Viçisht – Aty ku ka më shumë heronj e dëshmorë se sa shtëpi
Viktimë e vendimit famëkeq të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të 1913-ës, qe edhe fshati Viçisht i Dibrës, gjysma e njerëzve të gjakut e fiseve të të cilit mbetën në Dibrën e Madhe, si edhe të disa zonave tjera kufitare që ju aneksuan ish-Jugosllavisë. Për afro një shekull, u ndanë për së gjalli njerëz e familje të një gjaku e fisi.
Dhe si të mos mjaftonte kjo tragjedi njerëzore, sërish sistemi i diktaturës do të ndiqte politika përçarëse edhe për banorët e këtij fshati me histori të lavdishme.
Një ndër rastet e shumta të këtij kalvari është edhe Hasan Cami, ish bashkëluftëtar i Heroit të dy luftrave Botërore Ahmet Cami, që me krijimin prej tij të çetës antifashiste të Gollobordës. Edhe Hasani ishte ndër 19 burrat e këtij fisi që për veprimtari patriotike u burgosën nga fashistët italianë në burgun famëkeq të Tiranës në prill 1941 (mes të cilëve katër pushkatohen dhe tetë të tjerë bien dëshmorë), por çuditërisht, ky pinjoll i këtij fisi emërndritur, pas çliririmit arrestohet dhe dënohet me akuzën absurde të sajuar nga ish sigurimi famëkeq i shtetit diktatorial “agjitacion e propagandë”, dënim ky që do t’ju kushtonte rëndë edhe pjestarëve të familjes së tij që u persekutuan për vite e dekada të kohës së monizmit.
EMIGRANTI NGA VICISHTI, SI FAKTOR PËRBASHKIMI
Tetëdhjetë vjet pas atij akti barbar, Klodian Cami, (stërnipi i patriotit Hasana Cami), President i Shoqatës “Shqiponja” (të emigrantëve shqiptarë) në Reggio Emiglia të Italisë, identifikohet si faktor përbashkimi, jo vetëm i Camëve, por i gjashtë fiseve: Cami, Lika, Xheka, Tola, Suma, Markja e Izvira, duke iniciuar dhe organizuar një festë madhështore mbrëmjen e 17 gushtit në oborrin e shkollës “Fasli Cami” në Viçishtin e Epërm, një fshat ky me bukuri të rralla natyrore, në prehërin e maleve. Dhe jo vetëm kaq, por siç do të shprehej me fjalën e tij artistike moderatori i këtij eventi, Mjeshtri i Madh Defrim Methasani: “Të gjithë ndjejnë kënaqësi dhe krenari njëherësh që janë pjesë e kësaj feste madhëshore në fshatin që ka më shumë heronj e dëshmorë se sa shtëpi, në fshatin që ka nxjerrë dhjetra personalitete me rrezatim mbarëkombëtar, si ministra, deputetë drejtues institicionesh kryesore qëndrore, apo dhe kampionë Europe e bote në sporte të ndryshme, si vëlla e motër Tefta e Mois Cami. shkrimtarët e njohur Sakip, Shpëtim e Agron Cami, drejtoresha e QSU Tiranë, Prof. dr. Alma Cami, kampioni i botës në boks Adriatik Cami etj.
Po. Wshtë vërtetë kënaqësi për mjeshtrin e moderimit dhe ikonën e gazetarisë sportive e të dokumentarit televiziv Methasani, të jetë pjesë e kësaj feste dhe ta moderojë atë, një traditë që po zgjerohet nga viti në vit me kthimin e mërgimtarëve në vendlindje, investimin dhe kujdesin e tyre për aktivitete të bukura si ky i sotmi. Këtë kënaqësi dhe krenari do ta shprehë edhe kryetarja e bashkisë Bulqizë Festime Mjeshtri. Në fjalën e saj përshëndetëse ajo e konsideron Viçishtin një fshat me tradita të hershme kombëtare, me dëshmorë dhe heronj të shumtë, për shkak të natyrës dhe ndjenjës së fortë kombëtare, por edhe me të përndjekur politikë dhe me personalitete në fushën e arsimit dhe shkencës, dhe kjo histori ja shton përgjegjësinë për të bërë më shumë për infrastrukturën e mjedisin e këtij fshati.
Qytetarja e parë e Bashkisë Bulqize, znj. Festime Mjeshtri tha se e mirëpriti menjëherë ftesën për t’ju bashkuar dhe për të kontribuar për ta rregulluar shkollën që mban emrin e dëshmorit “Fasli Cami”, për këtë ditë festive. Ajo është edhe ish – nxënëse e kësaj shkolle, kështu që përgjegjësia e saj qe e shumefishtë, siç pohuan edhe organizatorë tjerë të kësaj feste. Duke përgëzuar Klodian Camin për jetëzimin e mallit dhe dashurisë për familjen dhe mbi të gjitha për institucionalizimin e kësaj feste, ajo ftoi banoret e 63 fshatrave të bashkisë Bulqizë të marrin shembullin e Viçishtit dhe ta shikojnë bashkinë si partnere.
I pranishëm në këtë festë edhe depueti demokrat Xhelal Mziu, ndërsa prshëndeti qindra pjesëmarrësit e në veçanti bijtë emigrantë të këtij fshati, mirënjohje të veçantë shprehu për Klodian Camin. Ai tha se ishte i entuziazmuar që ndodhej mes banorëve të fshatit historik të Viçishtit, në juridikisonin e njësisë administrative Gjoricë. Mziu vlerësoi egon e jashtëzakonshme të Klodian Camit për të maksimalizuar dhe transmetuar tek bashkëmoshatarët e tij çdo vlerë të Shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emiglia që ai ka themeluar dhe drejton prej dy dekadash (Ai është edhe sponsor i ekipit të futbollit “Shqiponja” që këtë vit arriti në kategorinë C1.).
NË TETOR 80 VJETORI I SHKOLLËS “FASLI CAMI”
Fjalë zemre për këtë djalë të Viçishtit thanë në përshëndetjet e tyre edhe znj. Lirie Teodori, Drejtore e Shkollës “Fasli Cami”dhe Prof. dr. Shpëtim Cami, kryetar i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, djalë i këtij fshati dhe ish – nxenës i kësaj shkolle. Prof. Cami vlerësoi angazhimin e kryebashkiakes Festime Mjeshtri në mbështetje të Festës së Diasporës së fshatit Viçisht, si dhe përgatitjet për 80 vjetorin e Shkollës ‘Fasli Cami’, me synim krijimin e një muzeu të shkollës në muajin tetor të këtij viti që përkon edhe me 80-vjetorin e clirimit të atdheut nga okupatori nazifashist..
Fasli Cami, emrin e të cilit mban kjo shkollë lindi në nëntor të vitit 1912 në fshatin Viçish të Dibrës. Shkollën fillore 6 vjeçare e kreu në Internatin e Kastriotit të Dibrës nga viti 1920 deri në vitin 1926. Më 1927 u pranua në Shkollën Mbretërore. Në vitin 1931 u transferua në gjimnazin e shtetit në Tiranë dhe vazhdoi studimet në këtë gjimnaz deri në fundin e vitit 1932, kohë kur e përjashtuan se kërkoi të drejtën si dhe shfaqi shenja rebelizmi ndaj padrejtësive. Në këtë kohë Fasliu ishte në një shkollë me Mehmet Shehun, i cili më vonë në kujtimet e tij do të shkruante se s’kishte takuar në jetën e tij djalë më trim se një dibran me emrin Fasli Cami. Me shumë përpjekje u ripranua për të vazhduar studimet në shkollën normale të Elbasanit. Në janar u emërua mësues, në vitin 1939 u transferua në Gjoricë, ku shërbeu me nder, përgjegjësi dhe ndërgjegje deri më 6 prill 1943, deri në momentin kur fashistët italianë e vranë në kodrat e Gjoricës. Mësues e nxënës të Shkollës së Viçishtit, në këtë 80 vjetor të krijimit të saj ndjehen më krenar se kurrë që ajo mban emrin e mësuesit dëshmir Fasli Cami.
Prof. dr. Shpëtim Cami, në fjalën e tij vlerësoi gjithashtu dakortësimin me kryebashkiaken Mjeshtri për ide që duhen mbeshtetur në çdo fshat, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm e forcimin e marrëdhënieve me diasporën dhe emigrantët shqiptarë.
Pjesëmarrësit i përshëndeti gjithashtu kryetari i degës së LID për Maqellarën, gazetari e shkrimtari Osman Gjili, kampioni i botës për dy kategori në boks Adriatik Cami etj. Mësuesi veteran Avni Mera, ish – drejtor për 8 vjet i kësaj shkolle shprehu kënaqësi të veçantë që ndodehj mes ish dhjetra nxënësve të tij, sot në profesione e funksione të ndryshme në Bulqizë, Peshkopi, Tiranë e diasporë.
Kënaqësi të veçantë që ndodheshin mes djemve e vajzave viçishtash shprehën edhe nënkryetari i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, z. Musa Riçku, kryetari i degës së PD, avokat Shaqir Manjani, njëherësh anëtar i këshillit të Bashkisë Bulqizë dhe nënkryetari i këshillit të kësaj bashkie Z. Munir Sinani.
Në fjalët e tyre, emërues i përbashkët është mirënjohja për Klodian Camin, iniciator dhe organizator i kësaj feste mbresëlënëse. Mesazhet që përcjellin shembullin e tij kanë emrin “krenari”. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat ka ecur dhe ecën Klodian Cami, i përshtatur mirë me kohën, bujar, fisnik, humanist i pashoq, intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që ka çarë në jetë me mençuri e sakrifica.
FESTA E VIÇISHTIT, ME RREZATIM NBARËKOMBËTAR
Festa e Viçishtit rizgjoi nostalgjinë e bnorëve të tij, veçmas atyre që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë. Klodian Cami është njëri prej atyre djemve që kthen kokën pas, duke krijuar mundësinë e gëzimit e bashkimit të njerëzve përmes organizimit të kësaj feste të paparë në fshatin e tij.
Impresione ngjalli kjo festë edhe tek miqtë e tij të ardhur nga SHBA, Italia, Gjermania, Greqia, Gostivari e Dibra e Madhe.
“Uroj që kjo festë të përhapet në gjithë Shqipërinë”, thotë Gentian Shero nga Kavaja, kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza”, në Trento të Italisë, sponsor dhe president i shkollës “Artur Lleshi” dhe ekipit të futbollit “Iliria” të emigrantëve shqiptarë në këtë rajon të Iltalisë. Urimit të tij i bashkohet edhe Bujar Tabaku, nga Kavaja që jeton në Parma. Ai thotë se me shembullin e tij, me shqiptarizmën e spikatur në drejtimin e shoqatës “Shqiponja”, Kloian Cami është bërë shembull frymëzimi edhe për Forumi e Guas Shqiptare, .me presidente znj. Marsida Mediu që është bërë zëri i diasporës në Itali. Gentiani dhe Bujari na flasin me përzemërsi edhe për ndihmësën që Klodiani ka dhënë për shkollën shqiptare “Skënderbeu” me drejtor Durim Lika nga Manza dhe mëues Zamira Shkurti nga Lushnja, Sabri Kulla nga Durrësi, shkollë kjo ku mësojnë 65 nxënës, fëmijë emigratësh shqiptarë. Mirënjohje dhe respekt të veçantë për Klodin shprehën edhe Ibrahim Kolari në emër të diasporës shqiptare në Nju Jork, Miçe Duka, Kryetar i Shoqatës Kulturore Artistike “Dibra e Madhe”, Ismaili nga Gostivari, anëtar i shoqatës “Shqiponja”, Resul Uzini nga Gostivari, si dhe bashkëshortët Sugare dhe Gjovalin Suzaj nga Tropoja, Urimit të tyre të përzemërt për Klodian Camin, djalin e shqiptarisë në Itali i bashkohet edhe kunata e tij, Alma Skuka që ka ardhur nga Franca pë të bërë disa foto nga ky fshat perlë e natyrës, si dhe Drita Ahmet Cami (Garuli) që kishte ardhur nga Gjermania.
“Sa i bukur duket viçishti këtë mbrëmje të 17 gushtit. Ky vend është i shenjtë për ne. Është kënaqësi e veçantë që bëhemi bashkë, në këtë bashkim vlerash…Sonte jemi shumë më shumë nga sa e mendonim, por duhet të ishim shumë më shumë…Këtu tek kjo shkollë me histori 80 vjeçare nisi sot ky takim që do jetë i përvitshëm”, thotë ndër të tjera i emocionuar protagonisti kryesor i kësaj feste, Klodian Cami. Dhe në morinë e miqve të shumtë, përveçon mjekun Bajram Xheka dhe mësuesin veteran Fehmi Lika, ish kryetar i fshatit Viçisht, që që dhanë ndihmesë në organizimin e këtij eventi.
Atmosferën e kësaj feste e ndezi këngëtarja famoze Elda Berisha me këngën “Kuq e zi”. Jehona e vargjeve të saj “Ose sot ose kurrë/ na bashkon një flamur/ kuq e zi është Shqipëria/ është Kosova, Çamëria” jehuan fuqishëm grykës së Drinit të Zi e matanë kufirit në trojet shqiptare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu edhe vargjet e këngës “Po ku ka si ti moj Shqipëria ime”, interpretuar mjeshtërisht nga vogëlushja Keisiana Duriçi, si dhe Evelina Shabani, mbesë e kètij fshati me zërin e saj brilant në interpretimin e këngëve popullore dibrane. Gjallëri i dhanë festës edhe valltarët e vegjël të Qendrave Kulturore të Fëmijëve Bulqizë e Durrës, si dhe artistët e mëdhenj të humorit, Mjeshtri i Madh Behar Mera e Genci Lleshi, me interpretimin e disa grimcave humoristike gazmore.
Gëzim, këngë, valle, hare…në këtë natë festive në festën e Viçishtit, fshatit të martirizuar nga pushtues të shumtë dhe nga diktatura komuniste, festë që mbyllet me zërin kushtrimor të Dritan Jasharit në këngën kushtrim “Fluturon shqipja mbi Korab…”.
H.RAMA