Oficerja e re, Klenisa Xheka nga Bulqiza: Uniforma më bëri të përjetoj emocione të veçanta

1526

Quhem Klenisa Xheka, e lindur më 27 prill të vitit 1997, në qytetin e vogël të Bulqizës. Kam mbaruar studimet e larta në degën Shkenca Politike & Marrëdhënie Ndërkombëtare në Tiranë. Duke lënë pas ëndrrën time për gazetarinë, mbylla me rezultate tepër të mira ciklin 3-vjeçar. Që e vogël, kam ndjekur botën e medies, duke nisur me recitime në vitin 2005, duke vijuar me pas si moderatore e lajmeve në konkurse të ndryshme pranë qytetit tim. Në asnjë moment të jetës, nuk e kisha menduar veten pjesëtare të uniformës.
E në fakt, mbaj mend para se daja im të ndërronte jetë si një oficer i denjë e i përkushtuar, pas punës, uniformës i kushtonte rëndësi të veçantë, pasi për ‘të, uniforma ishte detaji që e bënte një ushtarak të ishte vigjilent. Pavarësisht këtij detaji, pyetjet e mia i kisha gjithmonë të kursyera rreth uniformës, pasi mendoja që privatësia ushtarake, nuk duhej cenuar. Nuk e di si ndodhi, por diçka brenda vetes, më thoshte që unë duhej te aplikoja në atë kurs. Ne fakt, ashtu ndodhi. Konkurrova, u përzgjodha dhe fjalët motivuese të familjarëve të mi, ishin shtysa e vetme që më bënë mua të besoj që gjithçka që e dëshirojmë fort, e arrijmë. Ishin këto fjalët që mora me vete, pikërisht në datën 15 tetor 2018, ku jeta ime mori një rrjedhë krejtësisht tjetër. Nisi kursi 9-mujor, ku 3-muajt e parë, u zhvilluan në Bunavi të Vlorës me instruktorë e oficerë përkatës. Ishte një nisme krejt e panjohur për mua, e vështirë, por që në vetvete mbarte një lloj bukurie të veçante. Brenda vetes, me thoshte diçka që këtë nismë, duhet ta duash e pastaj ta arrish. Ndihesha ndryshe nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, të qenurit pjesë e uniformës, bënte diferencën për mua. Më pas, në janar të vitit 2019, kursi nisi në Zall-Herr, për gati 6-muaj. Ishin ditët e një rutine të njëjtë, derisa pak nga pak, ditët po pasonin kohën njëra-tjetrës, me padurim, prisja ditën e diplomimit. 19 korriku, ishte dita që më bëri të përjetoj emocionet unike të të mbajturit mbi supe gradën time të parë, ndjesinë e të qenurit pjesë e familjes së madhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Pas përfundimit me sukses te kursit 9-mujor me datë 01.08.2019, mora emërimin e parë pranë batalionit të dytë të këmbësorisë ( B2K), në një kompani mbështetëse logjistike, me detyrë komandante e togës së mbështetjes. Disa javë më pas, ndoqa kursin bazë të oficerit me specializim logjistikën, në degën furnizim. Dalëngadalë, tashmë unë isha bërë pjesë e familjes së madhe të Forcave të Armatosura, shërbej për atdheun tim. Uniforma më bëri të përjetoj emocione të veçanta unike, duke më dhënë vlera, nder dhe krenari, si një oficere e denjë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.