Klithma e zemrës

3

Nga Barie Cupi

Nga rrëmujë e pagjumësisë,
më kanë mbërthyer vizatime të padukshme fjalësh,
për trarësh varur ëndrrat e mbetura,
perdja e natës mbulon imazhe,
zogj të shurdhër jemi.
mendimet glasen si pagëzim i fatit,
si hutë mbi krye krroket paudhësia,
një pikë errësire na e pin shikimin,
digjen gërmat me flakët e vetmisë.
as hijet nuk na njohin në vizatime të tilla,
ia mësym kohës fajet,
orët na përcjellin si kujtime të ngatërruara,
në zgjime të pakryera,klithma e zemrës,
psherëtimë që s’bëzan.
të ngrira pigmentet e ujit në pikturën e vjetër,
suva të njomura me shira stinësh,
buzëqeshje të etura,rrëzohen humbëse,
në këtë rehati memece,
duhen buzë hëne,
të ndryshket errësira në pikturën tënde.

Udhëtim në kujtesë

Mbërriti e sotmja me vela varkash të humbura,
skutave të një ëndrre,udhëtim i gjatë,
iu përflak syve,
koha që i vodhi dashurinë,
qielli shkrin kujtesë,
në pasqyr’n e hënës si një qelqurinë.
Shi i ftohtë përplaset mbi ditarin e grisur,
gjinjsh të natës,pin qumësht një fantazmë,
ijeve të jetës shpërthen klithma e gërmave të thyera,
ndërsa fjala zgjohet,
angullimesh të ngjyera.
Niset e sotmja sërish me vela varkash të humbura,
shkundur gjithë malli,në një prag të huaj,
metafor’e fatit kërkon shpëtim,
skërmiten orët në heshtje,varkat ikin në pakthim.