ARTI LETRAR BASHKON BREZAT NË FAMILJEN “ALLIU” TË BULQIZËS

3

• Një orë poetike, që rrezatoi art dhe plot emocione në sallën e mbushur me shkrimtarë, poetë, intelektualë, miq, shokë e familjarë, që ndoqën me kërshëri prezantimin e moderuar mjeshtërisht nga gazetari e shkrimtari Halil Rama (Mjeshtër i Madh), i cili, gjatë gjithë kohës, solli për të pranishmit ngrohtësi, komunikim të natyrshëm dhe një atmosferë e gjallëri festive.

Nga Bashkim LAMI*

Me 6 Dhjetor 2025, Kryesia e “Shoqatës Atdhetare Kulturore Bulqiza” organizoi në Tiranë, në kinemanë “Maks Velo”, prezantimin e krijimtarisë së poetëve, Arben Alliu që solli për lexuesit librin me poezi “Frymoj me ty Vendlindje” dhe Anxhela Topalli Alliu, që solli librin e saj të parë me poezi “Ngjyrat e Shpirtit”. Gjithë aktiviteti kushtuar dy poetëve në një familje ishte një orë poetike, që rrezatoi art dhe plot emocione në sallën e mbushur me shkrimtarë, poetë, intelektualë, miq, shokë e familjarë, që ndoqën me kërshëri prezantimin e moderuar mjeshtërisht nga gazetari e shkrimtari Halil Rama (Mjeshtër i Madh), i cili, gjatë gjithë kohës, solli për të pranishmit ngrohtësi, komunikim të natyrshëm dhe një atmosferë e gjallëri festive. Takimi filloi me ekzekutimin e hymnit tonë kombëtar, ku pjesmarrësit u ngritën në këmbë. U mbajt një minutë heshtje për nderimin e 15 vjeçarit bulqizak Erion Boba, që humbi jetën këto ditë, pas goditjes me thikë në zemër nga bashkëmoshatari I tij, nxënës në shkollën “Dom Nikollë Kaçorri”në Durrës.
Për pjesmarrësit në takim u shpalos në monitor dokumentari shkurtër për jetën e veprimtarinë e poetëve Arben & Anxhela, që u ndoq me shumë vëmendje. Mësuesja veterane e letërsisë Nafije Jella, që është dhe redaktore e librave “Frymoj me ty vendlindje” dhe “Ngjyrat e Shpirtit”, të sapo dalë nga shtëpia botuese “Print-AL” në Tiranë, theksoi në fjalën e saj, se mënyra që përdor poeti Arben Alliu, në librin “Frymoj me ty Vendlindje”, sjell një lidhje të veçantë mes njeriut dhe tokës së tij, një frymëmarrje të përbashkët me rrënjët, gjurmët dhe heronjtë që bënë historinë e atyre viseve. Poetët me stil të bukur kanë përdorur figura letrare metafora, krahasime, personifikime, dialogje, etj, që e ndalojnë lexuesin për të shijuar anën e bukur të mesazheve që sjellin poezitë, që janë rrëfime të thjeshta e të sinqerta, që burojnë nga zemra. Autorët e ndërtojnë poezinë mbi nostalgjinë për vendlindjen, për fëmijërinë dhe për kujtimet që mbeten të paharruara.
Kryetari i “Shoqatës Bulqiza”, z.Bashkim Lami foli për familjen “Alliu”, që në disa breza ka ndërtuar jetën me punë e djersë dhe ka qenë pjesë e qëndresës kundër pushtuesve të huaj. Edhe Arbeni është vazhdues i traditave më të mira, një punëtor i palodhur dhe vizionar e i talentuar për të vendosur në vargje të shkurtër e strofa të rimuara me kujdes në tre librat me poezi që ka botuar. Natyrisht që tek ky libër që prezantojmë “Frymoj me ty vendlindje” gjejmë një rritje cilësore të krijimtaris së tij. Poetja e re korçare Anxhela Topalli gjeti në strehëzën e saj të re, bashkëshortin Mikel, i suksesshëm e kampion në sportin e boksit dhe vjerrin poet me përvojë. Falë talentit të saj që ajo ka shpalosur qysh në vitet e shkollimit për pikturën dhe poezinë, arriti të botojë librin e saj të parë “Ngjyrat e Shpirtit”, ku shprehen idetë e saj rinore plot dritë, emocione, ngjyra të brëndëshme e figura artistike që duket se krijimtaria e saj do të vazhdoi edhe edhe më tej në libra të tjerë. Ajo realitetin që jeton dhe të bukurën e vendos në poezi dhe me penel në piktura. Poezitë e Anxhelës mbartin butësi e delikatesë, që lënë gjurmë të thella. Anxhela ka dhuntinë të jetë një infermjere humaniste, një poete plot sharm dhe emocione, por edhe një piktore që mbush telajo me ngjyrat e jetës.
Presidenti i “Shoqatës Bulqiza”, prof.dr. Islam Dauti në fjalën e tij vlerësoj krijimtarinë e poetëve dhe rëndësinë që ka vendosja në këto libra e heronjve të Bulqizës e më gjërë dhe të bukurive të natyrës dhe të sakrificave për jetën. Profesori psikologjisë dr. Jashar Demiri, drejtor i departamentit të letërsisë e arteve pranë “Shoqatës Bulqiza”, vlerësoi vendosmërinë e poetit Arben Alliu për të shpalosur publikisht idetë e tij nëpërmjet poezive, që aq bukur e paraqet vendlindjen tonë me të mirat dhe problemet, që i shqetësojnë atë popull fisnik. Duke i nderuar poetet tanë si Arben Alliu, ne nderojmë traditat, kulturën, vlerat, qytetarinë, shkurt: Vendlindjen! Në emër të kryesisë së “Shoqatës Bulqiza”, poetëve iu dorëzuan çertifikata mirënjohjeje. Kryetarja e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇL, znj. Tatjana Parllaku, zv/kryetari OBVL-së, Muharrem Gjoka, në vijim të traditës së nderimit të pasardhësve të denjë të familjeve atdhetare, i dorëzoi poetit çertifikatën “Nderi i OBVL”, duke vlerësuar kontributin e tij qytetar dhe krijimtarinë me ndjeshmëri të thellë kombëtare.
Poetja dhe kritikja letrare Emi Krosi, u ndalua te stili, metaforat, ndjeshmëria dhe rrëfimi emocional i autorit, që e bën poezinë tërheqëse. Vlerësime të veçanta për librin e Anxhela Topalli Alliu shprehu edhe poetja Mimoza Dilaver Kurti, që renditi me kujdes mënyrën se si i kanë ndërtuar poezitë autorët. Për rëndësinë e krijimtarisë së të dy autorëve folën edhe shkrimtari e historiani Sakip Cami, poeti Perikli Shuli, ish ushtaraku Azis Keta, ish drejtuesi kulturor Aqif Puca, etj.
Takimi mori ngjyrë festive falë këngëtares së talentuar të muzikës popullore Liri Rasha, që interpretoi për të pranishmit dy kolazhe me muzikë të zgjedhur dibrane.
Takimi vazhdoi me recitimet e disa poezive të zgjedhura nga poetet Anila Kodra, Sanie Degjoni Ndreka, Miranda Troci Derti, Moza Shehi, si dhe Megi Musai, një vajzë e talentuar studente, që recitoi aq bukur dhe me ndjenjë.
Në fjalën e tij, poeti Arben Alliu falenderoi të pranishmit për vlerësimet, duke theksuar: “Mendimet tuaja i marr si një mesazh të qartë: të punoj më shumë, të përmirësoj cilësinë në krijimtarinë time.” Ndërsa poetja dhe piktorja e re, Anxhela Topalli Alliu, u shpreh me një thënie filozofike, që përmbledh harmoninë mes dy talenteve të arteve të saj: “Poezia është një pikturë e shpirtit, dhe piktura është poezi e shpirtit.”
Mirë u pafshim në takime të tjera!

*Kryetar Shoqatës Atdhetare Kulturore “BULQIZA”