HISTORI – KULTURË – LETËRSI – TRADITË, SESION SHKENCOR NË FUSHË-BULQIZË

416

Presidenti i “Shoqatës Bulqiza”, Prof.assoc.dr.Islam Dauti ju bëri të ditur pjesmarrësve vendimin e kryesisë për dhënien e çmimit “Lutfi Hanku” krijuesve e botuesve të talentuar në art e letërsi

EGLANTINA ALLIAJ
“SHOQATA ATDHETARE KULTURORE BULQIZA” para pak kohësh ka organizuar SESIONIN SHKENCOR me tematikë “HISTORI – KULTURË – LETËRSI – TRADITË”, në Fushë Bulqizë. Morën pjesë drejtues të “Shoqatës Bulqiza”, që organizuan aktivitetin sipas programit të shpallur më parë, z.Lefter Alla, Kryetari i Bashkisë Bulqizë; z.Gëzim Xhafa, Kryetari i Këshillit bashkiak, z.Selim Alliu, kryetari i Njësisë Administrative Fushë Bulqizë; z. Rakip Koka, kryetari i “Shoqatës Martaneshi“, studjues të historisë, referues studimesh, poetë, stilistë këngëtarë, valltarë, shumë të ftuar, etj. Gjithë aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pjesmarrësit gjatë të gjithë etapave të programit të pregatitur më së miri. Aktiviteti u moderua nga z.Asllan Daxha, anëtar i kryesisë së “Shoqatës Bulqiza”.

STUDIUESVE TË HISTORISË E KULTURËS SË BULQIZËS
U JEPET ÇERTIFIKATA MIRËNJOHJE NGA BASHKIA BULQIZË
Në këtë sesion shkencor u promovuan studimet historike të disa autorëve nga zonat e Bulqizës. Studiuesi Bashkim Lami paraqiti përpara pjesmarrësve librin “Qëndresa e Bulqizakëve për liri” si studim i kryer në disa vite. Ymer Keta me studimin “Bulqiza dhe bulqizakët”. Z.Ferhat Gruja, aktivist i shoqatës “Hazis Lila” paraqiti një përshkrim të studimit të autorëve Kadri Dauti e Arif Shutina në librin e tyre “Kalabardha kështjellë e Arbërisë”. Agim Demiri paraqiti botimin e tij FJALOR “Nga e folmja e Bulqizës” dhe Destan Rama librin “Yje që ndriçojnë Bulqizën”. Autorët shprehën me emocion, por dhe krenari mendime interesante mbi përpjekjet e tyre deri në realizimin e botimit të librave që pasqyrojnë vlerat e mëdha të historisë, kulturës e traditës së trevave të Bulqizës. Dr.Jashar Demiri vlerësoi lart punën e studjuesve dhe të poetëve që e kanë mbushur tavolinën me libra që duan shumë mund e përpjekje për të qenë botimi në dorë të lexuesve dhe e krahasoj me ndërtimin e një kulle nga themelet.
Z.Lefter Alla shprehu mirënjohjen e tij për autorët e këtyre studimeve duke thënë se ato tashmë janë një vlerë e çmuar për njohjen e historis së qëndresës së popullit të Bulqizës në luftrat për liri e pavarësi. Më pas z.Alla nderoj me çertifikata mirënjohje autorët e këtyre studimeve. Doktori i shkencave gjeografike Adriatik Balla paraqiti studimin e tij “Një vështrim fiziko-gjeografik i trevës së Bulqizës”, ku evidentoj vlerat e mëdha të natyrës së maleve të Bulqizës, sidomos zonat me liqene akullnajore si vende që mund të kthehen në atraksione turistike mjaft të pëlqyeshme për vizitorë vendas e të huaj. Ai bëri krahasimin me zona të ngjashme malore të Italisë e vendeve të tjera që kanë të njejtat karakteristika me zonat e liqeneve të Duriçit, Martaneshit, Zerqanit, Allamanit, Balgjait, etj. Autor i studimit theksoj që qeverisja vendore e qëndrore, duhet të kthejnë vemendjen tek këto resurse të natyrës malore të Bulqizës për të tërhequr lëvizjet e turistëve, si mundësi për shtimin e punësimit e të të ardhurave për ekonominë e vendit.
Studiusi Ramazan Kica mbajti kumtesën “Hulumtimet dhe gjetjet mbi tabanin e këngës foklorike Bulqizake”që tërhoqi vemendjen e pjesmarrësve. Ai shprehu bindjen e tij se është shumë e rëndësishme të vërtetojmë autoktoninë e këngëve të Bulqizës dhe të vlerave të tjera historike, gjuhësore, etnografike, etj.

ÇMIMI “LUTFI HANKU” PËR POETËT E TALENTUAR BULQIZAKË
Presidenti i “Shoqatës Bulqiza” prof.assoc.dr.Islam Dauti ju bëri të ditur pjesmarrësve vendimin e kryesisë për dhënien e çmimit “Lutfi Hanku” krijuesve e botuesve të talentuar në art e letërsi. Kjo bëhet për të nderuar veprën e shkrimtarit me romanet “Drita e shpirtit”, “Erdhi Caushi”, “Loti rebel”, etj. Në nderim të të ndjerit Lutfi Hanku u mbajt një minutë heshtje. Çmimi “Lutfi Hanku” ju dha për herë të parë poetëve Barie Çupi për botimin e librit me poezi VARGONJTË E FATIT; Bruna Musai për botimin e librit me poezi ËNDËRRA E MBETUR NË SIRTAR, Donika Gjura për botimin e librit me poezi PRANVERË NË VARGJE dhe Arben Alliut për botimin e tij me poezi ME TY, PËR TY, BULQIZË. Poetët paraqitën për pjesmarrësit recitimin e poezive të tyre të zgjedhura.
Kryetari i “Shoqatës Bulqiza” z.Bashkim Lami paraqiti para pjesmarrësve aktivistët e shquar të shoqatës prof. assoc. dr. Islam Dauti, doktorin e shkencave gjeografike Adriatik Balla, doktorin e shkencave psikologjike Jashar Demiri, mësuesit e aktivistët Hamit Dervishi e Medin Karaj, inxhinierin gjeolog të talentuar Sefedin Shabani, mësuesin aktivist Asllan Daxha, pedagogun Edison Balla, skulptorin e talentuar Etmond Balja, etj. të cilët i japin gjallëri punës në shoqatë, për të vlerësuar punën e arritjet e njerëzve të shquar nga krahinat e Bulqizës.

STILISTET QË MBUSHIN DASMAT E AKTIVITETET ME KOSTUME POPULLORE
U mirëpritën me kërshëri paraqitjet e punëve të stilisteve Nexhmije Lala të kostumeve popullore të Zerqanit, Albana Gjinaj të Martaneshit dhe Selvije Koçi të Bulqizës, të cilat me duart e tyre si mjeshtre të qëndisjes, po punojnë me përkushtim për ruajtjen e vlerave të veshjeve tradicionale, duke zbukuruar aktivitetet publike e gëzimet familjare në fshat e në qytet, në Bulqizë, Tiranë e kudo. Kryesia e shoqatës u dha çertifikata mirënjohje zonjave qëndistare duke ju uruar që punët e tyre të stolisin të rinj e të reja me këto vlera të etnografisë tonë.
Çertifikata mirënjohje u dhanë nga kryesia e “Shoqatës Bulqiza” edhe për mësuesin e muzikantin veteran Shaban Demiri, muzikantin e talentuar Leonard Lala, skulptorin Etmond Balja, aktivistin e problemeve sociale Edison Balla, studiues e krijues të tjerë. Aktivitetin e ndezën këngët e bukura autoktone “Kulla e Shabës”, “Or bari e oj bareshë”, “Cuca vesh fustan jeshile” të kënduara nga këngëtarët e talentuar Adem Ceni, Anxhela Përkola, Edi Laçi, etj. Po ashtu edhe valltarët Sinan Alliu e Saba Çupi si gjithmonë na dhanë kënaqësi me vallet autoktone të Bulqizës.
Falenderime për sponsorin ALBSIG dhe për stafin e restorant “STONE” ku u realizua ky aktivitet. Falenderim meritojnë edhe vëllezërit Qerim e Defrim Karaj për regjistrimin e fotot e aktivitetit, si dhe për muzikantin Xhevat Demiri që mbajti gjallë atmosferën festive. Z.Bashkim Lami në mbyllje të aktivitetit u tha pjesmarrësve, se të gjithë meritojnë shumë falenderime, orgnizatorët dhe të gjithë aktivistët që mundësuan realizimin e këtij sesioni shkencor, si tribunë e evidentimit e të ruajtjes së vlerave të historisë e kulturës së Bulqizës. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe aktivitete të tjera premovuese vlerash të vendlindjes tonë të dashtur.