuk qe kismet me i jetuar asnjëri , kështu që të gjithë dashurinë e saj si nënë e derdhi pa kursim tek Ramizi. Në këto kushte, Ramizi, ndonëse u rrit me përkëdheli nuk rezultoi i llastuar e as u lejua që të marrë rrugë të gabuar. Ramizit iu dha liri e plotë dhe hapsirë e gjërë ku kishte mundësi t’i zhvillonte prirjet natyrale por gjithmonë nën kontrollin dhe kujdesin e Isa e Shaban Hysenit të cilët edhe ishin njerëz me kulturë ngaqë kishin rrahur edhe rrugën e kurbetit në Stamboll. Në këto vajtje, në Stamboll, Isaja edhe arsimohet e ky fakt u shfrytëzua nga autoritetet e kohës ngaqë, siç e thamë edhe më sipër, Isaja emërohet Kryetar i Komunës Qendër Zerqan (Fatos Daci në Enciklopedia e Dibrës 3 f.64 ). Duke e trajtuar me dhimsuri por edhe me kujdes e me një vëmendje të veçantë tek Ramizi dolën në pah dhe u kultivuan tipare që jo vetëm e dallonin prej bashkëmoshatarëve të tij por i jepnin një status të veçantë dhe dominues mbi to. Me kalimin e viteve këto veti u bënë më të theksuara ngaqë përkrah këmbënguljes dhe guximit tashmë ishte në zhvillim të plotë intelekti dhe elokuenca ( gojtaria = e folmja ). Në mardhëniet me bashkëmoshatarët, si tek vajzat por më shumë tek djemt, kishte shumë inatë frikacakët e këtë ndjenjë (të frikës) tentonte t’ua hiqte edhe me dhunë. Pra të bënte trim me zor. Të deshte dhe të bëntë ashtu siç ishte vetë: trim, guximtar, shumë i hedhur dhe i dashur sa më s’ka. Ndjenja e dashurisë ndaj të tjerëve ishte reflektim edhe i mirënjohjes ndaj dashurisë së treguar në gjirin familjar të Hysenjet dhe kjo gjë Ramizit iu bë pjesë e shpirtit të tij. Këtë ndjenjë Ramizi e derdhi në të gjitha rrethet shoqërore ku i qëlloi që të jetonte e punonte por më së shumti tek Rifati dhe Lëjfja me të cilët ishte kushuri i dytë. Tek Rifati & Lëjfja nuk duronte njeri t’ia ngacmonte dhe në rastet kur ndokush guxonte at’here hakmarrja e Ramizit ishte shembullore. Këto veprime krijuan edhe opinionin që Ramizi është mendje ndarë e prandaj ia kishin frikën. Në gjirin familjar egzistonin të tilla mardhënie harmanoie e dashurie saqë Rifati, sa herë që përmendej emri i Ramizit, gjithmonë thoshte:“M’i thau krahët Ramizi “ – dhe sytë i mbusheshin me lot. Nuk e dijmë të vërtetën se përse Ramizi u stabilizua në punë shteti por është fakt që Ai ka qenë në punë në të njëjtën periudhë kur punonte edhe Isaja si Kryetar i Komunës Qendër Zerqan. Në të dhënat për Punonjësit e Drejtoris së Financave për vitet 1925 – 1936 rezulton edhe emri i Ramiz Hysenit (nga Fatos Daci në Enciklopedia e Dibrës 3 f. 30 & 40).
Ndonëse në mungesë të të dhënave arshivore , nga tregimet gojore të të bijës, Faries, e cila ndonëse në moshën 80 vjeç gëzon shëndet të mirë mendor, rezultojnë të dhëna me vlerë për Ramiz Hysenin në lidhje me përkushtimin ndaj bashkëshortes, në respektin ndaj atyre që e rritën dhe në shpirtin e tij patriotik dhe atdhetar.
Ramiz Hyseni rreth vitit 1934 u martua me Fitie Merdan Mehmetin nga Sopoti. Me Fitien lindën dy djem, nga të cilët jetoi vetëm Mehmeti, dhe një vajzë Farien. Mehmetin e la 4 vjeç. Një koinçidencë e çuditshëshme e fatit: 4 vjeç ngeli vetë jetim dhe po 4 vjeç la djalin jetim!… ! . Në vitin 1937, me ndihmën edhe të mixhës së vet i cili kishte njohje të shumta, emërohet xhandar në Librazhd. Aty “u tregua i aftë në ruajtjen e qetësisë, të ndjekjes së keqbërësve si në qytet ashtu edhe nëpër fshatra”. Në vitin 1938 transferohet në rrethin e Pogradecit në Post Komandën e qendrës së atij Qyteti. Edhe në Pogradec vazhdoi të punojë me atë takt e vrull pune, si në Librazhd, e për këtë fitoi respekt si nga eprorët e njëkohësisht edhe nga populli. Për këtë arësye u caktua si Zv/ Komandant i Postës së Xhandarmëris së Qytetit . Prilli i vitit 1939 e gjeti në Pgradec. Aty edhe u lidh me Celulën e Partisë dhe e ndihmonte me informacione të ndryshme. Kjo periudhë pune e Ramizit pasqyrohet si vijon: – “Okupacioni fashist i 7 prillit 1939 e gjeti në armën e xhandarmërisë në Pogradec. Ai që në fillim ra në kontakt me shokët e rezistencës antifashiste dhe u solidarizua për të marrë pjesë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë” (nga Xheladin Krifca në “Dibra dhe Dibra e Madhe në luftë “ f. 64 ). Aktiviteti i tij ra në sy të autoriteteve të cilët e trajtonin me motivacionin “Nën vërejtje”! Ndonëse nën masa të rrepta survejimi e mbikqyrjeje Ramizi nuk hoqi dorë nga rruga e filluar dhe jo vetëm që ishte i aktivizuar në përkrahje të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare por edhe ishte i angazhuar në detyrimet ndaj familjes në Sopot. Në një moment deshti që ta marrë bashkëshorten me të dy fëmijët në Pogradec që të realizonte një jetë normale familjare dhe këtë dëshirë ua çfaqi edhe mixhallarëve por Isa Hyseni (Demiri) nuk e aprovoi! Jo pse nuk deshti me i pa bashkë si çift por ngaqë e dinte se Ramizi ishte futur në një rrugë të rrezikëshme për atë kohë, punonte për Lëvizjen Nacionaçlirimtare, dhe në rast të ndonjë rreziku mund t’i ngelnin fëmijët e Ramizit rrugave. Ramizi në respekt të atyre që e rritën por edhe i bindur në argumentimin logjik të fjalëve të Isasë nuk e mori të shoqen me gjithë fëmijë në Pogradec por e la në Sopot. Dhe mirë e bëri sepse autoritetet me të njëjtin motivacion e transferojnë për në Vlorë ku … dhe aty u lidh menjëherë me grupin partizan të Vlorës ku jepte vazhdimisht informacione… Ai e urrente fashizmin me gjithë shpirt dhe tërë veprimtarinë e tij nën armën e fashizmit ai e ndërtoi në mënyrë të tillë që fashizmi të dështonte në Shqipëri dhe këtë kontribut Ramizi e dha duke bashkëpunuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare nën hundën e fashizmit.
Puna e tij në xhandarmëri ra shumë në sy. Para se ta zbulojnë dhe ta arrestojnë italianët ai doli në ilegalitet dhe u radhit në radhët e batalionit partizan të Dibrës ( nga Xheladin Krifca në “Dibra dhe Dibra e Madhe në luftë” f.64 ). Dalja e tij në ilegalitet u realizua në mënyrë të përsosur sepse përveç Ramiz Hysenit, simpatizantë dhe përkrahës të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, kishte edhe persona të tjerë që punonin në struktura të ndryshme të pushtetit të asaj kohe. Ata vunë në dijeni strukturat eprore të Lëvizjes për rrezikun që i kanosej Ramizit dhe u vunë në veprim që ta shpëtonin patjetër shokun e tyre. Vunë në dijeni Haxhi Lleshin në Dibër i cili formulon një telegram dërguar Ramiz Hysenit: “Ke familjen në gjendje të rëndë shëndetësore. Merr leje dhe hajde shifi”! Ky telegram dha efektin e duhur. Ramiz Hyseni u largua nga Vlora e nuk shkoi më. Përfundimisht u rrjeshtua në radhët partizane. U aktivizua si të gjithë shokët e tjerë në luftime të ndryshme dhe me fillimin e Operacionit armik të Dimrit 1943 – 1944 u rrjeshtua në një grup me Haxhi Lleshin për të kaluar drejt Shqipërisë së Jugut. Gjatë lëvizjes u ndodhën në fshatin Llokëm të Maqedonisë. Këtë moment po e riprodhojmë si vijon: “ Në katundin Llokëm, ashtu si në shumë katunde të tjera në këtë zonë, lëviznin forca gjermane dhe bashibozukët e Xhem Gostivarit në ndjekje të partizanëve. Edhe këtu kishin gdhirë një sasi e madhe e forcave gjermane të armatosura deri në dhëmbë, vendosur në fshat por pa roje në kodra ose në vende të përshtatëshme për mbrojtjen e tyre .
Më datën 3 dhjetor 1943 kolona partizane me komandantin Haxhi Lleshi në krye hyri në fshat. Furtuna vazhdonte. Brenda në fshat në befasi forcat partizane u përpoqën me ato gjermane. Lufta filloi e ashpër. Partizanët hapën zjarr të parët kundër nazistëve, në afërsi 3 – 4 metra. Pushkët e mitralozat nga të dy anët villnin zjarr, bombat e dorës shtonin më shumë ushtimën e pandërprerë të luftës së porsafilluar. Një pjesë e partizanëve menjëherë zuri pozicione në kodrat e fshatit, pjesa tjetër luftonte në fshat brenda. Kisha dhe varrezat e fshatit ishin në duart e partizanëve, ndërsa gjermanët ishin mbyllur të gjithë nëpër shtëpitë e fshatit. Disa prej tyre kishin zënë pozicione rreth e rrotull shtëpive. Nga ana e partizanëve u vunë në përdorim mitralozat e rëndë dhe mortajat. Gjermanët u tronditën, ata nuk e prisnin në orët e para të mëngjezit një luftë kaq të rrufeshme nga ana e partizanëve, por edhe partizanët nga ana tjetër nuk e dinin se në këtë katund do të takoheshin me forca gjermane dhe do të përlesheshin me këta grykë më grykë. Pra të dy palët u gjendën në befasi. Pasi lufta zgjati më se dy orë, në ndihmë të forcave gjermane u nisën nga katundi Selcë forca të tjera gjermane. Armikut ndihma i erdhi shumë shpejt. Atëherë komanda partizane organizoi tërheqjen e forcave. Lufta qe e shpejtë, e rrufeshme. Armiku la në këtë betejë rreth 25 të vrarë e të plagosur. Nga forcat partizane mbetën të vrarë Ramiz Hyseni nga Sopoti i Zerqanit, Arif Losha nga Vlashaj i Shupenzës dhe një shoqe malazeze me emrin Donica Harito. U plagosën partizanët Nexhat Agolli, Leonidha Heba, Musa Lala, partizani jugosllav Radmillo Stanojeviç. Të vrarët e palës partizane nuk qe e mundur të tërhiqeshin, ndërsa të plagosurit u tërhoqën (në LUFTA ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE e popullit dibran, grup autorësh: Emin Agolli, Sali Hoxha, Xheladin Krifca, Pali Carapuli, Sefer Kosova, f.180 – 181 ). Këtë postim po e mbyllim me një shkrim sensibilizues të Kadri Dishës në gazetën “Telegraf 14 janar 2013” nga ku citojmë :
“Hiqen nga shkollat emrat e dëshmorëve të atdheu”. Në këtë artikull ndërmjet të tjerave lexojmë: “Shkolla 9-vjeçare dhe e mesme Zerqan mbante emrin e dëshmorit të atdheut të Luftës Nacional Çlirimtare Ramiz Hyseni. Kjo heqje e emrave është e qëllimshme, për të humbur meritat dhe sakrificat e partizanëve, baballarëve dhe gjyshërve tanë që sakrifikuan dhe jetën e tyre për çlirimin e plotë të vendit nga okupatorët fashisto-nazistë. E gjithë kjo luftë u bë që ne, brezat pasardhës të jetonim të lirë e ta pavarur nga askush në vendin tonë që quhet Shqipëri”.
Aktit heroik të Ramiz Hysenit i është kushtuar kënga me tekst të Dalip Skurës dhe me muzikë të Latif Okshtunit (ish mësuesa të shkollës 8 vje$are “Jashar Kola “ Sopot. Kjo këngë është realizuar dhe ekspozuar në vitin shkollor 1972 – 1973.