Vallja e grave të Bulqizës duhet dërguar në UNESCO

1

Katër gra kërcejnë vallen karakteristike të grave të Bulqizës. Vallja kërcehet nga katër gra me motive origjinale, ku dy gratë (e para dhe e fundit) e tërheqin vallen herë majtas, herë djathtas dhe formojnë koreografinë e lëvizjeve. Herë pas here ulen e ngrihen, me një shkathtësi dhe elegancë, për t’u admiruar, duke kombinuar hapat me mjeshtëri. Dy gratë e mesit janë “mbajtëset”; ato herë lëvizin para, herë mbrapa. Vallja nuk ka as fillim, as fund.
Të dyja “mbajtëset” ndjekin hapin e secilës soliste, duke e ndarë kuartetin e valles në dy çifte grash. Pra, në thelb të koreografisë janë dy çifte grash që kërcejnë, secila me hapin e saj, por me motiv të njëjtë.
Çdo tentativë për të ndryshuar numrin e vallëtareve, koreografinë apo elemente të tjera të valles, prish origjinalitetin e saj. E theksoj këtë, nisur nga disa filmime që kam parë në YouTube.”Veshja në foto është origjinale, por duket si e një dite të zakonshme. Veshja e plotë përmban edhe vargun me “paret” prej sermi dhe disa elementë të tjerë që e bëjnë të dallohet nga veshja e përditshme.
Mua më ka intriguar gjithmonë kjo valle: në dukje e thjeshtë, por jo e lehtë për t’u kërcyer. Mendoj se kjo valle duhet studiuar. Përmban elemente karakteristike që nuk hasen askund në krahina të tjera dhe, ndoshta, pse jo, të dërgohet në UNESCO. Ndaj origjinaliteti i saj duhet ruajtur me xhelozi. Në vlerësim të komentit të Dhurata Kaloshit në facebook, Engjellushe Methasani shkruan se “Vallja e Bulqizës, identitet i kulluar i shpirtit artistik bulqizak, unike në llojin e saj . Veshja bulqizake tërë hire në trupin e vajzës dhe gruas bulqizake . Të gjitha pjesët e saj ne shërbim tē bukurisë , të thjeshtësisë , të nurit , të të moralshmes , të së denjës , të së palodhshmes . Është krenari që këto dy perla te identitetit bulqizak jo vetëm qe janë ruajtur me fanatizëm por po rishfaqen dhe më me forcë si nje shpirt i ringjallur , në çdo ngjarje gëzimi”.