SHBA, BE dhe OSBE përshëndesin Marrëveshjen

712

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri përshëndeti palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it.
“Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni” – thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. Marëveshja mes forcave kryesore politike u përshëndet edhe nga Bashkimi Europian. Kreu i misionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, tha se marrëveshja e sotme politike është një arritje e rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik në Shqipëri dhe për rrugën drejt integrimit në BE.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e sotme ndër-partiake mbi rrugën përpara për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përfunduar një reformë zgjedhore në kohë, që do të miratohet nga Parlamenti, në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të së ardhmes së tyre evropiane” – tha në rrjetet sociale ambasadori Soreca. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpriti marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore. “E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë” – thuhet në deklaratën e OSBE-së, e cila shtoi se mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë në procesin e reformës zgjedhore. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpriti marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore. “E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë” – thuhet në deklaratën e OSBE-së,e cila theksoi se mbetet e gatshme të vijojë ndihmën në procesin e reformës zgjedhore.