RIJETËZIMI I KULLAVE…

1

Projekt që rivitalizon objekte me vlerë të trashëgimisë kulturore

“Na përkëdhelet sedra kur programe të tilla kaq domethënëse si Programi i Rijetëzimit të Kullave që përfshin plot 4 qarqe prezantohen pikërisht këtu, në një nga kullat e Bulqizës.
E kam thënë shpesh që mund të jemi një bashki e vogël , por jo në vlera, jo në traditë, jo në kulturë “, tha kryetarja e Bashkisë, Znj. Festime Mjeshtri gjatë pritjes së ministrit të Turizmit, kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja në mjediset e Kulla HUPI. Në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësues të GIZ Albania , për të diskutuar vizionin dhe drejtimin e këtij programi. Rijetëzimi i Kullave si bujtina, qendra kulturore dhe vende mikpritjeje do të thotë, ruajtje e historisë sonë dhe promovim i kulturës, e jo vetëm.
Ky është një projekt që rivitalizon objekte me vlerë të trashëgimisë kulturore, të cilat në fshatrat e Bashkisë Bulqizë janë disa. Vetëm para dy muajsh promovuam librin e Vebi Mustës “FSHATI YNË LUBALESHI”, ku i kushtohet një kapitull më vetë arkitekturës së kullave dy e tre katëshe të këtij fshati dhe ku kryetarja e Bashkisë, Znj.Mjeshtri foli edhe për rijetëzimin e këtyre resurseve të rralla….
“Si bashki, kemi detyrimin të identifikojmë dhe kuptojmë nevojat që lindin nga këto iniciativa duke lehtësuar me infrastrukturë, me dokumentim, me mbështetje dhe çdo facilitet që varet prej nesh”, tha kryebashkiakja Mjeshtri. Në një linjë me kolegët Valbona Kola, Rahim Spahiu ajo shprehu mirënjohje dhe optimizëm për këtë program, i cili pa dyshim do ti japë hov të ri ekonomisë lokale, duke hapur rrugë për turizëm të qëndrueshëm dhe sipërmarrje rurale.