Votimet e 30 qershorit në Bulqizë ishin një maskaradë!

856

Z.Fiku, PS krijoi presion dhe klimë terrori gjatë muajit qershor në të gjithë vendin, në Bulqizë si është përcjellë kjo gjendje?
Votimet e 30 qershorit ishin një farsë, të cilat në një kohë kur Shqipëria ka ndërtuar insitucionin e pluralizmit politik që në vitin 1991, kohë kur është votuar me garë shumëpartiake (pluraliste), zbuluan dhe njëherë produktin e vjetër politik të Partisë Socialiste (ish Partia e Punës), se ëndrra moniste nuk është larguar akoma nga praktika për të marrë pushtetin. 30 qershori ishte një shfaqje e rëndë e primitivitetit politk të kësaj force politike. Votimi ishte farsë, një votim që nxori zbuluar mbështetjen fiktive që Partia Socialiste ka në Shqipëri dhe në Bulqizë. PS përdori mjetet dhe forcën e pushtetit për të dërguar drejt qendrave të votimit të gjithë të punësuarit në administratën e bashkisë dhe njësitë e saj, punonjësit që varen nga drejtoria e shëndetit publik dhe drejtoritë e tjera, mësuesit, punonjësit e nëntokës, familjet me ndihmë ekonomike e të tjerë, duke iu kërkuar forcërisht për të votuar anëtarin e këshillit bashkiak dhe kryetarin e bashkisë. Akoma më e rëndë është gjetja e një numri fletësh votimi të konsiderueshme, të plotësuar nga votimi kolektiv apo komisioni në QV. Në rrethin e Bulqizës pjesëmarrja në votime, me gjithë këtë problematikë (presioni, shantazhi, detyrimi për të punësuarit në pushtetin lokal dhe sektorët e tjerë) nuk i kaloi 20 %.
Partia Demokratike dhe opozita ka evidentuar, se gjatë gjithë ditës së votimit komisionerët e qendrave te votimit, drejtuesit lokal dhe të institucioneve, kanë shantazhuar elektoratin votues, të punësuarit, duke iu kërkuar pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes, të afërmit e tyre, pasi në rast të kundërt pasojat do të ishin me largim nga puna, prerje të ndihmës ekonomike dhe konseguenca të tjera, që mund t’i shkaktojë vetëm një pushtet i egër dhe monist. Zgjedhjet e 30 qershorit ishin zgjedhje moniste. Si në gjithë vendin, votuesve iu është kërkuar për të raportuar të hënën, madje duke treguar shenjën në gisht si pjesëmarrës në votim. Pavarësisht kësaj maskarade, e cila nuk kishte asgjë me një ditë votimesh në një vend pluralist, hendeku ku e gjeti veten votimi për pushtetin lokal në 30 qershor në Bulqizë ishte katastrofal, pasi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015 pjesëmarrja në votime ishte 58%, kështu që maskarada mbetet maskaradë.

-Jeni gjendur përballë një kundërshtari politik (PS), një mazhorancë që ka pushtetin, si e keni përballuar, duke ruajtur mbështetjen në njerëz dhe elektorat, në intelektualë dhe nivelet e tjera, të cilëve iu është dashur të përballen me pushtetin dhe mundësinë për të humbur vendin e punës?
Së pari, si një parti e vlerave demokratike dhe themeluese e pluralizmit politik në Shqipëri pas një terri të dhunshëm 50 vjeçar, parimin fondamental të votës së lirë, në një shoqëri të lirë dhe në një garë pluraliste, duke respektuar institucionet themelore të shtetit nuk ndryshohen kurrë dhe as abuzohet me to. Në një shoqëri pluraliste gara është fondamenti, guri themeltar i shtetit.
Së dyti, Partia Demokratike drejtohet nga një lidership i formuar, shkolluar dhe me një praktikë perëndimore të shoqërisë së emancipuar të shteteve më të rëndësishme të Evropës. Praktikisht Lulzim Basha është udhëheqësi politik më bashkëkohor, i cili në praktikën e punës së tij respekton parmimet fondamentale të shtetit demokratik. Për një forcë politike, si Partia Demokratike, kjo është e rëndësishme.
Po ashtu, në vijim të betejës për votëm e lirë, një betejë e hapur që në vitin 2013, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në krye të qeverimit të vendit, deri me datën 28 Qershor, PD ka protestuar për të mos pranuar të zhvillohen zgjedhje fasadë, që me 30 qershor Partia Socialiste i ktheu në votime për vetveten dhe jo në zgjedhje. Sidoqoftë, Partia Demokratike sensibilizoi komuniktetin ndërkombëtar për atë që po ndodhte në një vend anëtar i NATO-s dhe në pritje të hapjes së negociatave me BE-në, e cila bashkëpunon me shtetet mbi bazën e parimeve demokratitke.
Partia Demokratike/ Dega Bulqizë, duke mos patur komisioner dhe vëzhgues në KZAZ nr.18, QV dhe GNV, përmes strukturave të saja, nga më të mëdhatë tek më të voglat, në bazë fshati është organizuar për të vrojtuar QV mbi ecurinë e zhvillimit të votimeve dhe pjesëmarrjen. Nga të dhënat e mbledhura dhe rezultati i publikuar nga KZAZ nr. 18, ka papërputhshmëri dhe diferenca të konsiderueshme votash.
Në vëzhgimet tona, policia e shtetit ka qenë e angazhuar në fushatën elektorale në mbështetje të kandidatit të PS. Njerëzit tanë, anëtarët e PD-së, mbështetësit tanë janë treguar aktiv. Ne kemi qenë në krye të detyrës gjatë gjithë kësaj kohe, duke i treguar elektoratit tonë se këtë situatë skandaloze, terrorizuese dhe dhunuese ne mund ta përballojmë, siç dhe përballuam. Në Bulqizë, Partia Socialiste ka njohur gjendjen katastrofale ku ajo gjendet aktualisht. Dhe është po kaq e vërtetë kjo, sa vetë socialistët, duke qenë vetëm në komisione, në qendrat e votimit, në numrimin e votave, pra gjithë strukturën votuese (them votuese pasi ata nuk ishin zgjedhje) përsëri u “detyruan” të vjedhin, një ves i përjetshëm i tyre. Me këtë rast Partia Demokratike i dha provën elektoratit të saj në rritje, se ne së shpejti do të vijmë në pushtet. Ne kemi të dhëna të sakta për gjithë atë që është gjendja elektorale në Bulqizë. Dhe në këtë rast ne ditëm ta kthejmë në favorin tonë këtë situatë të rëndë. Socialistët shpejt do t’i lëshojnë institucionet dhe zyrat që kanë uzurpuar me dhumë dhe arbritarisht.