Arti i fjalës

1272

-Poezi nga Barie Çupi

AMANETI

Një amanet dua të shkruaj,
Për sot, për nesër e kaherë;
Si leter kujtese këtu t’a ruaj…
Ti thjesht, lexoje nganjëherë.

Nuk e di..,kur dora të fillojë të ndalet,
Do jemi pranë apo shumë larg?!
Ca grimca ndjenjash do përmallen;
Nuk n’a bashkoi i njejti fat!

Diku respekti do jetë i pari,
Mirënjohja si urtësi…
Ëndrrat do n’a i shlyejë veç varri,
Ndoshta jetojmë në përjetësi.

I ngatërruar nëpër vargje,
Veç emri yt gjallë më mbeti,
Më duaj pakëz për sy e faqe.
Ndoshta ky është amaneti….

SEKRETI I VJESHTËS

Ja dhe një varg për ty e vodha,
Me shikimin fshehur pas hijes tënde;
Edhe e humbur s’të harrova
Kur ti harrove të më përmendje.
Ja dhe një varg shtrënguar në gjoks
Me mall, me afsh sikur dje;
Të zgjosh një botë s’është paradox,
Unë prapë të dua, ti je atje.

Ja dhe një varg, jo si gjithmonë!
Kur vjeshta vesh fustanin e verdhë
E ruajta relike në librin tonë
Por të fundit varg në shpirt e kam derdhë.

ARTI I FJALËS

Kur butësisht ulet fjala,
Në fund të shpirtit, në çdo kënd;
Në qiell mbledh yje të arta…
Dhe zbukuroj portetin tënd.

Kur pafajësisht heshtja mund,
Kërkoj vargje vetëm për ty;
Art’ i fshehur, ngjyra pafund;
Në çdo mendim të gjej aty..

Kur fuqishëm dridhet zemra,
Afrohu të lutem njëherë ngadalë;
Lexo syrin çfarë sheh Brenda,
Det me fjalë, i njejti mall….

Kur të zgjohesh i vërtetë,
Puthe ëmbël vargun tim;
Lermë të hidhem prap në det,
Të zhytem thellë me gjithë trishtim…

NËSE…

Nëse më sheh me shpirt të vrarë,
Nëse më sheh duke ecur e qarë,
Nëse më sheh të ligur;
Të tretur.
Të prishur,
Të rënë….
Çelësin e varrit kam gjetur,
Një vend për të zënë….
Nëse më sheh të thyer,
Të heshtur,
Me zemër gërryer
e lekuren prej mallit veshur…
Ti mos u ligështo!
…përshëndetmë,
…përqafomë dhe nga larg,
por mos më pengo.
Nëse më sheh ditën;
Mos m’a kujto natën!
Mos më thuaj asgjë,
Se më lëndon plagën…
Nëse papritur filloj e buzëqesh;
Arsyeja për një cast,
Vetem ti do të jesh..