ISAKU: PAS REFORMËS ZGJEDHORE, ZGJEDHJE TË PARAKOHËSHME

1739

• I pranishëm në këtë aktivitet festiv ishte edhe Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edmond Spaho, i cili në fjalën e tij vlerësoi punën e kësaj dege. Spaho tha se miratimi i reformës zgjedhore do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme

 

Dega e Partisë Demokratike në Bulqizë ka festuar 29 vjetorin e themelimit të saj. Në këtë ngjarje të rëndësishme të kësaj force politike në Bulqizë morën pjesë ish-drejtues të saj ndër vite, simpatizantë, drejtues aktual, drejtues të qendrës, ish deputetë etj. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i PD Dega Bulqizë, Defrim Fiku. Por fillimisht ceremonia nisi me një minutë heshtje për biznesmenin dhe aktivistin e PD në vite Murat Duriçi, i cili humbi jetën aksidentalisht pak javë më parë. Në vijim zoti Fiku lexoi një përshëndetje nga themeluesi dhe kryetari i parë i kësaj dege Z.Bashkim Lami, i cili e kishte të pamundur pjesëmarrjën në këtë festë. Më pas edhe nënkryetari i Degës së PD Bulqizë, Z.Edmond Isaku mbajti një fjalë përshëndetëse. Pasi vlerësoi punën përkushtimore të demokratëve të këtij rrethi, z.Isaku u shpreh për domosdoshmërinë e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të parakohëshme në një ditë. “Ngjarja më e rëndësishme politike e këtyre ditëve është reforma zgjedhore ku padyshim kontribut të vlefshëm për të kanë dhënë përfaqësuesit e opozitës jashtëparlametare në komisionin e ngritur nga Këshilli Politik. Pas këtij ligji rruga e vetme për daljen nga kriza e thellë janë zgjedhjet e parakohëshme”,-tha z.Isaku. Ai e vuri theksin te reforma zgjedhore që duhet të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it. Këtë ka kërkuar dhe Bundestag-u gjerman në rezolutën e tij të 26 shtatorit 2019.
Në këtë takim festiv përshëndeti edhe ish deputeti i Qarkut Dibër, Xhemal Gjunkshi.
I pranishëm në këtë aktivitet festiv ishte edhe Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edmond Spaho, i cili në fjalën e tij vlerësoi punën e kësaj dege. Spaho tha se miratimi i reformës zgjedhore do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Nënkryetari i PDSH Edmond Spaho reagoi me tone të ashpra për qeverisjen kriminale të kësaj mazhorance që me korrupsionin galopant e paparëgjegjshëmrinë e saj i ka shkaktuar vendit krizën më të thellë dhe të gjithanshme, pasojat e së cilës po i vuajnë shqiptarët.