Dr. Ardita Koçi sjell risi në shërbimin e Periodontologjisë

5

 

• “Edhe pse e larguar herët jam e lidhur me Bulqizën, sepse përveç rrënjëve atje kam dhe fëmijërinë, kohë e cila lidhet ngushtë me babain tim Isuf Koçin… Si fëmijë nuk mund ti perceptoja sfidat që im atë ka kaluar në jetë, por mund të them që sfidat e mia kanë kaluar suksesshëm për çka unë mbaj në gen dhe për shembullin e fortë që më ka dhuruar babai. Familjarët më thonë që në karakter përngjasojmë shumë dhe jam shumë krenare për këtë. Ndërkohë është i pashmangshëm dhe mendimi që sa i lumtur do të ishte babi në lidhje me kthimin tim, në lidhje me hapjen e një biznesi dhe për më tepër bashkëpunimin e mirë që kemi me motrën, Dr. Redjonën”

E diplomuar para 16 vitesh në Universitetin e Ankarasë, dega stomatologji dhe doktoruar po në këtë universitet në departamentin e Periodontologjisë, Instituti i Shkencave Mjekësore i këtij universiteti, me tezën “Vlerësimi i Ndërveprimit të Hipoksisë dhe Rrugës së Kynureninës në Inflamacionin Periodontal.”, Dr. Ardita Koçi i është përkushtuar maksimalisht përsosjes së këtij shërbimi që në Shqipëri është i mangët.
Përvojën e pasur të fituar gjatë punës në Klinikën Stomatologjike Universitare të Univesitetit të Ankarasë ku ka patur intensitet pacientësh me shumllojshmëri sëmundjesh, dhe ku ka patur fatin të shikojë, trajtojë dhe të mësojë nga profesorët më me emër të Ankarasë, ajo po e implementon suksesshëm, tashmë në klinikën e saj “Perio Dental Clinic”, fare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë.
Në këtë interviste ekskluzive për “Gazetadestinacioni.al” ajo pohon se ka zgjedhur që drejtimin e praktikës klinike ta ketë të përqëndruar tek ky profil, i cili në Shqipëri është i mangët dhe nuk ka një përhapje të gjerë si një shërbim themelor, që është më se i nevojshëm për t’jua ofruar pacientëve.
Dhe ndërsa evidenton si problematikë kthimin e këtij profesioni që merret imtësisht me shëndetin oral dhe ndërveprimin që ai ka me shëndetin sistemik, në një formë biznesi të pakontrolluar, përgjigjen e ka më se të saktë: “Stomatologjia nuk duhet të orientohet nga logjika e biznesit, por nga përgjegjësia humane dhe misioni për të përmirësuar shëndetin, vetëbesimin dhe cilësinë e jetës së pacientëve tanë. Standardi i punës sonë duhet të mbështetet te etika, kompetenca dhe cilësia, jo te konkurrenca joreale në kurriz të shëndetit të njerëzve”.
Dhe ndër arsyet pse ka zgjedhur të jetë pjesë e universitetit prestigjioz Western Balkans (WBU) ka të bëjë me faktin se një ndër kriteret parimore të tij është ruajtja dhe stimulimi i meritokracisë. Ndaj, inkurajimi i studentëve ekselentë por jo vetëm, për t’i ndihmuar ata të zhvillohen më tej, pse jo dhe jashtë Shqipërisë është pjesë e punës së saj të perditshme.
E njohur ndërkombëtarisht për artikujt shkencorë që ka publikuar, për studime rastesh dhe prezantime sipas dokumentit origjinal, pjesëmarrje në kongrese dhe konferenca ndërkombëtare (2007–2023) Dr. Ardita Koçi është e angazhuar që këtë përvojë dhe karrierë akademike ta implementojë në WBU, ku sipas saj ka studentë shumë të mirë, gjithmonë kërkues, ambicioz dhe është e sigurtë se çfarëdolloj zgjedhje do bëjnë ata në rrugëtimin e tyre, do të jenë shumë të suksesshëm dhe vlerë e shtuar për Shqipërinë.
Në këtë intervistë ajo shprehet edhe për vendimin për tu kthyer në Shqipëri që nuk ka qenë aspak i lehtë, por e ndërmori këtë rrugëtim në kërkim të rrënjëve të identitetit të saj, për të lidhur dhe fëmijët me rrënjët e tyre, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk ka lindur në Shqipëri.
Kjo ka të bëjë dhe me karakterin, si përngjasim me babain e saj Isuf Koçin e Bulqizës, një emër i spikatur i elitës dibrane që bëri aq shumë për vendlindjen, duke mbetur simbol i mençurisë, urtësisë dhe mirësisë njerëzore për bashkëkohësit, familjarët, miqtë e shokët e tij të shumtë. Ndërkohë ajo, fare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës ka ngritur klinikën me emrin “Perio Dental Clinic”, ndër më modernet në Shqipëri, për të cilën jep hollësira në intervistën e mëposhtme.

-DR. ARDITA, CILAT JANË RISITË QË OFRON KLINIKA JUAJ?
Nisur nga specializimi im, i cili është Periodontologjia ndryshe, fusha e stomatologjisë e cila merret me sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe trajtimi i tyre, kam vendosur dhe emrin e klinikës “Perio Dental Clinic”.
Periodontologjia është një degë e stomatologjisë që merret me shëndetin e indeve mbështetëse të dhëmbëve. E thënë më qartë, ne si periodontologe merremi me mirëmbajtjen e një themeli të fortë të dhëmbëve.
Janë pikërisht disa shqetësime, si gjakosja e mishrave të dhëmbëve gjatë larjes apo vetvetiu, era e keqe e gojës, lëvizshmëria e dhëmbëve që me kalimin e kohës fillojnë të bien, disa nga simptomat kryesore që shpesh neglizhohen nga pacientët apo akoma dhe nga dentistët. Ka raste te shumta ku mjeket stomatolog e permbledhin shkurt duke thene se eshte me origjine gjenetike dhe nuk ka trajtim dhe ajo cka ndodh eshte nje humbje kohe duke e bere rastin me te veshtire per trajtim.
Sëmundjet periodontale lidhen me disa gjendje sistemike, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, komplikacionet e shtatzënisë, sëmundjet respiratore, artritin rheumatoid dhe gjithnjë e më shumë po vërtetohet lidhja me sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimeri, ku inflamacioni kronik nga periodontiti mund të kontribuojë në përkeqësimin e proceseve degjenerative në tru.
Unë, pikërisht kam zgjedhur që drejtimin e praktikës time klinike ta kem të përqëndruar tek ky profil, i cili në Shqipëri është i mangët dhe nuk ka një përhapje të gjerë si një shërbim themelor, që për mua është më se i nevojshëm për t’jua ofruar pacientëve tanë.
Pjesë e specialitetit tim janë dhe kirurgjitë e avancuara, gjithashtu dhe të indeve të buta. Këto kirurgji na ndihmojnë të rikthejmë strukturat mbështetëse të dhëmbëve, përmirësimin e estetikës dentare dhe mbështetjen e trajtimeve me implantet dentare. İmplantet dentare i praktikoj që në vitin 2010, kohë e cila përkon me fillimin e trajtimeve më të avancuara që kryenim gjatë periudhës së specializimit.
Gjatë punës në Klinikën Stomatologjike Universitare të Univesitetit të Ankarasë ku ka patur intensitet pacientësh me shumllojshmëri sëmundjesh, kam patur fatin të shikoj, trajtoj dhe të mësoj nga profesorët më me emër të Ankarasë, të cilët kishin një lidhje të ngushtë me Ballkanin, duke qenë dhe kryetare te Shoqatës Stomatologjike Ballkanike (BASS).
Përpos pjesës së trajtimeve të lidhura me specializimin tim në klinikë ofrojmë dhe terapitë më të fundit bashkëkohore të drejtimit të dhëmbëve nëpërmjet aparateve të tejdukshëm me anë të firmës amerikane numër një (1) në botë, Invisalign.
Gjithashtu merremi me çdo terapi të përgjithshme dentare, e nevojshme për të paraprirë semundjet dentare deri tek trajtimi i tyre.
Në kliniken tonë kemi mundësinë që çdo trajtim për të cilin mund të ketë nevojë një pacient ta kryejmë brenda ambienteve tona, duke patur dhe avantazhin e vendodhjes së Laboratorit Dentar fare pranë.

-PSE VENDOSËT TA TRANSFERONI SHËRBIMIN NGA TURQIA PËR NË SHQIPËRI?
Vendimi për tu kthyer në Shqipëri nuk ishte aspak i lehtë dhe për më tepër nuk përmban vetëm elementin shërbim.
Jam larguar drejt Ankarasë në vitin 2003, drejt një të panjohure që rezultoi shumë më vështirë nga çfarë mund të ishte menduar. Ditët e para kam patur mbështetje të madhe nga disa prej studentëve shqiptarë që gjendeshin prej kohësh në Ankara dhe për fatin tim të mirë kam patur dy kushurinj që studionin mjekësinë atje, Dr. Ajet Xhafa dhe Dr. Ledjana Kllogjeri. Mbështetja e tyre në ambientimin tim atje ka qenë vendimtare.
Më pas studimet dhe vështirësia e të qenurit në një nga universitetet shtetëror më rigoroz të Turqisë më bënë më të fortë. Si studentë kishim mundësinë e të praktikuarit me një numër të madh pacientësh, gjë që të përgatiste shumë mirë për jetën e jashtme si stomatolog. Pas diplomimit përzgjedh në të njejtin Universitet specializimin për Periodontologji me mbështetjen e plotë të profesorëve të mi.
Gjatë kësaj periudhe unë njihem dhe me tim shoq, Klajdi Koçi, i cili si dhe une ishte student në Universitetin e Hacettepese, në fakultetin e administrim biznesit. Im shoq ka qenë dhe është fati im i mirë. Mbështetja e vazhdueshme për njëri – tjetrin, për të ecur përpara në një vend ku nuk ekzistojnë lidhjet (pasi ishim të huaj), por vetëm meritokracia dhe aftësitë e tua si profesionistë e ka bërë lidhjen tonë më të fortë.
Nënshtetësinë turke e kam marrë në vitin 2017, kohë në të cilën trazirat politike në Turqi ishin në kulm dhe ky moment është i rëndësishëm në njëfarë mënyre, sepse nuk ishe më i huaj. Është një moment shumë për të qeshur në fakt, por tek unë ka lënë shenjë.
Një ditë në klinikë pata një pacient të moshuar rreth 75 vjeç dhe pasi bëmë trajtimin më pyet, nga je?
– Jam nga Shqipëria, i thashë.
Përgjigja ishte – Olsun, që do të thotë s’ka gjë.
Një element që njeriu kërkon kur është rreth të 40-ve është ai identiteti, ndjenja e përkatësisë. Pikërisht kjo fjalë “s’ka gjë që nuk je nga këtej” tek unë la gjurmë të thella. Më pas ndodhi pandemia ku të tërë u mblodhëm nëpër familjet bërthamë tonën dhe kështu filluan gjykimet në lidhje me ndryshimin e vendit ku jetonim. Tashmë kërkonim familjen, qoftë timen, qoftë të tim shoqi. Kërkonim më shumë njerëz për të kaluar jetën tonë, por gjithashtu për të lidhur dhe fëmijët me rrënjët e tyre, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk ka lindur në Shqipëri.
Një moment shumë mbresëlënës ishte kërshëria e vajzës time kur pasi u kthyem tha: “Unë nuk e dija që kisha kaq shumë kushurinj”.
Në këtë pikë mund të them që vendimi i kthimit, më shumë se transferim shërbimi ishte ndryshim i vendit ku ne donim të jetonim. Pa anashkaluar dhe faktin që risku i hapjes së një biznesi të ri është shqetësues, aq më tepër në një vend ku nuk ke një historik pacientësh, ambicien për ta bërë të sukseshëm këtë rrugëtim së bashku me motrën Redjonën e kam patur shumë të lartë.

– NË OPTIKËN TUAJ, CILAT JANË PROBLEMATIKAT ME TË CILAT PËRBALLET SHËRBIMI DENTAR NË SHQIPËRI?
Në optikën time, shërbimi dentar në Shqipëri ka bërë një progres të dukshëm vitet e fundit, sidomos falë turizmit dentar, i cili ka sjellë zhvillim ekonomik dhe e ka rritur shumë interesin e të rinjve për profesionin e stomatologjisë. Megjithatë, përballë këtij zhvillimi qëndrojnë disa problematika serioze.
Ajo që më shqetëson më shumë është prirja për ta shndërruar stomatologjinë – një profesion që merret ngushtësisht me shëndetin oral dhe ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në shëndetin sistemik – në një biznes të pakontrolluar. Kemi një rritje të ofrimit të shërbimeve dentare me çmime tejet të ulëta, të cilat u paraqiten pacientëve sikur ofrojnë të njëjtin nivel eksperience, cilësie dhe garancie afatgjatë si puna e specialistëve të mirëtrajnuar.
Ky fenomen rrezikon standardet profesionale dhe cenon besimin e pacientëve. Stomatologjia nuk duhet të orientohet nga logjika e biznesit, por nga përgjegjësia humane dhe misioni për të përmirësuar shëndetin, vetëbesimin dhe cilësinë e jetës së pacientëve tanë. Standardi i punës sonë duhet të mbështetet te etika, kompetenca dhe cilësia, jo te konkurrenca joreale në kurriz të shëndetit të njerëzve.

-SI PEDAGOGE NË UNIVERSITETIN WESTERN BALKANS, SI I GJYKONI PRITSHMËRITË E STUDENTËVE PËR LËNDËN TUAJ?
Kur kam pranuar në fillim kërkesën e Universitetit Western Balkans për të qenë pjesë e stafit akademik dhe më pas e emëruar Pergjegjese departamenti, për të ofruar eksperiencën time të marrë nga studimet dhe puna ime disa vjeçare në Turqi, një ndër motivet kryesore ka qenë të isha për këta student, jo vetëm një pedagoge por dhe nje mentore për t’ju qëndruar pranë në çdo kërkesë dhe vështirësi që mund të hasnin gjatë viteve.
Vitet e fakultetit janë sa të vështira aq dhe delikate. Studentët kanë nevojë për një inkurajim të vazhdueshëm, motivim dhe drejtim drejt asaj çfarë ata dinë të bëjnë më mirë, duke i ndihmuar të kuptojnë më mirë veten e tyre dhe aftësitë që zotërojnë.
Duke qenë çdo ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me studentët e universitetit WBU kam kuptuar se po jetojnë në një epokë sa të kollajtë aq dhe më të vështirë për ta. Janë një brez i hapur totalisht drejt informacionit të gatshëm, falë zhvillimit dhe aksesit të teknologjisë. Por kjo, nga ana tjetër e bën akoma më të rëndësishëm rolin tonë si akademikë në orientimin e tyre drejt përzgjedhjes së këtij informacioni të pamasë, ndarjen e informacionit të saktë ndaj atij jo të saktë.
Ndër arsyet që zgjodha të jemë pjesë e WBU ka të bëjë me faktin se një ndër kriteret parimore të tij është ruajtja dhe stimulimi i meritokracisë. Inkurajimi i studentëve ekselentë por jo vetëm, për t’i ndihmuar ata të zhvillohen më tej, pse jo dhe jashtë Shqipërisë është pjesë e punës time të perditshme.
Edhe pse Universiteti është i ri (viti i 4), mund të them me plotë gojën që kemi studentë shumë të mirë, gjithmonë kërkues, ambicioz dhe jam e sigurtë se çfarëdolloj zgjedhje do bëjnë ata në rrugëtimin e tyre, do të jenë shumë të suksesshëm dhe vlerë e shtuar për Shqipërinë. Ndërkohë ne kemi shumë studentë të huaj ku përqasja që kam me ta është edhe më personale, pasi dhe unë kam qenë studente e huaj në një shtet tjetër dhe i njoh nga afër vështirësitë me të cilat ata hasen.

-DHE së fundmi-SA E LIDHUR JENI ME VENDLINDJEN TUAJ, BULQIZËN
(ndikimi i familjes dhe veçanërisht i babait tuaj Isufit-një emër i spikatur i elitës dibrane, në formimin tuaj)?

Zgjedhja e profesionit është e lidhur ngushtë patjetër me mamin tim. E kam zgjedhur shumë herët, atëhere kur isha fëmijë dhe kur njohuria ime ishte që dentistët na rregullojnë dhëmbët e prishur.
Për fat të mirë nuk pata ndryshim mendimi as në kohën e gjimnazit dhe tani mendoj që nuk do të kishte profesion tjetër që të mund ta shikoja veten të përmbushur.
Unë, deri në moshën 14 – vjeçare kam jetuar në Bulqizë. Mund të them me shumë sinqeritet që pikërisht vitin para se të bënim kthimin përfundimtar në Shqipëri, pra verën e vitit 2022, kalova dy ditë në Fushë Bulqizë, ku ndjeva që rrënjët po më thërrisnin. Ndjesia që oksigjeni përshkoi mushkëritë deri në thellesi ishte e papërshkrueshme. Unë i përkas këtij vendi – thashë në ato momente.
Edhe pse larguar herët jam e lidhur me Bulqizën, sepse përveç rrënjëve atje kam dhe fëmijërinë, kohë e cila lidhet ngushtë me babain tim Isuf Koçin.
Si fëmijë nuk mund ti perceptoja sfidat që im atë ka kaluar në jetë, por mund të them që sfidat e mia kanë kaluar suksesshëm për çka unë mbaj në gjen dhe për shembullin e fortë që më ka dhuruar babai. Familjarët më thonë që në karakter përngjasojmë shumë dhe jam shumë krenare për këtë. Ndërkohë është i pashmangshëm dhe mendimi që sa i lumtur do të ishte babi në lidhje me kthimin tim, në lidhje me hapjen e një biznesi dhe për më tepër bashkëpunimin e mirë që kemi me motrën, Dr. Redjonën.
Ka shumë raste kur në klinikë gjenden vetëm pacientë nga Bulqiza ose me rrënjë nga Bulqiza. Kënaqësia është shumë ndryshe, pasi të kesh punuar për rreth 14 vite (pa shtuar dy vitet e praktikës si studente), me pacientë turq dhe vjen dhe jep gjithë eksperiencën tek bashkëatdhetarët dhe për më tepër ata që kanë njohur mamin apo babin, kjo të rrënjos më tepër dhe të jep kontributin e tij në përmbushjen e identitetit që i përket.