Gëzim Alpion: Reforma zgjedhore dhe arsimi modern, këto e nxjerrin Shqipërinë nga kriza

819

Prof. Gëzim Alpion nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe, analizon krizën në të cilën ndodhet Shqipëria, diasporën, çështjen Brexit dhe krizën në familjen mbretërore.
Britania e Madhe ka dalë përfundimisht nga Bashkimi Europian, por dilemat mbeten. Atje jeton dhe punon një emigracion i konsiderueshëm nga Shqipëria, të cilët do të preken drejtpërdrejtë nga ky proces. Gazeta “Shekulli”, ka realizuar një intervistë ekskluzive me Profesorin e njohur të Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe. Prof. Alpion shpjegon situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, krizat e saj, e ardhmja sociale dhe niveli qesharak i klasës politike në vend, si dhe ikja e Agron Tufës nga Shqipëria. Prof. Alpion në korrik të këtij viti, do të botojë të plotë librin për humanisten e madhe shqiptare, Nënë Tereza.

Prof. Alpion, Shqipëria gjendet në një udhëkryq të madh. Nga njëra anë kemi sfidën e integrimit për në Bashkimin Europian, nga ana tjetër kemi krizën politike dhe sfidat sociale, të cilat prekin thellë ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Si e shikoni perspektivën e Shqipërisë në vitet që vijnë?
Shqipëria po përjeton një krizë identiteti. Shkaqet për amullinë e tre dekadave shpesh ja faturojmë kryesisht sistemit totalitar. Monizmi ka fajet e veta por rrënjët e kësaj situate duhen gjetur si në dekadat e fundit ashtu edhe në të kaluarën e largët. Ne kemi humbur kontakt me thelbin tonë, vetëdijen tonë, dhe gjenezën tonë.
Ndërsa popujt e tjerë e sajojnë me lloj-lloj mënyrash ‘lashtësinë’ e tyre, ne vazhdojmë ta shpërfillim dhe shpërdorojmë antikitetin tonë me indiferentizëm dhe papërgjegjshmëri të frikshme. Në 108 vitet e shtetit modern shqiptar shumë gjera duhej dhe mund të ishin bërë më mirë, por mbi të gjitha duhej të kishim punuar më shumë kryesisht për tu rilidhur me rrënjët tona.
Disa nga mangësitë që vihen re gjatë ekzistencës së shtetit shqiptar shpjegohen me mungesën e një elite kombëtare të përgjegjshme për fatet e vendit.
Faik Konica ka argumentuar se elitën tonë e shkatërruan otomanët. Kjo deri diku është e vërtetë.
Asnjë elitë nuk është e përjetshme. Çdo elitë ka ciklin e saj: ajo lind, lulëzon, venitet, shpërbëhet dhe zëvendësohet me një elitë tjetër me mendësi të re dhe vizion të ri. Ajo që çdo elitë ka të përbashkët është përgjegjësia ndaj fateve të vendit. Mjerë ai vend e popull që mbeten pa një elitë të tillë.
Pushtimi otoman pati kusuret e tij në zhvillimin ose më saktë në stanjacionin tonë kombëtar. Fantazma otomane akoma nuk është larguar nga trojet tona; ajo është rrishfaqur rrishtasi në formën e neo-otomanizmit, metastazat e të cilit po depërtojnë gjithmonë e më thellë në Shqipëri dhe veçanërisht në Maqedoni dhe Kosove ku, nën trysninë direkte të Ankarasë, janë edituar edhe tekstet e historisë për periudhën e pushtimit turk.
Sindroma e ‘fajtorizimit’ të pafund të faktorit të jashtëm është një tregues tjetër i tendencës tonë kolektive për të mos marrë përsipër fajet tona. Në 100 vitet e fundit vetë ne shqiptarët jemi shkaktarët kryesorë që kemi mbetur pa elitë. Për rrjedhojë, ne jemi bërë pre brezash-ofiqarësh, motivi kryesor i të cilëve është pasurimi nëpërmjet uzurpimit dhe monopolizimit të shtetit.
Dihet se si përfunduan një numër i madh i nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë, këtyre vizionarëve të cilëve u detyrohemi aq shume. Fati i Nolit, Fishtës dhe Konicës dëshmon se sa e vështirë ka qene dhe mbetet për elitën shqiptare të ketë mundësi t’i shërbej vendit. Fakte të reja trishtuese kanë dalë në dritë se si u trajtua elita intelektuale nga Enver Hoxha. Komunizmi ishte një periudhë paradoksale: arsimimi masiv rezultoi në një inteligjencë inerte. Që intelektualët janë zëri më i mekur i shoqërisë shqiptare edhe në ‘demokraci’ duhet të na shqetësoj dhe tremb të gjithëve.
Një komb pa elitë është një turmë të cilës mund t’i servirësh lehtë idenë se nuk bën dot kurrë pa ‘faktorin’ e jashtëm. Kjo shpjegon se përse kemi kaq shume ‘vëllezër’ dhe ‘miq’ – turq, sllavë, italianë, gjermanë, sovjetikë, kinezë, amerikanë – të cilët i ndërrojmë si veshjet me ndërrimin e stinëve.
Ne na është krijuar bindja se nuk bëjmë dot pa një fuqi të huaj dhe për pasojë nuk përpiqemi të gjejmë forcën mes nesh. Aktualisht, çështjen e korrupsionit endemik qeveritar presim të na e zgjidhin amerikanët dhe BE-ja.
Ky inferioritet patologjik ndaj të huajve, vihet re qartë edhe në diskursin infantil në Shqipëri dhe Kosovë, për ‘ëndrrën Europiane’. Kjo nuk përbën ndonjë çudi po të kemi parasysh se personat që negociojnë anëtarësimin e këtyre dy trojeve shqiptare në BE zor se e dinë se, në lashtësi, fillimisht ‘Europë’ quhej vetëm gadishulli Ilirik.
Ne kemi kohë që jemi katandisur në nxënës të prapambetur që bëjmë detyra shtëpie me imponim që të na pëlqej Europa, por nuk e kuptojmë se reformat duhen bërë pikë së pari se janë të domosdoshme që Shqipëria dhe Kosova të funksionojnë si shtete normale. Ngërçi shtetëror që po përjeton Kosova diktohet edhe nga disa rrethana për të cilat nuk do të ndalem në këtë intervistë.
Situata në të cilën është katandisur shteti shqiptar me kryeministra që sillen dhe veprojnë si kapo dhe me një opozitë qesharake, është e pafalshme. Pra, në përgjigje të pyetjes tuaj, se si e shikoj unë perspektivën e Shqipërisë, mund të them se vetëm me konsolidimin e shtetit ligjor, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, vendi ynë do ingranohet me dinjitet në botën demokratike.

Cilat janë krizat që ju mendoni se klasa politike shqiptare duhet t’i tejkalojë në mënyrë që Shqipëria të ketë një model zhvillimi?

Në Shqipëri nuk ka ‘klasë politike’ por ‘kaste kulisash’. ‘Rekrutimi’ në të, përcaktohet nga shkalla dhe kohëzgjatja e ‘besnikërisë’ ndaj sekserit që shpërblen ‘mercenarët’ me kocka nga gostia e pafund në kurriz të pasurive të vendit. Sekserët e kësaj kaste që qeverisin me rotacion nuk dallohen për ndonjë filozofi politike. Ata janë njerëz të rëndomtë, me një arsimim të cunguar që mangësitë e formimit intelektual përpiqen t’i fshehin pas ‘titujve shkencorë’ që, si çdo gjë në jetë, i kanë të vjedhura.
Këta sekserë janë shkaktarët kryesorë për atë që Emile Durkheim i quan ‘anomie’ që ka kapërthyer jo vetëm ata por edhe nëpunësit e thjeshtë në çdo segment të shtetit qendror dhe lokal; pra, ata janë robër të obsesionit të pa kontrollueshëm për pasuri pa fund në një botë që nuk njeh asnjë rregull. Këta gjallesa banale kanë legjitimizuar përjetësinë e pushtetit nëpërmjet korruptimit të votës.
Pa një reformim rrënjësor të sistemit të zgjedhjeve lokale dhe kombëtare, dhe pa një arsim modern në çdo hallkë, nga ai parashkollor e deri në atë pasuniversitar, Shqipëria do të vazhdojë të zbukuroj fasadën pa rikonstruktuar thelbin.
Po kaq i rëndësishme është reformimi i partive politike që, tani për tani, janë shndërruar dhe funksionojnë kryesisht si biznese private.
Në Shqipëri nuk do të ketë zhvillime demokratike po qe se nuk funksionon opozita. Në ketë drejtim, Shqipëria është më keq se çdo vend tjetër që doli nga sistemi komunist. Edhe në kohën e monarkisë, në disa momente parlamenti shqiptar funksiononte në mënyrë më efikase.
Dhe së fundi, Shqipëria nuk mund të dalë nga ky ngërç pa angazhimin direkt të elitës së diasporës. Dyert e shtetit shqiptar për intelektualë të pavarur në diasporë, të cilët nuk i bëjnë temenara asnjë partie apo pushtetari por që kanë pasionin për t’i shërbyer vendit me përkushtim, vazhdojnë të jenë të mbyllura në Shqipëri.

Erjon Dervishi