Romani “Lulja” me episode nga Bulqiza, si skaner i diktaturës

1009

Nëpërmjet një procesi të gjatë e të ndërlikuar krijues, autori Kica dëshmon aftësinë për të treguar, për veten dhe për botën, për jetën dhe bëmat makabare të atij sistemi që degradoi deri në kalbëzim, duke përdhosur shoqërinë dhe familjen. Është koha kur siç thotë autori “sëmundja e gërbulës së lajkatimit i ka kapur pothuajse të gjithë”. Përkundrejt atyre që “e njohin dashurinë në pafundësinë e saj, e dinë fort mirë që kënaqësia hyjnore që të fal ajo, vjen vetëm pasi ke përvetësuar virtytet e saj”, janë përfaqësuesit më të urryer të nomenklaturës së kuqe, të cilët autori i paraqet në formë episodike

 

Halil RAMA

Pas suksesit me botimet dhe studimet e para (“Shënime studenti në diktaturë”, “Frida”, Gavril Dara (i riu), në poemën “Kënka e sprasme e Balës”, “Betejat e Skënderbeut me Ballaban Baderën”, “Beteja e parë e Skënderbeut”, “Lugina e Bu-s, Bulç, Bulqizë”, “Dinastia Gropa”, etj), studjuesi dhe shkrimtari Ramazan Kica vjen më së fundi para publikut me romanin “Lulja”. Një roman, që siç shprehet autori që në hyrje “iu përket vetëm atyre që ndjejnë dhimbjen dhe ia kanë arritur, të paktën një herë në jetë, të prekin dashurinë plotësisht, në të gjithë madhështinë e saj”. E prekën këtë llojë dashurie edhe dy heronjtë e kësaj vepre mjaftë të arrirë letrare, e përjetuan, siç ata deshën, por me fundin e përlotshëm, të parashkruar nga monstra të atij sistemi makabër.
Ndërsa si prolog i ngjarjeve të romanit është “Lulja – gjimnazistja që i ka ngjitur Arbenit përtej qiejve të jetës së amshuar, duke ndarë me të lumturinë e saj të dëlirë”, epilogu është “padjallëzia e 18-vjeçares nga një fshat i rrethit të Bulqizës, në grahmat e fundit, shtrirë në shtratin e ndarjes së shpirtit nga materja…”
Kësisoj gjejmë në këtë roman portretizime e përshkrime brilante të ngjarjeve e rrethanave, të përjetimeve të dashurisë së dëlirë, por dhe të prapaskenave mizore për t’a çuar Lulen e padjallëzuar në shpirtin e saj, në fronin e përjetësisë.
Të skeduara e përshkruara si rrëfime ngjarjesh e episodesh prej më shumë se tri dekadash, autori Kica, pasi e kishte projektuar fillimisht si një novelë, taman si një arkitekt i vërtetë ligjërimesh të këndshme, ndërthur dy linjat që të çojnë tek një roman shumë i arrirë dhe mjaft tërheqës për lexuesin. Nëpërmjet një procesi të gjatë e të nderlikuar krijues, autori Kica dëshmon aftësinë për të treguar, për veten dhe për botën, për jetën dhe bëmat makabare të atij sistemi që degradoi deri në kalbëzim, duke përdhosur shoqërinë dhe familjen. Është koha kur siç thotë autori “sëmundja e gërbulës së lajkatimit i ka kapur pothuajse të gjithë”. Përkundrejt atyre që “e njohin dashurinë në pafundësinë e saj, e dinë fort mirë që kënaqësia hyjnore që të fal ajo, vjen vetëm pasi ke përvetësuar virtytet e saj”, janë përfaqësuesit më të urryer të nomenklaturës së kuqe, të cilët autori i paraqet në formë episodike.
Duke folur për Arabdurin, përfaqësuesin tipik të “kastës së fëlliqur shtazarake të pushtetit”, e cila “është një tribu e llahtarshme, që jeton në të gjitha zyrat e pushtetit, me kokën atje, në bulevard të kryeqytetit”, në bashkëbisedim me të dashurën e tij, Lulen, Arbeni – një nga specialistët e zonës ku zhvillohen ngjarjet, që e njeh mirë jetën dhe fenomenet negative të saj, pohon se “Arabdurat janë kudo”. Dhe se: “Këta tipa kanë pushtuar të gjitha kyçet e jetës së vendit. Dhe e keqja më e madhe nuk është kjo. Ajo e tmerrshmja është se i gjithë populli po përvetëson huqet e tyre. Çdo njeri mendon vetëm si të arrijë e të kapë diçka, qoftë dhe duke humbur nderin… Pothuajse të gjithë ata që kanë një post, apo diçka në dorë sot, e kanë humbur nderin; i kanë kurtizane, si gratë, vajzat dhe nënat e tyre, për të mos thënë që janë vetë të tilla…”.
Në fakt, si Arbaduri, ky (pseudo) mjek që nuk dihet se “çfarë helmi ia kishte shkrirë format njerëzore”, në zonën ku zhvillohen ngjarjet janë edhe Lveri (brigadieri), edhe Trungu (sekretari i Partisë) e plot trungje të tjerë, drejtues të asaj kohe që s’bëjnë asgjë tjetër, veçse thurin intriga e skenarë ogurrzezë në kurriz të intelektualëve me vlera e reputacion.
Në këtë mënyrë, romancieri Kica sjell tablo të gjera të realitetit shqiptar të para ’90-ës. Dhe për ta bërë sa më të beseushëm e diskred atë sistem montsruoz, personazhet dhe veprimet e tyre i paraqet artistikisht në dy linja kryesore: linjën skematike të personazheve negativë, të pëfaqësuar nga ish kuadro imoralë e pa katarkter, të mpleksur me linjën e dashurisë së dy të rinjve idealë, Arbenit e Lules, të marra veças, po edhe të gershetuara me njëra tjetrën.
Dhe nëse në linjën e parë takojmë deri edhe gratë e vajzat e njëri tjetrit, që pa pikë ngurimi i dërgonin vetë për t’u “zhagamajt me të madhin e partisë”, në linjën e dytë janë “ata që e njohin dashurinë në pafundësinë e saj”.

Dashurisë i duhet dhënë më shumë vlerë se jetës

Gjuhën e pasur, herë-herë edhe dialektore (të dialektit të Bulqizës që është i veçantë, jo vetëm në Dibër por në gjithë Shqipërinë), mjetet shprehëse mjaft të gjetura, i hasim sidomos në përshkrimin e takimeve të Arbenit me Lulen tek “stacioni” i tyre apo poshtë manit (në mesnatë), në kopshtin e shtëpisë së Lules, kur “parfumi i frymëmarrjes së saj kishte pushtuar ambientin…”. Dhe pikërisht në skena të tilla ai zbulon “virtytin e bukur, tek ata që dashurohen, i cili ka suksesin e një diamanti të madh…”. Janë këto përjetime magjepsëse që e çojnë autorin në konkluzionin se “duke u ngjitur në majat më të larta të dashurisë, zemra njerëzore ka gjetur fronin për tu çlodhur, si dhe lëndinën e duhur ku të prehet shpirti. Në këta raste, ndjenjat e urrejtjes kalojnë nëpër një tatëpjete të tillë të thepisur, sa zor se mund të gjejnë shesh për tu ndalur…”. Parë nga ky këndvështrim R. Kica përçon mesazhin se: “dashurisë i duhet dhënë më shumë vlerë se jetës”. Dhe se: “te njeriu që prehet në krahët e një bukurie hirplote, lind një shpirt tjetër”. Kësisoj, aq i magjepsur është Arbeni nga bukuria fizike dhe shpirtërore e Lules, sa që i dhimbset kur e pushton dhe e mban në krahë. Eshtë ky, Arbeni, që në fytyrën dhe në gjestet e tij ka një pamje fisnike ku mbisundon virtyti; tipari më i shenjtë e më hyjnor.
Në një tjetër këndvështrim ai na e paraqet heroin e veprës së tij, në dukje të gëzuar, por nga brenda të tejngopur duke pirë në këtë pellg vreri të efekteve të tiranisë…
Me një frazeologji interesante, në ekzaminimin perfekt që iu bën vemjeve të diktaturës, autori profilizon “korbin (Lverin-brigadierin) që kërkonte pëllumbeshën e bardhë në folenë e tij. Dhe këtë “korb” e stigmatizon mjaft bukur kur shkruan se “etja seksuale kishte ngjallur pasionet më të këqija të këtij përfaqësuesi tipik të racës epshore, duke nxjerrë në shesh gjithçka të fëlliqur që ka brenda gjallesa njerëzore, ndoshta, ndër gjërat e pakta që e ul njeriun një shkallë më poshtë se kafsha…”.
Ndërkohë që kur zbulon planin e tij (brigadierit) për të shpëtuar nga ndëshkimi, pasi ka vjedhur në mesnatë kaun në stallën e ish kooperativës, për t’ia çuar mishin e tij “dhuratë” sekretarit të partisë që banonte në qytet, autori filozofon mjaftë bukur në ligërimin e tij se: “Vjedhja ka vrasjen me vete gjithmonë dhe ai nuk është i vetëm. Ata janë një grup i qepur mirë me njëri-tjetrin. S’ke ç’i bën kësaj kaste. Të gjithë janë pa karakter dhe të ulët. Është më keq kur përplasesh me një njeri të dobët, por dinak e tinëzar, sesa me një njeri të fortë, por të çiltër e të ndershëm. Të ligut, sa më pak t’i takojë ligjërisht diçka, aq më shumë ka dëshirë dhe kërkon ta ketë atë”.
Mjafton qoftë dhe ky përcaktim filozofik i konceptit të vjedhjes për të konkluduar në koherencën që autori i jep veprës së tij letrare, po të kemi parasysh korrupsionin galopant në institucionet e shtetit të sotëm, që ushtrohet pothuajse me po ato metoda të vjedhjes së pasurisë shtetërore në sistemin e djeshëm, veçse sot në përmasa marramendëse. Dhe për ta bërë sa më të besueshëm profilin e këtyre përbindëshave autori shkruan se: “Shëmtimi dhe shpërfytyrimi fizik kishte depërtuar në brendi, aq sa gjenetistët besojnë se ky denatyrim mund të ketë penetruar në gene. Kjo do të jetë hata që për shekuj e shekuj vështirë se do të riparohet. Specia normale humanoide i quajtur, thjeshtë njeri, kur bie në kontakt me ta, pyet veten se në ç’tribu me ecje pingule bëjnë pjesë këto gjallesa dykëmbësore të çuditshme, këto bataqe llumrash. Dhe gjithmonë përgjigja nuk vjen, ajo mbetet diku duke u vetëtretur drejt shuarjes nëpër misteret e honeve të paqartësisë, megjithë protestën tënde të brendshme…”

“Lulja”, një roman që zë vend të veçantë në fondin e artë të letërsisë shqipe

Nisur nga bagazhi jetësor, por veçanërisht në ligjërimin filozofik, qoftë për dashurinë dhe për urrjetjen ndaj të damkosurve si sahanlëpirës të diktaturës, shprehim bindjen se autori Kica, sjell për lexuesin një roman që hyn me dinjitet në fondin e artë të letërsisë shqipe. Ligjërime të tilla si: “Burrat fitojnë beteja, femrat jo, ato fitojnë zemra dhe gjejnë miq”, apo “Miqtë që tregojnë dashamirësi të tepruar janë më të këqij se armiqtë e tërbuar”, dëshmojnë për një autor që ka lexuar e përvetësuar shkrimtarë e filozofë të shquara botërorë, si Dante Aligeri, U. Shekspir, Xhon Gollsuorthi, apo dhe piktorin francez Jean-François Raffaëll, të cilët edhe i perifrazon me vend në përshkrimin e ngjarjeve e detajeve kulmore.
Kjo e ka ndihmuar autorin që të na sjell përsosmërisht diktaturën komuniste në skanerin artistik. Mjafton për këtë qoftë edhe përcaktimi gjenial që autori Kica i bën “njeriut të ri” të sistemit komunist, siç quhej në ata vite, si monstër unikale. “Një lloj çude e përçudnuar në përdhosje të shpërfytyruar. Kënaqësi i jepte vetëm ligësia…”, kur “shpirti i ishte holluar e mprehur tej logjikës së intrigës më të ulët njerëzore, objekti i vetëm që do ta kishte zili edhe tinëzia bizantine e tjerrur në netët e Orientit gjatë mijëra vitesh”.
Duke bërë një skanim ekzakt të atij sistemi monstruoz autori Kica na jep shëmtimin dhe shpërfytyrimin fizik të njeriut të ri të partisë në ato viteqë “në realitet nuk ke si t’i quash ndryshe këto krijesa të çuditshme vertikale, sepse në sjelljet e tyre shfaqeshin, turbull, tiparet e njerëzve”.
Nisur nga fundi përlotës i Lules, autori përcejll mesazhin se “parandjenja e fatkeqësisë e pikllon shpirtin duke vrarë më rëndë se vetë fatkeqësia…”
Të gjithë shikonin drejt qiellit, ku: “Në një rrëpirë të tillë të frikshme ku dhe ëndërra do të zmbrapsej, … si në një kretaurë të patrajtëshme, dy instinkte pa formë dhe caqe, po kacafyteshin për jetë a vdekje me njëri tjetrin. Njëri ishte i zi, ndërsa tjetri i bardhë. Ndoshta, për t’i ndriçuar të ardhmen e mallkuar Bulqizës, i ziu e mundi të bardhin duke e shtyrë në një hon trishtues dhe gëlltitës, nga një rreckadë si urë gremine…”. Nga ky këndvështrim i autorit të suksesshëm R. Kica, “jeta është asgjë më shumë se humbja e pandërprerë e njerëzve që duam!”
Dhe libri përfundon me një “çlirim habitës”, të një grupi të madh njerëzish, të cilët, nga ana lindore e luginës së Bulqizës shikonin që “atje tej drejt perëndimit, në fund të horizontit, Bulqiza filloi të zhytej në përjetësinë e zezë të territ duke u munduar të zhdukë hijen e saj si për të fshehur diçka! Diç, si puhizë e purpurtë në agullim, po rrinte varur si e panjohura. Ishte pafajësia, e cila, duke qenë në vetvete misteri më i shenjtë njerëzor, qëndron më lart dhe se virtyti. Më shumë ndjehej sesa shihej. Si një fole që qëndron pezull mbi greminë, përballë madhështisë së saj, venitet gjithçka që është e madhërishme në këtë botë”.