Me Partinë Demokratike më lidhin principet e të djathtës

578

Intervistuesi: – Zoti Edmond, dëshiroj si hyrje ta hapim me pyetjen që na shtyn të të njohim më thellë. Përse kandidon për deputet dhe çfarë ju lidh me Partinë demkratike ?
Kandidoj për deputet për të kontribuar për zhvillimin e demokracisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve. Personalisht jam i interesuar për zhvillimin e qarkut Dibër. Me Partinë Demokratike më lidhin principet e të djathtës: si liria individuale dhe iniciativa e lirë, përparimi i kombit, Zhvillimi i pronës, Integriteti dhe prestigji i familjes, besimi dhe vlerat e religjionit.

– Cili je realisht ? Do të ishtë mirë të tregoje, thelbin e vërtetë të qënies tënde ?
Edmond Xheladin Isaku. Jam nga Grezhdani i Dibrës. Punoj në sektorin privat ku drejtoj këto lloj aktivitetesh: Sipërmarrës tek subjektet minerare “Isaku internacional” dhe “ Dema – Patin”, Sipërmarrës i medias lokale televizionit Bulqiza, kabllor Bulqiza, gazetës “Bulqiza” si dhe sipërmarrës i hotel Bulqiza. Pra aktivitetin tim e kam të shtrirë në qytetin ku unë kam jetuar e punuar për shumë vite. Jam administrator i shoqatës kombëtare të televizioneve lokale dhe kabllore. Jam i angazuar në strukturat e PD-së, i zgjedhur aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar.

– Në se do të shkruanit çdo gjë që të ka ndodhur deri më tani, beson se njerëzit do të donin ta lexonin ? Cili do të ishte tharmi që do t’i detyronte ta lexonin ?
Besoj se po të shkruaj rreth përvojës time do të ishte shumë interesante suksesi që kam arritur në iniciativën e lirë, me investime në fushën e kulturs dhe industrisë minerare dhe organizimeve sociale, do të shtynte shumë njerëz për t’i lexuar. Pra, tharmi do të ishte, suksesi që kam arritur unë në rrugën e biznesit dhe ndihmën që kam dhënë me investimet e mia.

– Çfarë quan ti çmenduri ? A kujton ndonjërën prej tyre e cila pavarësisht etiketimit, ti vazhdon të duket normale ?
Çmenduri quaj iniciativën që mora në vitin e parë të fillimit të biznesit me Sipërmarrjen e Tv – Bulqizës. Në atë kohë nuk kisha kapital dhe atë pak përvojë, që kisha vendosa ta shtrijë në këtë biznes.

– A ke ndonjë fjalë sekrete që e përdor në momentet e tua të vështira ?
Besimin tek zoti për mbarëvajtjet e punëve

– Si do ta përshkruash veten tënde me tre mbiemra ?
I qetë, i matur, bashkëpunues.

– Beson se njeh veten mirë ? Si e njeh ?
E njoh mirë veten, me anët pozitive dhe ndonjë dobësi që kam në jetë.

– Mund të tregosh historinë më të bukur të jetës në 10 rreshta ?
Historia më e bukur e jetës time ka qenë kur më ka lindur goca e me pas dy djemtë. Lindjen e fëmijeve e kam përjetuar si gëzimin më të madh të jetës time. Në fushën e biznesit gjëja më interesante dhe e gëzueshme për mua ka qenë dita kur ka filluar transmetimet Tv Bulqiza. Gjatë ditëve që po punoja për hapjen e këtij biznesi i përjetova me një ankth dhe me shumë pengesa. Kur arrita tek transmetimet vizuale për publikun, ishte një ditë shumë e lumtur dhe e veçantë

– Po më të vështirën ?
Një ditë të vështirë kam kaluar në fëmijëri. Në atë kohë pas përfundimit të shkollës tetëvjeçare jepeshin bursa studimi për vazhdimin e shkollës mesme. Mua nuk m’u aprovua për arsye biografike. Kjo ka qenë dita më e trishtuar e jetës sime. U detyrova të vazhdoj gjimnazin në qytetin e Peshkopisë duke ecur çdo ditë nga 5 – 6 orë.

– Si mund ta përcaktosh brezin tënd, ke besuar tek ai , cilët kanë qënë kushtet që kanë ndikuar në formimin e tij? A mund të quhet brez i humbur ?
Një brez i rritur në kushte të vështira, mund të quhet brez i humbur sepse punuan dhe nuk gëzojnë as një lloje prone

– Çfarë nuk duron tek të tjerët dhe si e kapërcen mosdurimin ?
Nuk duroi mashtrimin dhe pandershmërinë kur jam në marrdhënie pune. E kapërcej me qetësi e në raste përsëritje vendos për vazhdimin marrdhënies.

– Mes njeriut më tërheqës, por dhe më të varfër, njeriut më të pasur, por dhe më të shëmtuar, cilin do të zgjidhje?
Do të zgjidhja njeriun tërheqës dhe të varfer.

– Cilat janë tre cilësitë që çmon tek një njeri ?
Ndershmërinë, inteligjencën, përkushtimin

– Çfarë vendi zë gënjeshtra në jetën tënde ?
Gënjeshtra s’ka vend në jetën time. Dua të jem i qartë dhe i rejtpërdrejtë.

– Cili-a je ti në një bashkëbisedim me një mik ?
Bashkëbisedues miqësor dhe i sinqertë

– Çfarë është frika për ty?
Frika për mua nuk ekziston, më shumë më frikëson mbarëvajtja shëndetsore e familjes. Ne këtë botë nuk më frikëson gjë.

– Cila është fuqia që ju keni ?
Ndjehem mirë nga ana shëndetësore. Besoj në punët që bëj.

– A ke modele, apo personazhe në jetën tënde. Në se do të darkoje me të për cfarë do ta pyesje dhe si do të ishte sjellja juaj ?
Përpiqem të përvetësoj tipare të modeleve më të mira por pa u mbështetur tek një model i veçantë.

– Keni një proverb tuajin të preferuar, po për çfarë ju shërben ?
Kam shumë, por i përdorë sipas kontekstit.

– Thonë që kur të pëlqen puna që bën, çdo ditë ngjan si të ishte pushim… është e vërtetë ? Si dhe ku i organizon pushimet e tua ideale ?
Punoj sistematikisht, i motivuar dhe pa sforcime. Pushimet i organizoj me familjen në vendet më të mira brenda dhe jashtë Shqipërisë.

– Cilat janë marrëdhëniet tuaja me blerjet ? Po nëse do mund të blije vetëm një gjë , cfarë do të zgjidhnit të blinit ?
Nuk kam ndonjë gjë që më ka mbetur peng.

– Po raportet tuaja me gjërat e reja…Në se do të mund të mësonit diçka të re , cilën do të zgjidhnit ?
Më intereson teknologjia e re për të qenë në harmoni me zhvillimin e shoqërisë.
– Ndër të tjera libri është një tru që flet, një mik që pret, një shpirt që fal, një zemër që qan… Cfarë lidhje ke me librat dhe cili është vendi qe ka zënë në jetën tënde .
Më pëlqen libri dhe leximi dhe për këtë shkak kam krijuar edhe gazetën “Bulqiza”. I dua njerëzit që shkruajnë.

– Cila është pjesa e trupit të pëlqen më shumë dhe pse ?
Fytyra.

– Bota është një libër, dhe ata që nuk udhëtojnë lexojnë vetëm një faqe. Cili është raporti që keni me udhëtimin ?
Bëj shumë udhëtime për arsye biznesi dhe më jep kënaqësi dhe njohje me realitete të reja.

– Në cilin vend të botës do të pëlqente të jetonit ?
Në Shipëri.

– Liria … cila është përballja juaj me të, si ka qënë raporti me lirinë në jetë ?
Lirinë e vlerësoj në të gjitha dimensionet e saj.

– Cfarë është vlerësimi shoqëror dhe familjar për ty ? Deri kur do të vazhdojë të ketë vlerë ?
Vlerësimin shoqëror e kam prioritet. Dashuria e përjetshme është ajo familjare. Do ketë vlerë gjithmonë për mua.

– Thuhet që asgjë nuk është perfekte… Çdo ndodhte sikur të ishte ?
Nuk do kishte motivim drejt përsosmërisë dhe cilësisë së jetës.

– Në të mirë dhe në të keq, një mik i vërtetë, është gjëja më e mirë në këtë botë, çafrë është një mik-mikëshë për ju ?
Miqësia për mua ka shumë vlerë dhe kam shumë miq. Ndjehem I rrethuar nga miq dhe shokë shumë të mirë që më ndihmojnë dhe më japin kënaqësi.

– Cila ka qënë detyra më e mërzitshme që të ka takuar të bësh ?
Më e mërzitshmja ka qenë stërvitja ushtarake ( zbori) në ushtri.

– Në punë tuaj më të fundit, cilat qenë arritjet më të rëndësishme ?
Përmirësimi i performancës në biznes.

– Çfarë projektesh apo ide kanë lindur nga ty dhe sa janë realizuar falë teje ?
Idetë dhe projektet me të cilat kam shfaqur në sipërmarrjet e mia i kam bërë realitet.

– Tranzicioni shqiptar është përballje e vlerave të shoqërisë shqiptare apo e politikës së prodhuar nga qeveritë e saj ?
Politika shqiptare e paaftë për të prodhuar vlera si rezultat i mungesës së përvojës ka zgjatur tranzicionin.

– Jeta jote përballë politikës… cili është vlerësimi yt për politikën shqiptare ?
Ka përmirësime, me fitoren e opozitës shpresojmë të integrohemi në BE

– Çfarë është Shqipëria për ty ?
Vendi ku duhet të punojmë shumë dhe ta duam shumë.

– Sa është përputhur profesioni që ke imagjinuar në fëmijëri me profesionin qe ke sot ?
Jam i realizuar brenda dëshirave fëmijënore, me sukseset e arritura në vitet e demokracisë.

– Sa i lumtur je sot dhe si e përjeton profesionin tënd?
Jam përgjithësisht i lumtur dhe i motivuar për punë te reja, në ekipin politik të demokratëve

– Për ty cfarë do të thotë një jetë perfekte ?
Punë dhe arritje të reja, përsosmëri profesionale dhe cilësi jete.

– A mnendon se fiton opozita ?
E garantuar fitorja për programin që ka , i cili pëmban qartë nevojat e shoqërisë dhe të kombit dhe degradmi dhe konsumi keqas i qeverisë ekzistuese. Fitorja do të jetë plebishitare për ndryshim, dhe pjesëmarrja në votime do të jetë biblike .

– Cilin do quani si politikanin më modern dhe me vizion në Shqipëri ?
Liderin me edukim politik perëndimor, Lulzim Basha. Eshtë një shembull për politikanët shqiptarë.

– Sa i vërtetë, keni qënë në këtë intervistë ?
Krejtësisht i vërtetë dhe i sinqertë në gjërat që kam thënë.

– Suksese në zgjedhjet e 25 PrillitFaleminderit ! Fitore per opozitën dhe për gjithë Shqipërinë !

Intervistoi : Redaksia e gazetës “BULQIZA”