Tregime të vjetra popullore për Skënderbeun dhe rëndësia e tyre

4

Ngjajnë si përralla, por këto janë tregime të mbledhura në popull dhe populli e mbante Skënderbeun në gojë për 500 vjet. Natyrisht, shumë gjëra janë shtuar e hequr rrugës, por bërthama e rrëfimeve flet për ngjarje të vërteta.

Pas çlirimit, shteti i kohës nxori grupe studiuesish në terren për të mbledhur tregimet e moçme dhe rrëfenja që lidheshin me Skënderbeun dhe epokën e tij. Në fakt u mblodh një material i gjerë që ka një rëndësi të madhe në fushën e folklorit por edhe atë historike. Materialet e mbledhura vit pas viti u botuan në artikuj të ndryshëm në veprat historike dhe ato të kulturës popullore, e një pjesë e madhe e tyre u botuan nga Unversiteti Shtetëror i Tiranës në vitin 1968, në kuadër të 500-vjetorit të vdekjes së heroit, Skënderbeut.

Nga Adriatik BALLA

Nga analiza e tregimeve të mbledhura dalim në konkluzione të rëndësishme, ku:
1.Rajoni që përfshin njësitë administrative të Krujës, Matit dhe Dibrës përbëjnë 2/3 e të gjitha materialeve të mbledhura. Veçanërisht Dibra është bërthama kryesore e rrëfimeve për Skënderbeun, gjë që e dëshmojnë betejat e shumta që ai ka zhvilluar dhe fituar në këtë vend, por edhe se dibranët ishin bërthama më e rëndësishme e ushtrisë së tij.
2.Në rrëfimet popullore një vend të rëndësishëm zë karakteri mitologjik i figurës së heroit, ku ai shihet me fuqi të mbinatyrshme; shpata e tij çante shmëbinj e male, e kali i tij fluturonte nga një shkëmb në tjetrin e nga një mal në tjetrin. Brenda këtij kuadri, me rëndësi janë edhe fuqitë mistike të Skënderbeut, të cilit i zinte vend bekimi apo mallkimi (sikurse mallkon fushën e Vajkalit për të ftohtin e madh, apo disa fise që nuk iu bashkuan luftës së tij, të cilët, për shkak se i nëmi Skënderbeu nuk u shtuan dhe nuk patën dritësi në jetën e tyre).
3.Me rëndësi janë toponimet, që flasin shumë në kuadër të analizës historike. Shpesh toponimet lidhen me jetën dhe veprën e heroit, ndaj sot kemi shumë toponime në rajonin e gjerë të Arbrisë me emra si “gurët e Skënderbeut”, “mali i Skënderbeut”, “gjurma e Skënderbeut” etj.
4.Jo vetëm historia, por edhe disiplina të tjera mund të nxjerrin të dhëna me interes nga tregimet popullore, pasi nxisin fantazinë e studiuesve për të interpretuar fenomene gjeografike si depozitimet lumore, një pyll që ka ekzistuar por sot nuk është më, për burime ujore të humbura etj, apo dhe ndryshime gjeomorfologjike, si psh. që Skënderbeu hodhi gurët të mëdhenj në Vajkal për të bllokuar rrjedhën e zallit në mënyrë që fusha të kthehej në liqen, gjë që do të frenonte otomanët drejt Krujës. Për këtë, gurët që ndodhen në fushë të Vajkalit morën emrin “Gurët e Skënderbeut”.
5.Rrëfimet popullore të vjetra janë ndjenjë e transmetuar brez pas brezi, gojë më gojë, dhe kjo ka mbajtur të bashkuar shqiptarët, pavarësisht ndasive fetare. Mbajtja e Skënderbeut në gojë ishte transmetim i historisë dhe kjo i bën tregimet e moçme me vlera të shumta e unikale. Kjo rrugë lidh të shkuarën, me të sotmen dhe të ardhmen.
6.Tregimet për Skënderbeun kanë domethënie të madhe edhe në kulturën popullore, pasi flasin për këngë e valle të trashëguara në shekuj. Këto rrëfime janë shfrytëzuar në çdo kohë nga mjeshtrit për të nxjerrë këngë të tipit epiko-heroike jo vetëm për Heroin, por edhe vetë popullin shqiptar. Domosdo, Dibra dhe zona përreth është gjithashtu një “hambar” i këtyre rrëfimeve, trashëguese e denjë e heroit dhe e famës së tij.
7.Me rëndësi janë rrëfimet edhe në fushën e gjuhësisë, pasi në to gjenden fjalë të vjetra, të ardhura me dialektin origjinal dhe me domethënie të madhe. Në një farë mënyre, në tregimet për Skënderbeun gjuhëtarët mund të gjejnë fjalë të vjetra, por edhe fjalë të reja por në versionin dialektor të kohës. Kjo i jep rëndësi të madhe materialit të mbledhur në popull.
Këtu po ju njohim me disa nga rrëfenjat që lidhen me dy toponime të rëndësishme: Kullën e Skënderbeut, që pozicionohet në malin e Temlës, në krah të Urës së vjetër të Qytetit, pranë fshatit Valikardhë, si dhe rrëfenja që lidhen me Vajkalin dhe betejat e Skënderbeut të zhvilluar aty. Qëllimi është të njohim sa më shumë historinë dhe të nxjerrim mësime prej rrëfimeve. Materialet po i prezantojmë në versionin origjinal dialektor. Dialekti i përket Peshkopisë, që do të thotë se studiuesi që i ka mbledhur apo qendra që i ka grumbulluar ka qenë në Peshkopi. Për të ruajtur autenticitetin e tregimeve të mbledhura, po i përcjellim në versionin origjinal, sikurse i ka botuar më parë Universiteti Shtetëror i Tiranës, specifikisht Instituti i Folklorit.

A. Tregime të mbledhura për Kullën e Skënderbeut
Çfarë është Kulla e Skënderbeut?
Kemi të bëjmë me një fortifikim arbëror të shekullit XV, në kurizin e mprehtë të Temlës që bie thikë mbi fshatrat Peladhi në lindje dhe Fushë-Bulqizë në perëndim, 12km në lindje të qytetit të Bulqizës. Lartësia e kodrinës ku ndodhet kështjella është 978m, afro 400 m lartësi relative nga zalli i Bulqizës. Vendi ku ndodhet kështjella ka një fushëpamje spektakolare, duke qenë kontrolluese e luginës së Bulqizës dhe grykave tërthore që nisin prej saj drejt jugut. Një material të zgjeruar për të ka realizuar profesori i njohur i arkeologjisë, Adem Bunguri.

1. “Skënderbegju ka luftue mjaft, që këtu e n’Tunë. S’ia ka da asnjëherë poteren Turkies. Luftë ka ba Skënderbegju edhe në Fushë të Bulqizës; Fusha e Vajkals i thoshin (më përpara) Fushë-Bulqizës”.
[Mbledhur në Zerqan, Dibër më 6 korrik 1953]
2. “Skënderbegju ka ardhur në Fushë t’Bulqizës. Ate bani luftë me Turkien dhe e ka kthie prapë. Shumë luftë e madhe a ba. A ba vrasje e madhe shumë, i ka dërrmu Skënderbegju me gjurë.”
[Mbledhur në Zerqan, Dibër, më 4 korrik 1953]
3. “Kalanë e Çitetit e ka pas ba Skënderbegju. Ka ardhë Skënderbegju tue ba luftë, ene ka lanë vend atje, n’Qafë të Kullës. Atje ka ba luftë me Turkien. Merrte ujë Skënderbegju me ushtarët e vet, në zallë. Që kur a rruga e mushkave, ka bart ujë në zallë e e çonte te Kulla.”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, më 8 korrik 1953]
4. “Skënderbegju e ka pas kullën n’Shkam të Çitets, në kufi të Bulqizës e Valikardhës. Edhe sot kti veni ku a kulla i thonë te Qafa e Kullës së Skënderbegjut.”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, më 18.10.1950]
5. “Kulla e Skënderbegjut ndodhet në Qafën e Kullës, mi urë të Qytetit. Simas thashave t’pleqet ktu ka ba luftë e turqit Skënderbegju. Kulla ka mure të bbame me gëlqere. Themelet i ka të pashemuna dhe afro dy metër lart. Rrafsha është 5x5m”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, më 8.7.1952]
6. “Skënderbeu ka ba kullën në shkam, Kalanë e Çitetit. Kjo ka mure rreth e qark. Muret i ka ma shumë se 1 m të gjana. Asht një rrafshë afër nji dinim; ruen Grikën e Çitetit, ka jugu ka nji birë që shkojshin ushtarët dhe mirrshin uj pa i pa kush. Kjokala ka e lemja ka arnijet e Valikardhës, ka veriu zallin dhe kepin e Kalasë së Skënderbeut, ka jugu ka ferrishhte qi quhen Nënlivadhe.”
[Mbledhur në Valikardhë, Dibër, më 1953]
7. “Matanë urën ishte çitet, pazar, edhe më kët anë ishte kalaja maje shkamit, kulla.Në Çitet janë gropat e dyqanve ne sojt.”
[Mbledhur në Valikardhë, Dibër, 20 qershor 1953]
8. “Në Çitet ka nji kala që i thonë Kala e Skënderbegjut. Atje sipër asht Pusi i Skënerit. Ka qanë pus. Në fund të malit ke ura asht nji grizë. Si të hish mrena s’un të kalojsh prej laskuriqve. Na kemi pa shtatë rrugica, qemere; pej ati një rrugicë del në kajshën e Valikardhës, njena thonë se del në Librazhd.”
[Mbledhur në Zerqan, Dibër, më 4 korrik 1953]
9. “Atje ka qanë kala, në kohë të përparshme. Ajo kala ka qanë e Skëndervegjut. Skanderbeg me nam. Ushtri kishte pak, po zemër kishte shumë, zemrën e madhe. Ai ka qënru me Turkien. E kum nigju fort mirë nga plaku im. Ka pasë kala; bajnë beli shenjat, muret. Ktë kala e ka ba Skënderbegju për herë të parë.”
[Mbledhur në Peladhi, Dibër, më 8 korrik 1953]
10. “N’çitet a ni shpellë qi e ka kryt ke kisha e Valikardhës (ka qanë në kohët e para kishë, sot s’asht ma). Ktu kan pas mçef flori, por kto s’mun ti marri njeri se i rujn gjarpijt e zoqt.”
[Mbledhur në Bulqizë, 1953]

B. Tregime për Gurët e Skënderbeut
Në këtë pjesë të dytë, mbi përmbajtjen e materialeve të vjetra arkivore nga ish-Instituti i Folklorit, që u referohen tregimeve dhe gojëdhënave mbi Skënderbeun dhe vendet e tij, sjellim në vëmendje rrëfenjat në lidhje me Gurët e Skënderbeut dhe krijimin e kënetës së Vajkalit në Bulqizë, por njëherësh do të përpiqemi të ndërtojmë një analizë të shkurtër në kuadër të asaj që ne e quajmë “gjeografi historike”.
Çfarë janë gurët e Skënderbeut?
Kemi të bëjmë me një toponim në luginën e Vajkalit, atje ku sot ngrihet monumenti i Skënderbeut, në anën lindore të fshatit Vajkal, vetëm 2.5km në lindje të qytetit të Bulqizës, buzë rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi. Toponimi i referohet një grumbulli gurësh masivë, me volum secili nga 2-3 m3 deri në 10-15 m3, kryesisht në anën e poshtme të xhadesë, por edhe në anën e sipërme. Gurët kanë qenë më të shumtë në të shkuarën, por sot janë të dëmtuar.
Kujtoj, që vendasit, jetë e mot këtij vendi i kanë thënë “Gurët e Skënderbeut”. Me aq sa di, në asnjë vend fushor në Shqipëri nuk gjen një toponim të tillë, pasi me këtë emërtim jepen toponime në kodra e male por jo në fushë, e kjo e bën atë sa interesant në aspektin studimor, aq dhe kuptimplotë në aspektin e vlerave të trashëgimisë.
Është e qartë se gurët janë të shkëputur nga shpatet e kurrizit që bie pjerrët në luginë të Vajkalit. Ky kurriz, sipas hartës italiane, ka dy kuota për tu shënuar, ajo më pranë gurëve quhet maja e Karakollit, në 1200 m, e pak më në jug maja e Rrasës, ose Rrasa e Duriçeve, në 1536 m. Ky kurriz është një damar i zgjatur drejt veriut i malit të Dhoksit (2020m).
Për rolin natyror por edhe historik të gurëve do të flasim pasi të japim disa gojëdhëna popullore të mbledhura rreth vitit 1950 në fshatrat e zonës.

1. “Fushë-Bulqizës i kanë pas thanë Fushë e Teviollit, sot e përdorin Fush’ e Tezallit. E kom nigju nga një farë Isuf Koçi; ka vdekë 90 vjeç, 20 vjet para. Ai kështu ma ka thane; se un, kur ikëm pi serbit, nejtëm nja di javë në Bulqizë. Pi çati plaku qi t’thash e kom nigju kët fjalë.”
[Mbledhur në Zerqan, më 4 korrik 1953]
2. “Fusha e Vajkalit ka qanë pyll, po nuk punonin zoqt në të e jo më ropt; ka qenë krejt pishë. Ka pas vetëm ni uj në mes, Uji me Shtrema i thoshin. Edhe sojt me shtrema është ai uj.”
[Mbledhur në Dushaj (Bulqizë), Dibër, më 1953]
3. “Ku i thonë sot Fusha e Vajkalit, te Gurët e Skënderbegjut, ke ka pas ba luftë Skënderbeu, ma parë i thoshin Fusha e Teviollit. E kam nie nga pleqtë e Vajkalit.”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, më 8 korrik 1953]
4. “Në Vajkal s’ka pas katund. Kan qanë mashnore. Kur vijn vajkalorët në Koçaj thonë: ‘Shkojmë në katund’. Na të Koçajve dhe të Dushajve u themi mashnorë atyre. Në Vajkal ka qanë bjeshkë, për të kullotur bagtinë në verë. Vetëm ujë të ftoftë, pishë e bar për dele ka pasë. Diqin vjet ma parë në Fushë të Vajkalit ka qanë pishë, s’ka pasë ujë.”
[Mbledhur në Koçaj (Bulqizë), Dibër, më 1953]
5. “Te Gurët e Skënderbegjut në Bulqizë, Skënderbegju ishte rretheku. Qi ta nalonte ushtrinë turke, i lshoi si mallkim atij veni që të bante ftohtë. Ene me të vërtetë, po ta kërkosh Shqipninë rreth e qark, ni ven ma t’ftohtë s’ka. Ki ven ban vorre për çdo vjet; ate shkon e s’vjen. Kanë vdekë di vetë prej të ftohtit, lumjanë. Për çdo vjet vdesin.”
[Mbledhur në Dushaj (Bulqizë), Dibër, 1953]
6. “Te Gurët e Skënderbegjut në Bulqizë, i kanë mërdhihë zagarët Skënderbegjut dhe i kanë cofë prej të ftoftit. Pranej Skënderbegju e ka nemtë atë ven –‘Këtu mos iu ndaftë fortuna, gazeplleku’. Ene n’verë fren ate, jo ma n’dimën qi t’shkul.”
[Zerqan, Dibër, 1953]
7. “Thonë se Skanderbegu ka qanë në majë të Duriçit (mali i Dhoksit) tu gjujtë. Kur ka ra në Fushë t’Vajkalit i kanë mërdhitë langojt. Atëherë Skanderbegu i nemti: – Fryftë e mos zantë karar as dimër, as verë ky vend’. Ene sot ktu fryn e ban ftoftë dimën e verë (prej nams Skanderbegut)”.
[Mbledhur në Bulqizë më 18 tetor 1950]
8. “Kur kishte adhë Skënderbegju një herë në Bulqizë, kishte dalë me gjujt aty afër katunit. Langojt e vet, qi kishin hikë përpara, i gjet tu u zanë me ni kulçedër. Ngre këta gurë të mdhej Skënderbegju, ja fugj kulçedrës dhe e le top në vent. Gurët gjinden te Rrasa e Doriçet dhe quhen Gurët e Skënderbeut.”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, 1950]
9. “Ushtria turke po vinte ka Dibra. Skënderbegju i priti te Fusha e Davollit në Vajkal të Bulqizës. Ate nisi të shemë shkamijt e malit e i dërrmoi turqit. Shkaminjt janë edhe sot në Fushë të Vajkalit, pranë mëhallës së Duriçeve. Populli u thotë Gurët e Skënderbeut.”
[Mbledhur në Vajkal më 18 tetor 1950]
10. “Skënderbeu ka shembë ca gurë të mëdhenj, shkrepa. i shembi se luftoi me Turqinë atëherë, bëri luftë të madhe në Bulqizë. Kur ka lëshuar ata gurët e mëdhenj teposhtë, copëtoi shumë asqerë dhe Turqia u kthye prapa.”
[Mbledhur në Zerqan, Dibër, 4 korrik 1953]
11. “Si e pa që s’e mbajti dot Turqinë, se kishte shumë ushtri me vete, Skënderbeu deshi t’i këpuste rrugën, t’ia zërë. Për këtë lëshoi gurët nga mali që t’i vriste asqerët.”
[Mbledhur në Dushaj (Bulqizë), Dibër, 1953]
12. “Gurët e Skënderbeut janë afër xhades së automobilit, në mëhallën e Duriçeve. Këto i ka shembur Skënderbeu nga mali se deshi të zërë grykën e fushës së Vajkalit, e deshi ta kthejë gjol (liqen) tërë vendin e kësaj fushe. Skënderbeu tha: Do ta bëj këtë vend det.”
[Mbledhur në Vajkal (Bulqizë), Dibër, më 18 tetor 1950]
13. “Skënderbeun e kishte qitë lufta në Lug të Dedes. Kur po shkonte anej, iu sekelldis kali edhe i huti kamba në rrasë. Sot këtij vendi i thonë gjurma e kalit të Skënderbeut.”
[Mbledhur në Vajkal (Bulqizë), Dibër, 1953]
14. “Kali i Skënderbegjut, si i vdiq i zoti, erdh kha n’Vajkaltë Bulqizës, vajtoi sa vajtoi ene cofi.”
[Mbledhur në Bulqizë, Dibër, 1961]
15.“Vajkalit të Bulqizës i ka metë ky emën se atej ka ba vaj kali i Sklënderbegjut, kur vdiq i zoti.”
[Mbledhur në Vajkal, Dibër, 1954]
* * *
Këto janë disa prej tregimeve popullore për këtë toponim, të mbledhura e pasqyruara nga Instituti i Folklorit dhe Universiteti Shtetëror i Tiranës mes viteve 1950-1967. Si gjeograf, po ndalem vetëm te pika 12, ku rrëfenja thotë se gurët u shembën për të zënë grykën e Vajkalit, pra të bllokohej rrjedha e zallit, në mënyrë që fusha e vajkalit të shndërrohej në liqen, kjo do t’ua pamundësonte turqve avancimin drejt Krujës. Ajo që dimë, është se lugina e Vajkalit ka tipare grabenore dhe për tektonikën bllokore vlen shprehja “ngritjet e mëdha shoqërohen me zhytje të mëdha”. Për historinë e krijimit të kënetës në fakt duhet të flasin gjeologët dhe shkencëtarët e tjerë (biologë, gjeomorfologë etj). Janë depozitimet e shumta fluvioglaciare që depozitohen në atë grykë, qoftë nga prurjet e përroit të Duriçeve nga Dhoksi, e qoftë nga përroi i Llapushave nga Balgjai, që kanë sjellë ngritjen e teritorit në atë sektor, duke u bërë kështu pengesë për rrjedhjen e zallit, pra krijimin e kënetës. Gojëdhëna thotë se ishte Skënderbeu që e nxiti këtë, duke shembur gurë të mëdhenj e duke i bërë pritë, për ta shndërruar atë vend në gjol (liqen). Gjithsesi, për këtë çështje kërkohen interpretime shkencore të mirëfillta, ku krahas amplitudes së uljeve tektonike dhe prurjeve të përenjve të mësipërm, duhet pare edhe roli i shfrytëzimit të kromit dhe elementë të tjerë që lidhen si me veprimtarinë shoqërore, aq dhe me ndërhyrjet e pastudiuara në sistemin e kanaleve kullues të fushës.
Tiranë, nëntor 2025